1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hoxhaj: Çështja e kufijve në Ballkan është një çështje e mbyllur. Kufijtë janë stabil dhe të pandryshueshëm

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj: Fokusi i bisedimeve në Berlin ishte forcimi i marrëdhënieve bilaterale në fushën politike, ekonomike, tregti, arsim e shkencë...

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj

Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj

DW: Zoti Hoxhaj, Ju sapo përfunduat takimin tuaj të parë si ministër i Punëve të Jashme me homologun tuaj gjerman, Guido Westerwelle. Për çfarë u bisedua në takim?

Hoxhaj: Në fokusin kryesor ishte forcimi i marrëdhënieve bilaterale në fushën politike, ekonomike, tregti, arsim e shkencë. Pati një shkëmbim notash verbale me rreth 14 marrëveshje të reja, të cilat do t'i mundësojnë çdo qytetari a institucioni në Gjermani e Kosovë që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë për aktivitete të ndryshme. Fokusi i dytë ka qenë fillimi i procesit të dialogut për viza dhe vendosja e një marrëdhënie kontraktuese mes Brukselit dhe Prishtinës dhe fokusi i tretë ka qenë që ne kemi kërkuar nga shteti gjerman të na mbështesë qoftë në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, në rritjen e numrit të njohjeve, apo edhe në anëtarësimin e Kosovës në institucionet relevante politiko-ekonomike dhe financiare.

DW: Qëndrimi i Gjermanisë duket paksa i rezervuar sa i përket liberalizimit të vizave. Cila ishte përshtypja juaj?

Hoxhaj: Ne e kuptojmë debatin brenda jetës politike në Gjermani, i ngjashëm është debati edhe në vende të tjera të BE-së. Ato reflektojnë mendimin e opinionit publik, por mendojmë se është e rëndësishme që të fillojë procesi i dialogut për liberalizimin e vizave. Nuk kërkojmë që qytetarët të fillojnë të lëvizin pa viza që këtë vit, por që të paktën këtë vit të fillojë procesi, sepse mendojmë, se e kemi të drejtën që ta marrim sa më shpejt udhërrëfyesin për vizat. Ideja ka qenë që t'ju sqarohet partnerëve tanë gjermanë se si Republika e Kosovës është vendi i vetëm në rajon ku qytetarët nuk mund të lëvizin pa viza dhe që për ne është shumë kyç që procesi dhe dialogu për liberalizimin e vizave të fillojë e që Kosova ta marrë edhe udhërrëfyesin. Shpresojmë që një proces i tillë do të mbështetet edhe nga Komisioni Evropian meqë edhe presidenti Barroso gjatë vizitës së tij në Prishtinë pat mesazhe pozitive sa i përket perspektivës së liberalizimit të vizave.

DW: Dy ditë më parë ju miratuat strategjinë e re për njohjet e Kosovës. Çfarë roli është paraparë aty për Gjermaninë?

Hoxhaj: Padyshim që shumë njohje që i kanë ndodhur Kosovës janë edhe njohje, të cilat kanë ndodhë për shkak të asaj që shumë shtete që janë edhe mbështetëse të pavarësisë së Kosovës kanë ndihmuar që të ndodhin njohje të tilla. Strategjia përbëhet prej tri pjesëve. Pjesa e I është një plan i përgjithshëm që analizon gjendjen aktuale në fushën e njohjeve, pengesat, sfidat, ndërsa plani operacional dhe plani i veprimit përfshin edhe shumë aktorë shtetërorë të tjerë, të cilët na kanë ndihmuar dhe do të na ndihmojnë tash në fushën e njohjeve.

DW: Megjithatë ju keni vendosur të mos i bëni publike hapat konkrete. Cila është arsyeja?

Hoxhaj: Politika e jashtme funksionon edhe në bazë konfidencialiteti. Unë si ministër i Punëve të Jashtme jam i interesuar që mbi të gjitha të prezantoj interesat shtetërore të Republikës së Kosovës dhe me këto interesa shtetërore tona ndërlidhen edhe shtetet që e kanë mbështetur Kosovën dhe miqtë tanë. Kemi bashkëpunim të ngushtë me të gjitha qendrat e vendosjes që e kanë mbështetur pavarësinë e Kosovës, mirëpo kush, në cilën pjesë neve na mbështet dhe në çfarë forme ne marrim kontaktet e para me vende që se kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, qoftë në mënyrë direkte, qoftë nëpërmjet vendeve të treta, këto janë çështje të natyrës tekniko-operacionale e mbesin konfidenciale. Ato janë pjesë e një plani të gjallë e që ndryshon e mund të ketë përmirësime nga java në javë.

DW: Kohët e fundit presidenti Tadiç është shprehur se qëllimi afatgjat i politikanëve shqiptarë është «Shqipëria e Madhe». Sa të vërtetë ka këtu brenda?

Hoxhaj: Për ne deklarime të tilla përshkruajnë situata që nuk përkojnë me realitetin e janë të pavërteta. Republika e Kosovës do të jetojë përherë: Ne kemi kaluar një proces të gjatë e të dhimbshëm të pavarësisë e lirisë sonë, prandaj edhe për ne është shumë kyç që të punojmë ta përmirësojmë jetën direkte të njerëzve dhe asnjë plan i kësaj natyre nuk e ka mbështetjen e Prishtinës dhe diçka e tillë nuk e ka mbështetjen as në Tiranë.

DW: Cilat janë argumentet që flasin kundër një marrëveshjeje me Serbinë duke shkëmbyer territore?

Hoxhaj: Çështja e kufijve në Ballkan është një çështje e mbyllur. Kufijtë janë stabil dhe të pandryshueshëm. Kosova nuk është asgjë tjetër veçse shteti i shtatë që ka lind në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Çdo ide për ndryshim kufijsh, territoresh, krijime shtetesh etnike e projekte të mëdha nacionaliste janë të rrezikshme dhe të papranueshme e që asnjëherë nuk do të pranohen nga qytetarët e Kosovës. Serbia nuk duhet ta kërkojë fatin e saj jashtë kufijve të saj, por brenda kufijve e territorit të vet.

DW: Dhe së fundi, Ju (09.06.2011) asistuat në seancën parlamentare për zgjatjen e mandatit të pranisë ushtarake të gjermanëve në Kosovë. Si e përjetuat këtë ngjarje?

Hoxhaj: Më la shumë mbresë sidomos qëndrimi i deputetëve gjermanë për mbështetjen e Republikës së Kosovës. Kjo tregon që mbështetja gjermane ndaj Kosovës është mbështetje jo vetëm e qeverisë, por edhe e popullit gjerman.

Intervistoi: Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora