1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hoxhaj: Fati ynë është në duart tona

Kosova është e gatshme për bisedime me Serbinë si dy shtete sovrane. Kjo duhet të jetë në funksion të integrimeve evropiane, pohon ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj.

DW: Zoti ministër, Kosova tani ka marrë përgjegjësitë për zhvillimet në vend. Çfarë ka ndryshuar me këtë vendim?

Enver Hoxhaj: Pa dyshim që 10 shtatori është një ditë historike për vendin tonë. Institucionet tona do të kenë përgjegjësi të plotë. Sovraniteti është kompletuar. Kosova më nuk do të ketë mbikqyrje. Roli dhe misioni i Zyrës Ndërkombëtare ka qenë politik, ndërsa misionet tjera janë të natyrës teknike. Prandaj kjo ditë do të jetë ditë e veçantë në historinë e Kosovës. Tani fati është në duart e qytetarëve dhe elitës sonë politike.

Ju e përmendët që institucionet vendore do të marrin përgjegjësinë, ndërkohë që problemet janë të mëdha. Kritikët tuaj flasin jo vetëm për problemin e veriut por edhe kriminalitetin e organizuar, korrupsionin, gjendjen shumë të rëndë ekonomike, papunësinë… është qeveria e gatshme të përballet me këto sfida dhe t'i tejkalojë ato?

Enver Hoxhaj: Sa i takon situatës në tri komunat e veriut të Kosovës, ne duam të kemi një dialog të brendshëm me qytetarët tanë. Kryeministri Thaçi e ka bërë të qartë disa herë se ne kemi një plan të detajshëm, që ka për synim integrimin e komunitetit serb, që jeton në atë pjesë të Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e vendit. Ato që janë zbatuar me rastin e themelimit të gjashtë komunave në jug, duhet të zbatohen edhe në verit të vendit. Sa i përket krimit të organizuar, korrupsionit apo përmirësimit të gjendjes ekonomike, këto mbeten prioritetet kryesore sepse janë edhe pjesë shumë e rëndësishme e agjendës së integrimeve evropiane. Ndërkohë që fokusi jonë kryesor është integrimi në BE.

Zoti ministër, pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet. Çfarë do të bëni Ju për zgjidhjen e këtij problemi?

Enver Hoxhaj: Ditët e heqjes së mbikqyrjes së pavarësisë do të mbahen në mend edhe për qasjen shumë aktive dhe të prerë të komisionerit për zgjerimin e BE, Stefan Füle. Ai e tha qartë në Prishtinë se Kosova do të anëtarësohet në BE. Sa i përket pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, ato kanë pasur shkaqet e tyre pse nuk e kanë njohur vendin tonë. Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë eliminuar të gjitha shkaqet që ato të hezitojnë. Tani kanë një qasje më fleksibël, më të hapur dhe këto vende nuk paraqesin ndonjë grup kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër qytetarëve të Kosovës. Në dhjetor të vitit të kaluar dhe në mars të këtij viti, të gjitha ato kanë mbështetur agjendën e Këshillit Evropian për ingrimet evropiane të Kosovës. Ato kanë mbështetur fillimin e procesit për liberalizimin e vizave dhe fillimin e studimit të fizibilitetit, që duhet të përfundojë me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit.

Gjermania edhe këto ditë dëshmoi se është në përkrahje të Kosovës. Si i vlerësoni Ju raportet me Berlinin zyrtar?

Enver Hoxhaj: Ne i jemi shumë mirënjohës shtetit dhe popullit gjerman, për mbështetjen që na kanë dhënë. Jo vetëm në këto pesë vitet e fundit të pavarësisë, por edhe më parë Gjermania ka luajtur një rol historik për Kosovën. Ajo ka mbështetur Kosovën pas luftës dhe gjatë luftës, por edhe në 50 vitet e mëparshme, duke pranuar shumë qytetarë tanë të cilët ende jetojnë në këtë vend mik. Ne kemi raporte të shkëlqyera bilaterale me Gjermaninë, si në aspektin diplomatik ashtu edhe ekonomik e kulturor. Ndërsa në dy vitet e fundit roli i Berlinit në proceset integruese evropiane ka qenë vendimtar për Kosovën. Ne e shohim Berlinin si një adresë shumë të fuqishme për Kosovën.

Enver Hoxhaj gjatë intervistës dhënë Bahri Canit ( Prishtinë - 13.09.2012)

Enver Hoxhaj gjatë intervistës dhënë Bahri Canit ( Prishtinë - 13.09.2012)

Me përfaqësuesit e Gjermanisë Ju keni nënshkruar sot edhe një marrëveshje për bashkëpunim. Për çfarë marrëveshje është fjala?

Enver Hoxhaj: Kjo është një marrëeshje kornizë e bashkëpunimit të ndërsjellë kulturor mes vendeve tona. Për këtë marrëveshje është punuar shumë gjatë dhe ajo parashikon një bashkëpunim për njohjen më të mirë të kulturave të këtyre dy vendeve. Marrëveshja parashikon bashkëpunim në arsim, shkëmbime akademike, bashkëpunim në fushën e mediave, filmit, sportit, rinisë, gërmimeve arkeologjike dhe ruajtjen e dorëshkrimeve të rëndësishme historike, që mund të gjenden në këto dy vende.

Zoti ministër, kohët e fundit po flitet shumë për mundësinë e takimeve të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë. Jeni ju të gatshëm për këto takime dhe çfarë prisni nga ky dialog?

Enver Hoxhaj: Ne kemi përsëritur kohët e fundit se jemi të gatshëm t'i normalizojmë raportet me Republikën e Serbisë. Ne duam raporte normale me Serbinë sikur që kemi me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Kushti i parë në këtë rrugë është largimi i strukturave ilegale serbe nga tri komunat në veri të Kosovës. Fjala është për grupe ilegale policore dhe paramilitare të cilat financohen, kontrollohen dhe udhëhiqen nga Beogradi. Kuptohet që qëllimi final i procesit të normalizimit është njohja finale e Kosovës nga Serbia. Ky është një proces, por Serbia duhet të kuptojë se pa normalizimin e raporteve me Kosovën nuk mund të shkojë përparë në procesin e integrimit evropian. Asnjë vend nuk mund të anëtarësohet në BE pa normalizimin e raporteve me vendet fqinje. Përgjegjësinë për konfliktet dhe raportet e tendosura mes Kosovës dhe Serbisë i ka Beogradi. Agjenda e Serbisë karshi Kosovës nuk ka ndryshuar as pas luftës së vitit 1999.

Zoti ministër, presidenti i Serbisë është Tomisllav Nikoliq, ndërsa kryeministër Ivica Daciq. Pra dy persona të cilët kanë qenë në pushtet edhe në kohën e luftës së Kosovës. Pra edhe një herë: a jeni të gatshëm të takoheni me këta politikanë të cilët shumëkush në Kosovë i trajton bashkëfajtorë për luftën?

Enver Hoxhaj: Zgjedhja e tyre në pozitat kyçe të shtetit serb është një përgjegjësi direkte e qytetarëve të Serbisë. Mendoj se ata duhet ta shtrojnë pyetjen se çfarë do të thotë rikthimi i politikanëve promillosheviqian në pushtet. Ne jemi të gatshëm që si përfaqësues të shtetit sovran dhe të pavarur të takohemi dhe të bisedojmë me secilin, për çështjet që janë në interes të vendeve tona - pavarësisht që personat e tillë bartin me vete një të kaluar të rëndë. Por kuptohet që pavarësia, sovraniteti, integriteti territorial dhe rregullimi i brendshëm i Kosovës janë çështje të mbyllura. Kosova ëshë një fakt gjeopolitik në Ballkan dhe gjithmonë do të jetë pjesë e pejsazhit të vendeve të lira dhe demokratike. Por ne duhet të kemi një proces të takimeve mes presidentëve dhe kryeministrave me qëllim që vendet tona të lëvizin drejt një të ardhme evropiane.