1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Horst Seehofer takohet me Edi Ramën

Shqipëria duhet të forcojë masat për frenimin e azilkërkuesve. Kryeministri i Bavarisë shpreh para takimit me kryeministrin e Shqipërisë gatishmërinë e Bavarisë për ta këshilluar Shqipërinë në arsimin profesional dual.

Kryeministri i Bavarisë, Horst Seehofer takohet sot me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për një bisedë politike në Kancelarinë e shtetit. Kryeministri Seehofer do të ndalet në bisedë, përveç marrëdhënieve bilaterale, edhe në numrin e azilkërkuesve nga Shqipëria, që vazhdon të jetë i lartë.

„Shqipëria ndodhet si vend burim i azilkërkuesve edhe më tej shumë në krye (të vendeve të tjera). Por kuotat e pranimit të kërkesave për azil janë praktikisht zero. Njerëz që vijnë nga Shqipëria në Gjermani nuk kërkojnë mbrojtje nga përndjekja politike, por e bëjnë këtë për shkaqe ekonomike. Numri i madh i shqiptarëve, që vijnë aktualisht në Gjermani, nuk është as në interesin e Shqipërisë, as në interesin tonë. Njerëzit këtu vërtet tregojnë mirëkuptim për refugjatë nga vende si Siria, të cilëve kanë nevojë për mbrojtje dhe strehë këtu, por jo për (refugjatë) nga Ballkani, ku nuk ka shkaqe të tilla për ikje nga vendi", u shpreh Kryeministri Seehofer.

Kryeministri Seehofer do t'i sqarojë homologut të tij praktikën e institucioneve të posaçme të pranimit dhe të kthimit në Ingolstadt/Manching dhe së shpejti edhe në Bamberg, me të cilat koha e trajtimit të kërkesave për azil dhe procedura e mëtejshme për azilkërkuesit e Ballkanit mund të shkurtohet në pak javë. Ai do të trajtojë edhe kërkesën, që Shqipëria të përfshihet në shtetet e sigurta të origjinës. "Në komisionin e koalicionit ne ramë dakord që Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi t'i shpallim si shtete të sigurta të origjinës dhe duam të zbatojmë shpejt këtë. Edhe Komisioni i BE do ta ndjekë edhe më tej këtë rrugë. Personat që paraqesin lutje për azil dhe vijnë nga shtete të sigurta në tërësi nuk marrin leje pune në Bavari dhe kjo pengon nxitje të mëtejshme."

Kryeministri Seehofer i vlerësoi përpjekjet e deritashme të Shqipërisë dhe të Kryeministrit të saj për t'i sqaruar njerëzit se me kërkesa për azil në Gjermani nuk krijojnë perspektivë qendrimi. "Unë jam padyshim i ndërgjegjshëm që Shqipëria nuk rri duarkryq, kur kaq shumë njerëz largohen nga vendi dhe që vepron kundër kësaj me fushata informimi dhe masa të tjera si kontrolle për dalje nga vendi. Por megjithatë duhen ndërmarrë domosdoshmërisht masa të tjera. Mesazhi duhet të jetë: rruga e azilit nuk krijon perspektivë qëndrimi në Gjermani."

Kryeministri Seehofer nënvizoi që çelësi për kufizimin e valëve të refugjatëve në plan afatgjatë qendron në luftimin e shkaqeve të ikjes nga vendi. Këtu kërkohet edhe ndihmesa e Shqipërisë. BE dhe Shqipëria i japin mbështetje të gjerë Shqipërisë dhe do ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Edhe Bavaria është e gatshme që të japë këtu kontributin e saj dhe do t'i përgjigjet për shembull dëshirës së Shqipërisë për të dhënë mbështetje profesionale dhe këshillim për arsimin dual, por edhe në fusha të tjera. Njëkohësisht nevojitet edhe më tej mbështetje nga aktorët ndërkombëtarë.