1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hotspot-et në fund të shkurtit në funksionim

Panagiotis Kouparanis20 Janar 2016

Politika e refugjatëve e Angela Merkelit vuan aktualisht edhe nga mungesa e kampeve të pranimit në kufijtë e jashtëm të BE. Në Greqi puna tani do të ecë më shpejt, thotë ministri grek për refugjatët në bisedë me DW.

https://p.dw.com/p/1Hg8P
Giannis Mouzalas në studion e DW
Giannis Mouzalas në studion e DWFotografi: DW/P. Kouparanis

Pas Marrëveshjes së Dublinit për rregullimin e çështjes së refugjatëve në BE, Greqia ishte përgjegjëse për pranimin e 800.000 vetëve, që erdhën në vend në vitin 2015. Fakti që kjo nuk po ndodh më dhe refugjatët vazhdojnë rrugën për në Evropën Perëndimore dhe Veriore, tregon, thotë Giannis Mouzalas se Dublini nuk vlen më. Greqia është bërë tanimë një "vend tranzit" për refugjatët dhe migrantët - megjithatë jo për të gjithë, thotë ministri grek përgjegjës për politikën e migracionit në bisedë me DW.

Situatën ai e përshkruan të tillë: në një lloj "domino kufijsh çdo shtet i hap dhe i mbyll kufijtë përgjatë itinerarit të refugjatëve, në përputhje me atë si i përshtatet politikës së tij nacionale". Njerëz nga Siria, Afganistani dhe Eritrea pranohen si refugjatë dhe lejohet ta kalojnë kufirin. Të tjerë konsiderohen migrantë legalë dhe mbeten në Greqi. Këtu ata kanë dy mundësi legale: ose ata aplikojnë për azil dhe hyjnë në të ashtuquajtur kampe dëbimi. Megjithatë dëbime në atdhe thuajse nuk ndodhin, sepse për shembull një sërë vendesh si Pakistani refuzojnë t'i ripranojnë shtetasit e tyre.

Kritika ndaj Turqisë

Një pozicion kyç në përballimin e krizës së refugjatëve Mouzalas i jep Turqisë. Ofertën e Brukselit për t'i dhënë Turqisë tre miliardë dollarë për përballimin e numrit të madh të refugjatëve, si dhe gatishmërinë që një sërë shteteve të BE për të pranuar direkt nga kampet e refugjatëve në Turqi 400.000 vetë, ai e quan "bujare".

Por masat e dakorduara në këmbim me Turqinë, që ajo t'i vendosë pritë vërshimit të refugjatëve, deri tani thuajse nuk po tregojnë rezultat. As metoda e trafikantëve nuk luftohet me vendosmëri në Turqi, as po bëhen kthime refugjatësh që ia vlen t'i përmendësh. Që prej fillimit të këtij viti, nga Greqia në Turqi janë ekstraduar 130 migrantë ilegalë. Në të njëjtën periudhë kohe, prej atje në Greqi kanë ardhur 30.000 refugjatë ilegalë - megjithë të ftohtin e akullt dhe erërat e forta në Egje.

Giannis Mouzalas premton efikasitet
Giannis Mouzalas premton efikasitetFotografi: DW/P. Kouparanis

Hotspot do të përfundojnë së ndërtuari shpejt

Por edhe Greqia nuk i ka plotësuar të gjitha detyrimet e saj në të gjitha pikat, pranon ministri. Kështu ka pasur vonesa në ndërtimin e pesë hotspoteve: të kampeve të pranimit në ishujt grekë, të cilët do të shërbenin për t'i regjistruar migrantët që vinin dhe për t'i strehuar ata deri në përcjellje për në vendet e tjera të BE. Por sipas tij nuk ishte as e lehtë, që kampet ekzistuese të refugjatëve me 4000 refugjatë dhe me hyrje e dalje të dendura të shndërrohen menjëherë në hotspots. Por janë bërë megjithatë hapa përpara.

Në një kohë kur hotspot-i në ishullin Lesbos funksionon plotësisht, te katër të tjerët të paktën janë përmbushur kriteret policore. Kjo do të thotë: refugjatët regjistrohen, gjurmët e gishtave të tyre merren me aparate Eurodac. Javët e ardhshme do të ngrihen edhe vendet e strehimit që mungojnë, bëri të ditur ministri Mouzalas, në mënyrë që deri në fund të shkurtit të gjithë të funksionojnë në kapacitet të plotë.

Lëvdata për kancelaren

Mouzalas i kundërshton raportet, se Greqia e ka refuzuar bashkëpunimin me agjencinë evropiane të kufirit, Frontex. E kundërta është e vërtetë, thotë ai. BE Greqia i kërkoi zyrtarisht 1800 oficerë të Frontex-it, por deri tani kanë vajtur vetëm 900 vetë. Nga anijat e kërkuara të Frontexit, vetëm një e treta e tyre qarkullon në Egje.

Gati me entuziazëm e lëvdon Giannis Mouzalas qëndrimin e qeverisë gjermane në çështjen e refugjatëve, kjo vlen veçanërisht për kancelaren. "Politika e zonjës Merkel", thotë ai, "ecën në rrugën e iluminizmit". Ajo ka një qëndrim të kundërt "me një politikë tjetër, e cila synon ta katapultojë Evropën pas në Mesjetë". Ai e vlerëson lart kancelaren gjermane, që ka dhënë një kontribut vendimtar që vërshimi e refugjatëve për në Evropë "të kryhet pa shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit të njeriut dhe që edhe siguria publike të mos prishej."