1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Horzetzky: 'Besueshmëria - formula magjike për investime' në Shqipëri

Sekretari i shtetit në ministrinë e Ekonomisë të Renanisë Veriore-Vestfalisë, Günther Horzetzky, vlerëson pozitivisht shanset për investime në Shqipëri. Ai u takua me ministrin e Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

DW: Dje (25.02.15) ambasada e Shqipërisë në Berlin, konsullata e nderit e Shqiperisë në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë, në bashkëpunim me ministrinë e Ekonomisë të landit organizuan një takim për investimet në Shqipëri. Ju pritët ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili promovoi mundësitë ekonomike të Shqipërisë dhe ftoi investorët për të bashkëpunuar. Cili është vlerësimi juaj për shanset e bashkëpunimit ekonomik?

Horzetzky: Shanset i vleresojmë si shumë pozitive. Ne u takuam dhe këtë nuk do ta kishim bërë, sikur të mos kishim patur shpresë. Besoj se ka mundësi të shumta për t'i përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme marrëdhëniet ekonomike mes Shqipërisë dhe landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë. Vetëm për të sjellë një krahasim, ndërmjet Shqipërisë dhe landit të Renanisë Veriore-Vestfalisë. kemi një vëllim tregtar prej 33 milionë eurosh në vit. Produkti i brendshëm bruto i landit Renani Veriore-Vestfali është rreth 600 miliardë euro. Mes këtyre dy shifrave ka mjaft hapësirë për të përmirësuar marrëdhëniet bilaterale.

DW: Në fund të marsit ju do të shkoni për herë të parë në Tiranë me sipërmarrës dhe përfaqësues të institucioneve të landit Renani Veriore-Vestfali . Bashkëpunimi i deritanishëm fokusohej më shumë në projekte të mbështetura nga shteti. A mendoni se ky udhëtim do të sjellë impulse të reja për zgjerimin e bashkëpunimit?

Horzetzky: Sigurisht që po. Fillimisht na nevojitet pak njohje me njëri-tjetrin, që ishte sot takimi i parë me zotin ministër. Në mars do t'i vazhdojmë takimet e filluara sot dhe me siguri që do t‘i intensifikojmë ato, si dhe do të eksplorojmë mundësitë për investimet e sipërmarrjet tona, dhe në rastin më të mirë të intensifikojmë edhe tregtinë. Siç e përmendi ministri Ahmetaj, nëse Shqipëria do të kishte një rritje vjetore 6 përqind dhe Bashkimi Evropian vetëm 1 përqind, Shqipërisë i nevojiten 22 vjet për të arritur nivelin mesatar të BE, domethënë ka mjaft hapësirë për të punuar.

DW: Cili është vlerësimi juaj për klimën e investimeve në Shqipëri dhe për premisat ligjore? Çfarë kushtesh janë sipas mendimit tuaj të domosdoshme, me qëllim së sipërmarrjet nga landi Renani Veriore-Vestfali të angazhohen atje?

Ambasadori i Shqipërisë në Berlin Kuko, sekretari i shtetit Horzetzky dhe konsullja e nderit e Shqipërisë në NRW Stephan me ministrin Ahmetaj.

Ambasadori i Shqipërisë në Berlin Kuko, sekretari i shtetit Horzetzky dhe konsullja e nderit e Shqipërisë në NRW Stephan me ministrin Ahmetaj.

Horzetzky: Të gjitha sipërmarrjet në mbarë botën kanë nevojë në radhë të parë për kushte sigurie për investime. Besueshmëria është formula magjike, me të cilën mund t'i bindësh me të vërtetë sipërmarrjet për të investuar. Në këtë drejtim ka ndoshta akoma për të bërë në Shqipëri. Neve na nevojiten ligje korrekte, një ligj i arsyeshëm për tatimet dhe një drejtësi e sigurtë. Kur të jenë krijuar kushtet e tilla, atëherë përmirësohet klima për sipërmarrjet dhe atëherë edhe ne do të investojmë.

DW: Cilët sektorë të ekonomisë shqiptare paraqesin më shumë interes për sipërmarrjet e landit Renani Veriore-Vestfali?

Horzetzky: Ne kemi ndërkohë interes te madh në sektorët e energjisë, lëndëve minerare, turizmit, shërbimeve, si dhe të prodhimeve ushqimore. Ministri përmendi për shembull edhe pjesën e agrobiznesit. Ka interes në të gjithë sektorët, pastaj duhet parë, nëse arrijmë me të vërtetë në biznes në marrëdhënie bashkëpunimi.

DW: Cila është përvoja e sipërmarrjeve gjermane, që kanë investuar ndërkohë në Shqipëri, me klimën e biznesit në vend?

Horzetzky: Tashmë në Shqipëri janë aktive kompani të mëdha nga landi Renani Veriore-Vestfali, që nga Hochtief një sipërmarrje ndërtimi, pastaj prodhuesi i energjisë Eon, sipërmarrja spedicionare DHL dhe Telekomi Gjerman. Këto janë të gjitha sipërmarrje, që janë të pranishme, ato nuk janë larguar nga Shqipëria, vazhdojnë të jenë aktive dhe kjo është një shenjë, që atyre u pëlqen të bëjnë biznese atje dhe besoj se edhe ndërmjarrjet e vogla dhe të mesme mund të marrin shembull për të kërkuar dhe zbuluar shanset për vete atje.

Intervistën e zhvilloi Angjelina Verbica