1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hoxhaj: Misioni i OKB-së në Kosovë - UNMIK pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB

Pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, UNMIK-u duhet të largohet përfundimisht nga Kosova, deklaron për DW shefi i diplomacisë kosovare. Ai flet edhe për rolin e misionit të OSBE-së në zgjedhjet e tre nëntorit.

default

Enver Hoxhaj -ministri i Jashtëm i Kosovës

DW: Zoti Hoxhaj, kohët e fundit në media ka pasur shumë raporte për një sërë “skandalesh” dhe shkelje të shumta nga punonjësit e shërbimit diplomatik të Kosovës. Sa është normale kjo, duke marr parasysh që diplomacia është imazhi i një vendi?

Hoxhaj: Padyshim që diplomacia është imazhi i gjallë i një vendi dhe unë si ministër i jashtëm në atë moment kur jam informuar për paraqitjen e ndonjë sjelljeje jodinjitoze të ndonjë diplomati, kam marr masa në përputhje me ligjet e Kosovës dhe kam vendosur siç ishte rasti me diplomatin në Zagreb, Urtak Hamiti që ta tërheq në Prishtinë. Mendojë që një rast i tillë padyshim që e dëmton imazhin e shtetit të Kosovës, por në të njetën kohë për pjesë të tjera që janë raportuar në mediat kosovare, mendojë se i tejkalojnë fokuset kryesore të asaj se çfarë bën politika e jashtme. Nëse raportohet në gjerësi dhe gjatësi për një shkresë dhe një email të diplomatëve kosovarë dhe krijohet përshtypja e një invencioni që është skandal, unë them se rastet e tilla nuk paraqesin asnjë skandal.

DW: Zoti Hoxhaj, të kthehemi te raportet Kosovë-Serbi. OSBE do të luajë një rol organizativ në një pjesë dhe rol lehtësues në një pjesë tjetër, në zgjedhjet lokale të tre nëntorit. Pse duhet të përfshihet OSBE në këtë proces, kur Kosova është shtet, ka kushtetutën dhe ligjin për zgjedhjet?

Hoxhaj: Pikënisja jonë që të përfshihet OSBE-ja në zgjedhjet lokale sidomos në katër komunat në veri që janë pjesë e integritetit territorial të Kosovës, ka të bëjë me një kontinuitet që kemi pasur në këto katër vitet e fundit në veri të Kosovës. Mund të them që dialogu me Serbinë, marrëveshja ka qenë një ngritje e shtetit të Kosovës në arenën evropiane dhe ndërkombëtare. Nuk ka pasur asnjë zhvillim në këto pesë vite të pavarësisë sikurse dialogu, kur ne kemi dëshmuar pjekuri politike dhe ku kemi ushtruar fuqishëm sovranitetin e shtetit të Kosovës, ndërsa në marrëveshjen që kemi arritur me Serbinë me 19 prill, parashihet që OSBE-ja të ketë një rol lehtësues të organizimit të zgjedhjeve vetëm në komunat në veri të Kosovës. Mendojë se kjo është në interes të shtetit të Kosovës, ndërsa mandati i OSBE-së do të jetë në përputhje në kushtetutën e Kosovës, me ligjet e Kosovës. Ne do të jemi dëshmitarë që nëntori i vitit 2013, do të mbetet si ndër pikat me kthesë me të rëndësishme e me vendimtare sa i takon shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri.

Serbët e veriut të Kosovës, me gjithë thirrjet e Prishtinës Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare, vazhdimisht potencojnë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të tre nentorit. Në këtë rast, a mund të dështojë e gjithë marrëveshja Kosovë-Serbi?

Enver Hoxha Kosovo Interview DW Außenminister

Enver Hoxhaj në bisedë me korrespondentin e DW në Prishtinë, Bekim Shehu

Sipas informatave që unë kam edhe në kontaktet e mia ditore edhe me diplomatë të pranishëm në Prishtinë, ka një lloj ndryshimi të paradigmës të të menduarit në veri sa i përket Kosovës. Arritja e marrëveshjes së 19 prillit është jo vetëm ndryshim i paradigmës së relacioneve Kosovë-Serbi, por në të njetën kohë ka krijuar një përceptim të ri te qytetarët në veri tek ajo pjesë e serbëve të cilët nuk ishin pjesë e jetës sonë publike në këto 13 vjetet e fundit. Për ta është shansi i fundit i mirëfilltë që përmes zgjedhjeve, përmes pjesëmarrjes demokratike në një proces zgjedhorë t'i zgjedhin kryetarët e komunave dhe ta përmirësojmë jetën. Unë jam më se i sigurt që komuniteti serb në veri do të marr pjesë në zgjedhje dhe pjesëmarrja e tyre do të ketë një numër të konsiderueshëm njerëzish në mënyrë që procesi zgjedhor të definohet demokratik dh tre nëntori të jetë një datë e veçantë ku për herë të parë serbët e veriut do të jenë pjesë e jetës së përbashkët politike dhe publike të Republikës së Kosovës.

Dialogu me Serbinë është thënë se ka një qëllim, integrimin më të lehtë të Kosovës në strukturat e Bashkimit Evropian meqenëse ky dialog po ndërmjetësohet nga baronesha Ashton. Megjithatë, pesë vende të BE-së vazhdojnë të mos e njohin pavararësinë e Kosovës. Ka të paktën një qasje më ndryshe në raport me Kosovën të këtyre pesë vendeve pas dialogut që po zhvillohet me Serbinë?

Padyshim që ka një ndryshim shumë me pozitiv se sa në të kaluarën. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas pikëpamjes sonë si qeveri ka pasur tri qëllime. E para ka qenë normalizimi i situatës në veri të vendit përmes integrimit të komunitetit serb që jeton në veri të Kosovës. Së dyti ka qenë normalizimi i relacioneve Kosovë-Serbi si dy shtete të pavarura dhe qëllimi i tretë ka qenë se si edhe Kosova ta normalizojë relacionin e saj me institucionet e Bashkimit Evropian. Fakti që pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka përbërë një sfidë për Kosovën dhe politikën e jashtme të saj, mirëpo, pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë me 19 prill, padyshim që ka edhe një situatë të re që edhe këto pesë vende e lexojnë dhe e kuptojnë shtetin e Kosovës. Kjo u dëshmua nga shefat e shteteve anëtare të BE-së që dhanë dritën e gjelbër që Kosova të nisë negociata për marrëveshjen e stabilizim asocimit MSA.

Kur jemi te këto pesë vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, njëra nga ato është edhe Rumania e cila vazhdon të mbajë kontakte të rregullta me zyrtarët e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, mision ky që nga qeveria e Kosovës llogaritet si një mision i përfunduar. Madje shefi i misionit të UNMIK-ut në Kosovë disa javë më parë ishte në Rumani në një vizitë?

Kur jemi te këto pesë vende që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet ta themi qartë se janë arsyet e brendshme e jo arsyet e politikës së jashtme se pse këto pesë vende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, mirëpo, këto pesë vende nuk janë një bllok kundër pavarësisë por nga vendi në vend ndryshon edhe qasja sa i përket shtetit të Kosovës. Unë kam takuar disa herë ministrin e jashtëm të Rumanisë dhe kemi pasur një komunikim shumë të mirë, ndërsa sa i takon vizitës së shefit të UNMIK-ut në Rumani dhe takimit të tij me ministrin e jashtëm rumun, mund të them se kjo vizitë ka qenë e panevojshme jo e domosdoshme dhe ka qenë kundër interesit shtetërorë të Kosovës. Sipas mendimit tim, ne duhet të fillojmë një debat të ri në Kosovë sa i takon rolit që duhet ta ketë UNMIK-u në Kosovë. Unë jam i bindur që roli që ka pasur UNMIK-u në Kosovë nga qeshori i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2007 mund të cilësohet si ndër misionet më të sukseshme që ka pasur OKB-ja në të gjitha misionet nëpër botë, meqenëse, UNMIK-u ka qenë në kuadër të një organizate ombrellë në kuadër të së cilës janë krijuar parakushtet dhe ka lindur shteti i Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka pasur zhvillime të mëdha të rëndësishme që mua më bën të mendojë që UNMIK-u duhet ta përfundojë misionin e tij përfundimisht në Kosovë. Së pari ne kemi pasur jetësimin e planit të Marti Ahtisarit dhe largimin e ICO-së vitin e shkuar, së dyti janë 100 shtete që e kanë njohur Republikën e Kosovën dhe së treti Kosova është anëtarësuar në organizata të mëdha financiare dhe së katërti ne kemi pasur një dialog me Serbinë dhe një marrëveshje me Serbinë përmes së cilës marrëveshje Serbia e njeh sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe së pesti ne së shpejti do të fillojmë si shtet sovran dhe i pavarur negociatat me Bashkimin Evropian për marrëveshjen e stabilizim asociimit. Pra të gjitha këto zhvillime mua më bëjnë të mendojë se UNMIK-u duhet ta përfundojë misionin në Kosovë që është totalisht i panevojshëm i padomosdoshëm dhe se UNMIK-u duhet vetëm ta ndihmojë Kosovën që të anëtarësohet në OKB, sepse aspirata jonë e fundit si shtet është anëtarësimi në OKB. Pas anëtarësimit të Kosovës në OKB, zyrat e UNMIK-ut mund të shndërrohen në zyre të OKB-së në Kosovë, sikurse ka ndodhur në disa vende. Mendoj që është koha e fundit që anëtarët e KS-it dhe anëtarët e tjera të OKB-së të kontribuojnë në përfundimin e madatit të UNMIK-ut.

Zoti Hoxhaj, nëse ju kuptova drejt, mospërfundimi i mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, është pengëse për anëtarësimin e Kosovës në OKB?

Padyshim që prania e UNMIK-ut në Kosovë dhe aktivitet e tij pa një mandat, “sepse UNMIK-u për mendimin tim e ka përmbushur mandatin të cilin e ka pasur deri në dhjetor të vitit 2007”, paraqesin pengesë për anëtarësimin e Kosovës në OKB, prandaj ftesa ime është që UNMIK-u të shndërrohet në partner se si Kosova të anëtarësohet në OKB dhe KS-it dhe institucionet e tjera relevante të mendojnë se si atë buxhet që UNMIK-u e perdor në Kosovë ta perdori për vendet e tjera në botë, qoftë në Afrikë apo Azi ku ka domosdoshmëri për ndonjë prani të ndonjë misioni të OKB-së. Më së paku UNMIK-u ka një mandat, një mision dhe një rol në shtetin e pavarur të Kosovës në vitin 2013.

Intervistoi: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Kelmendi