1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hoxhaj: Në takimin e radhës në Bruksel pritet marrëveshje për veriun

Në Bruksel Daçiq ka rënë dakord për shpërbërjen e strukturave ilegale në veri të Kosovës. Në raundin e radhës pritet marrëveshje konkrete për veriun, thotë ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në bisedë për DW.

Enver Hoxhaj- Kosova foreign minister in interview for DW in Pristina

DW: Zoti ministër, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit po futen në fazën vendimtare. Më 4 mars do të mbahet raundi i radhës i bisedimeve në Bruskel mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, ku do të bisedohet për veriun e Kosovës. Si do të zgjidhet çëshja e strukturave paralele në veri Kosovës?

Enver Hoxhaj: Takimi i fundit është përcjellë me një progres konkret, megjithë faktin që kryeministrat nuk arritën një marrëveshje finale, sa i takon zhbërjes së strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë në veri. Unë kam një besim të plotë se në takimin e radhës, i cili do të jetë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe për shtrirjen e sovranitetit të saj të brendshëm në veri, përfundimisht do të arrihet një marrëveshje dhe se strukturat ilegale të sigurisë dhe policisë do të zhbëhen. Në këtë mënyrë do të krijohet një ambient i ri në veri, ku deri në fund të vitit do të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Përmes këtyrre zgjedhjeve do të riintegrohen këto tri komuna të veriut në institucionet demokratike të shtetit të Kosovës.

DW: A e ka pranuar pala kosovare që në veri të krijohet asociacioni i komunave të banuara me shumicë serbe dhe a mund të shërbejë kjo bashkësi komunash si bazë për marrjen e vendimeve autonome, të cilat do të çonin deri në autonominë e kësaj pjese dhe më vonë ndarjen nga Kosova?

Enver Hoxhaj: Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i prerë: ne mendojmë se në asnjë formë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë kohë kjo pjesë e Kosovës nuk duhet të ketë një pozitë të veçantë politike dhe juridike. Kemi qenë të prerë tërë kohës së bisedimeve se nuk do të ketë status special apo autonomi për komunat e veriut. Ajo që ofrohet është gëzimi i të drejtave që i kanë edhe të gjitha komunat e tjera me shumicë serbe, gjë që parashikohet edhe në Kushtetutën e Kosovës dhe Pako e presidentit Ahtisari. Të gjitha të drejtat dhe kompetencat që i kanë komunat e tjera do t'i kenë edhe komunat në veri. Sa i përket asociacionit të komunave, kjo rregullohet me Pakon e Aktisarit, me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Një asociacion i tillë do të ketë karakterin e njëjtë që e ka edhe asociacioni i komunave të Kosovës. Në çdo vend demokratik mund të ketë asociacione të komunave por ato nuk mund të vendosin për çëshjtet jetike të sistemit të brendshëm politik të një vendi.

DW: Zoti ministër, më konkretisht: a do të kenë këto komuna në të ardhmen më shumë lidhje me Prishtinën apo me Beogradin, siç është rasti tani?

Enver Hoxhaj: Qëllimi kryesor i takimit të radhës është shpërbërja e plotë e strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë në veri, riintegrimi politik i komunave të veriut përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike si dhe riintegrimi i tyre në jetën ekonomike dhe sociale të Kosovës. Para ca javësh është arritur në nivelin e kryeministrave edhe marrëveshja për krijimin e një fondi zhvillimor, i cili do të luajë një rol të rëndësishëm për integrimin, jo vetëm politik por edhe ekonomik dhe social të kësaj pjese. Por do të ruhet uniteti i Republikë së Kosoovë dhe nuk do të ketë asnjë zgjidhje asimetrike. Do të ketë vetëm implementim dhe funksionalizim të Pakos së Ahtirarit, e cila nuk ka mundur të realizohet në këtë pjesë që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

DW: Kur do të hapen përfaqësitë e Kosovës dhe Serbisë në Beograd dhe Prishtinë dhe a i keni ndërmarrë të gjitha masat e duhura për sigurinë e këtyre përfaqësuesve?

Enver Hoxhaj: Kryeministrat kanë arritur marrëveshje që Republika e Kosovës të ketë zyrën ndërlidhëse në Beograd. Ministria e Jashtme ka hartuar një strategji të hollësishme për këtë çëshjte që në vitin 2012, kur është bërë e ditur se do të flitet për çështjen e zyrave ndërlidhëse - si përfaqësi diplomatike dhe e përhershme e Kosovës. Pas marrëveshjes së kryeministrave ka pasur edhe disa takime në nivel të ekspertëve, ku janë shqyrtuar çështjet e imunitetieteve, funksionimit dhe përfaqësimit të Kosovës në Beograd. Përfaqësia jonë atje do të kryejë edhe detyra konsullore. Është vetëm çështje javësh se kur ambasadori i Republikës së Kosovës, zoti Peci, do të fillojë punën e tij në Beograd. Por aktualisht në rend dite është çështja e veriut.

DW: Sa i përket veriut: jeni Ju optimist se më 4 mars do të arrihet një zgjidhje përfunditmare?

Enver Hoxhaj: Ne besojmë se pas takimit të fundit, ku të dy kryeministrat dhe baronesha Ashton kanë paraqitur pikërpamjet e tyre të detajuara për situatën në veri, ku kryeministri Daçiq e ka pranuar zhbërjen e strukturave ilegale të sigurisë dhe policisë, ku kryeministri Thaçi ka paraqitur ide konkrete në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe Pakon e Ahtisarit për intgrimin e këtyre komunave, në takimin e radhës ne presim që të ketë një rezultat dhe marrëveshje konkrete.

DW: Zoti ministër, si i vlerësoni bisedimet e filluara mes përfaqësuesve të Serbisë dhe Luginës së Preshevës. Cila do të ishte zgjidhja më e mirë për këtë rajon?

Enver Hoxhaj: Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës ka qenë dhe është që problemet, që nuk janë zgjidhur atje në 12 vitet e fundit, të zgjidhen përmes dialogut mes përfaqësuesve të Luginës së Preshevës dhe Beogradit. Ne kemi qenë të shqetësuar për situatën politike në Luginën e Preshevës dhe mosgatishmërinë e Qeverisë së Beogradit për zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit. Shpresojmë se përmës dialogut do të mbështetet komuniteti shqiptar që të integrohet në jetën institucionale dhe politike dhe që të ketë një jetë më të mirë ekonomike, sociale dhe politike. Dialogu është e vetmja formë dhe mundësi për zgjidhjen e problemeve.

DW: Një ndër prioritetet e Ministrisë së Jashtme sivjet është vazhdimi i anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Cilat organizata do të jenë synimi juaj kryesor gjatë këtij viti?

Enver Hoxhaj: Ne kemi hartuar një plan konkret, të matshëm dhe të krahasueshëm të punës, i cili ka një pjesë operative për implementimin sa më të shpejtë. Gjatë këtij viti do të aplikojmë në një numër të madh organizatash me karakter rajonal, evropian dhe botëror. Republika e Kosovës është njohur deri tani nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të OKB-së. Ka dhe shumë vende, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën por kanë vullnet dhe gatishmëri që ta mbështesin anëtarësimin e saj në organizata dhe institucione të ndryshme. Vendimet se në cilën organizatë do të aplikojmë kanë të bëjnë me koordinimin që kemi me miqtë tanë amerikanë dhe evropianë, me afatet kohore si dhe me numrin e votave që na duhet për anëtarësim. Në këtë drejtim ende nuk jam në gjendje të jap një listë të emrave, por mund të them se multilateralizmi dhe anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Jashtme.

DW: Zoti ministër, a mund të pritet eventualisht ndonjë lëvizje serioze apo madje dhe kërkesa për anëtarësim të Kosovësn në OKB gjatë këtij viti?

Enver Hoxhaj: Ne mendojmë se ekzistojnë dy procese vendimtare, kur bëhet fjalë për anëtarësimin e ardhshëm të Republikës së Kosovës në OKB. Së pari, procesi i pandalshëm i njohjeve të Kosovës që po ndodh. Dhe së dyti, dialogu mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, i cili do të duhej të përcillej edhe me kërkesën tonë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Një proces të mirëfilltë dhe të plotë të normalizimit të relacioneve mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë vetëm atëherë kur Serbia e toleron apo e pranon në heshjte anëtarësimin e Kosovës në OKB, nëse në këtë fazë nuk është e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosvoës dhe të vendos raporte diplomatike. Vetëm atëherë mund të flitet për normalizimin e plotë të rapoteve mes dy shteteve të pavarura dhe sovrane.

DW: Zoti ministër, Gjermania ka luajtur dhe po luan një rol të rëndësishëm në këtë proces. Si e shihni Ju rolin e Berlinit në dialog dhe në afrimin e Kosovës me strutkurat e tjera evropiane?

Enver Hoxhaj: Berlini për ne është një adresë e fuqishme dhe adresa e parë në kuadër të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ne jemi shumë mirënjohës për rolin konstruktiv të Berlinit zyrtar, jo vetëm në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë por edhe në marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe shtetit gjerman si dhe në mbështetjen që Gjermania i ka dhënë agjendës evropiane të Kosovës. Meqë Kosova dhe Serbia synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, kriteret, kërkesat dhe standardet që vendosen në Bruksel, Berlin dhe qendrat e tjera evropiane, janë edhe vendimtare për normalizimin e raporteve mes këtyre dy vendeve.