1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hoxhaj: Viti 2012 - Viti vendimtar evropian për Kosovën

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj zhvilloi një vizitë dyditore në Berlin. Ai u takua me ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westewelle dhe me një sërë deputetësh e personalitetesh të politikës gjermane.

Ministrat e Jashtëm Hoxhaj dhe Westerwelle gjatë konferencës për shtyp në ministrinë e Jashtme gjermane

Ministrat e Jashtëm Hoxhaj dhe Westerwelle gjatë konferencës për shtyp në ministrinë e Jashtme gjermane

DW: Nga takimi që patët me ministrin Westewelle, çfarë do të veçonit zoti Hoxhaj nga biseda, çfarë ju premton Gjermania në këtë fillim viti të ri 2012 dhe çfarë prisni ju nga qeveria gjermane në këtë kohë?

Hoxhaj: Për ne është shumë e rëndësishme që vitin 2012 ta shndërrojmë si një vit vendimtar për një Kosovë evropiane. Prandaj edhe qëllimi i vizitës sime në Berlin ka qenë që përveç takimeve të karakterit bilateral në fushën e ekonomisë, tregtisë, arsimit, shkencës apo kulturës, ne ta fitojmë shtetin gjerman në rrugën tonë të integrimit evropian. Liberalizimi i vizave dhe vendosja e marrëdhënieve institucionale mes Kosovës dhe institiucioneve përkatse të Bashkimit Evropian janë prioritetet tona që i kemi pasur në vitin 2011 ndërsa tani ka qenë ideja ime që Kosova këtë vit të nënshkruajë marrëveshjen e  asociim-stabilizimit, e cila vërtet do ta bënte Kosovën një shtet i cili do të kishte mundësi të mirëfillta në rrugën e saj evropiane dhe kjo ka qenë pjesa kyç e bisedës. Natyrisht që ne biseduam për situatën në veri të vendit për shpërbërjen e strukturave paralele, për integrimin e kësaj pjese të Kosovës me pjesën tjetër të Kosovës dhe me institucionet e Kosovës. Por kemi biseduar edhe për atë që të kemi kontributin e Gjermanisë në rritjen e numrit të njohjes të pavarësisë së Kosovës nga vende dhe institucione apo organizata ndërkombëtare si ato politike, ekonomike, financiare dhe po ashtu në ato sportive.

DW: Nëse pretendoni të thithni sa më shumë investitorë gjermanë në Kosovë, për të cilët edhe vetë minstri Westewelle foli në konferencën për shtyp, ju  çfarë u ofroni atyre? A kanë kushtet e duhura atje?

Hoxhaj: Mendoj se ka pakëz vende që kanë një popullatë të re siç e ka Kosova,  e cila ka një dinamikë të jashtëzakonshme, me një qasje optimiste ndaj botës. Në të njëtën kohë rinia është e kualifikuar në mënyrë të mirëfilltë që të ushtrojë punë të ndryshme. Së dyti, situata në aspektin e sundimit të ligjit është shumë më mirë në Kosovë sesa në vendet e tjera të rajonit. Sundimi i ligjit në Kosvë ushtrohet edhe nga vendorët, edhe nga ndërkombëtarët. Së treti, Kosova ka një kornizë ligjore që mbron investimet dhe një politikë fiskale, e cila është më e favorshme sesa në vendet e tjera të rajonit. Kështu që duke pasur parasysh këto  rrethana, investimet gjermane  në Kosovë do t'ia mundësonin dhe do t'ia lehtësonin çdo investitori që të vinte e të realizonte bizneset e tij  duke u qasur kështu në një treg ballkanik i cili është i madh në numër dhe për shkak të pozitës startegjike që ka Republika e Kosovës, gjeografisë së saj, rrugët, pra infratsruktara që e lidh edhe më shtetet e tjera është shumë vendimtare.

DW: Kosova është një shtet i ri. Pa përvojë dhe që ka nevojë të konsolidohet ende. Megjithatë ka edhe një privilegj të madh që edhe pse shtet i ri aspiron për në BE. Si e vlerësoni ju një hap të tillë? Pra a mendoni se ka bazë, që ky vend të futet në familjen e madhe të BE-së?

Hoxhaj: Mund t'ju them se në vitin 2008 ka pasur një studim i cili u bë nga Komisoni Evropian. Pra se sa Kosova është në gjendje të përfshihet në  proceset kyç të integrimit evropian. Studimi që u bë në atë kohë nga Komisioni Evropian ka qenë shumë pozitiv. Në 2011 ne patëm publikimin e raportit të progresit, i cili po ashtu  konstatoi një progres të fuqishëm në fushat kryesore. Unë mendoj se është shansi i fundit që Kosovës t'i jepet ndihma për marrjen e liberalizimit të vizave, që kjo t'u japë shansin qytetarëve të Kosovës të lëvizin të lirë dhe pa viza në Evropë, sikurse 50 milionë qytetarë të tjerë të Ballkanit. Eshtë shansi i fundit që Kosova të mos mbetet një vend i harruar dhe një popull i harruar, prandaj edhe vendosja e marrëdhënieve institucionale me Bashkimin Evropian është e rëndësishme dhe çelësi kryesor. Vetëm hartimi i një udhërrëfyesi të mirëfilltë dhe nënshkrimi i një marrëveshje të stabilizim asociimit do të ishte kornizë e mirëfilltë për integrimet evropiane të Kosovës. Kjo mundësi duhet t'i ofrohet Kosovës dhe vetëm në këtë formë ne mund të kemi një proces efikas integrues, i cili do ta refomojë, do ta ndryshojë dhe modernizojë Kosovën.

DW: Diplomacia është kartvizita e një vendi jashtë. Më shumë se çdo vend Kosova ka nevojë për një përfaqësim diplomatik dinjitoz në botë, pasi kjo do ta ndihmonte më shumë edhe për imazhin e saj pozitiv. A është në nivelin e duhur diplomacia kosovare? Kam parasysh këtu përfaqësitë diplomatike në vende shumë të rëndësishme, si në Evropë dhe jashtë saj. Në kuadër të perspektivës evropiane a ka nevojë për reforma dhe ndryshime në këtë fushë, dmth. më shumë angazhim dhe më shumë përgjegjësi nga përfaqësitë diplomatike kosovare?

Hoxhaj: Pajtohem me këto që thoni ju. Ministria e Jashtme, diplomacia e Kosovës duhet të bëjë shumë më tepër sesa ka bërë deri tani. Imazhi i Kosovës, i prezantuar shpesh herë në Evropë, nuk ka qenë objektiv, ka qenë një imazh i krijuar apo i huazuar nga vendet e tjera, veçanërisht nga ato armike ndaj Kosovës. Por gjatë vitit të kaluar kemi bërë një punë shumë të madhe që ta ndryshojmë këtë imazh të dëmtuar të Kosovës dhe të informojmë në mënyrë objektive për situatën. Krahas kësaj, gjatë këtij viti ne mendojmë se duhet rritur stafi diplomatik, jo vetëm në nivel të ambasadorëve, po do të kemi edhe rreth 40 persona që do të kyçen nëpër ambasada. Do të kemi edhe pesë ambasada më shumë. Ndërsa diplomacia publike, e cila merret me përmirësmin e imazhit, është një nga prioritetet tona. Vitin e kaluar kemi pasur një konferencë të shkëlqyer në Prishtinë. Gjatë këtij viti do të kemi disa konferenca në Kosovë ku do të sjellim mysafirë dhe personalitete të veçanta, që ta shohin nga afër edhe progresin që ka bërë Republika e Kosovës.

DW: Meqë jemi tek diplomacia: Mendoni se me mbështetjen e Gjermanisë, pozicioni i Serbisë do të ndryshojë në marrëdhënie me Kosovën në një të ardhme jo të largët?

Hoxhaj: Patjetër. E vetmja mundësi që Serbia të shkojë në një proces efikas të integrimit evropian është që gradualisht t'i normalizojë marrëdhëniet me Republikën e Kosovës, ta pranojë Kosovën si një realitet gjeopolitik, Kosova e pavarur do të ekzistojë përherë. Po ashtu ta shohë Kosovën si një patner në rrugën e saj evropiane dhe ti zhbëjë strukturat paralele në veri të vendit. Nuk mund të ketë paqe, siguri në rajon deri sa Serbia synon përmes forcave të policisë, të sigurisë, formacioneve paramilitare t'i kontrollojë disa qytete në veri të Kosovës.

Intervistoi: Mimoza Cika-Kelmendi

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM