1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hongkongu - Porta e Kinës në tregjet globale financiare

Ekspertët janë të një mendjeje: një zgjidhje e dhunshme e konfliktit në Hongkong do të kishte pasoja të rënda ekonomike, edhe për Kinën. Kjo qendër financiare luan për Pekinin një rol kyç në politikën financiare.

Ekonomikisht Hongkongu është numri një dhe madje në gjithë botën. Ky është rregullisht rezultati i "Indeksit të Lirisë Ekonomike" të publikuar nga instituti amerikan Heritage Foundation dhe Well Street Journal. Për të 20 herë radhazi ish kolonia britanike zuri vendin e parë në rang botëror si destinacioni ekonomik me klimën më miqësore të biznesit. Qyteti përfiton ende nga pozicioni i tij i veçantë si fillimi i urës për biznesin me Kinën. Vërtet pesha ekonomike e Hongkongut ka rënë qëkurse ai iu rikthye Kinës dhe për shkak të bumit ekonomik në Republikën Popullore: në vitin e rikthimit 1997 Hongkongu kontribuonte me 16 për qind në Produktin e Brendshëm Bruto të Kinës, ndërsa sot janë vetëm 3 për qind. Por si një "ngrohës uji" financiar Hongkongu vazhdon të jetë "i pazëvendësueshëm" për ekonominë e Republikës Popullore, konstantonte "The Economist" në fund të shtatorit.

Börse in Hongkong

Bursa e Hongkongut

Bursa e Hongkongut është e gjashta nga madhësia në botë dhe e dyta më e madhja në Azi. Veç kësaj zona me administrim të veçantë ekonomik është qendra e dytë më madhe e Private Equity në Azi. Më shumë se 70 nga 100 bankat më të mëdha aktive në botë punojnë në Hongkong dhe rreth dy të tretat e investimeve direkte të huaja në Kinë rrjedhin përmes qendrës nervore financiare të Hongkongut. Edhe vite pas ndërtimit të bursave në Shangai dhe Shenzen, në të cilat merr pjesë edhe bursa e Hongkongut, ai vazhdon të mbetet sheshi më i rëndësishëm ndërkombëtar i tregtisë për aksionet e sipërmarrjeve kineze. Në dhjetor 2013 në bursën e Hongkongut ishin të listuara gjithsej 1643 sipërmarrje, prej të cilave 797 nga pjesa Kina jo ishull. Në llogari të saj shkojnë 60 për qind e kapitalizimit të të gjitha sipërmarrjeve të listuara në bursën Hong Kong Stock Exchange.

Shteti ligjor si faktor

Sipërmarrjet ndërkombëtare e vlerësojnë Hongkongun si qendër të rëndësishme për biznesin me Kinën, jo vetëm për sheshin e tij financiar, por edhe për kornizën e shtetit ligjor dhe pavarësisë së gjykatave në ish koloninë britanike të kurorës. Një ndërhyrje e dhunshme kundër demonstruesve do të kishte pasoja fatale për vendin, mendon Sebastian Heilamnn, shef i institutit të studimeve për Kinën MERICS nga Berlini: "Përfaqësues të elitës ekonomike dhe financiare të Hongkongut nuk dëshirojnë demonstrime të vazhdueshme, pasi ato që tani kanë paralizuar pjesë të jetës ekonomike të Hongkongut. Sipas këndvështrimit të tyre një ndërhyrje ushtarake do të kishte pasoja shkatërrimtare ndaj Hongkongut si shesh ndërkombëtar financiare dhe ekonomik."

Sebastian Heilmann

Sebastian Heilmann

Korniza e shtetit ligjor dhe besueshmëria e administratave të ardhshme në Hongkong do të dëmtoheshin në mënyrë të pakthyeshme, nënvizon Heilmann. "Hongkongu atëherë në praktikën e ardhshme administrative do të vazhdonte të ishte një metropol i rëndësishëm ekonomik, por polikisht "i vënë në linjë" pranë qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, edhe pse do të përshkruhej edhe më tej si "zonë me administrim të veçantë".

Treg për "monedhën e popullit"

Hongkongu luan ende një rol kyç në strategjinë e Pekinit, për ta bërë renminbin, kuptimi i të cilit është "kartmonedhat e popullit" një valutë lidere në mbarë botën. Në shumë hapa renminbi duhet të bëhet një nga monedhat më të rëndësishme të tregtisë, investimeve dhe rezervave. Hongkongu është në këtë kuadër sheshi më i rëndësishëm dhe më i madh i tregtisë për monedhën. 90 për qind e tregtisë së jashtme të zhvilluar në renminbi është kryer në 2013 në Hongkong. Që prej korrikut 2010 bankat atje mund të kryejnë transaksione financiare me renminbin mes tyre, në bursë tregtohen gjithnjë e më shumë obligacionenë monedhën popullore dhe dega e financës zhvillon vazhdimisht produkte të reja financiare, që tregtohen në renminbi.

Shangai apo Singapori si përfitues nga kriza?

Megjithëse Hongkongu është shumë i rëndësishëm për aksesin e Kinës në tregjet ndërkombëtare financiare dhe të valutave, ai nuk ka më një pozicion kyç, të pazëvendësueshëm dhe ekskluziv si para dhjetë vjetësh, mendon eksperti për Kinën, Heilmann. "Nëse tregu financiar Hongkong do të dëmtohej në kontekstin e konflikteve aktuale politike, kjo do ta përshpejtonte në mënyrë të konsiderueshme ngjitjen e Shangait në sheshin më të rëndësishëm ndërkombëtar financiar të Kinës, jo vetëm sepse qeveria kineze do ta synojë këtë por edhe sepse kërkesa kineze dhe ndërkombëtare do të lëviznin në drejtim të Shangait."

Në shtypin financiar spekulohet vazhdimisht se çfarë alternative do të zgjidhnin koncernet ndërkombëtare nëse Pekini zgjedh rrugën e shkallëzimit. Mesa duket ekzistojnë tashmë plane të gatshme të bankave të mëdha ndërkombëtare në Hongkong, për të transferuar një pjesë të biznesit në Singapor. Sebastian Heilmann është skeptik: "Singapori është që tani një treg financiar i rëndësishëm për firmat dhe investitorët kinezë. Në rast të një goditjeje politike të Hongkongut, Singapori do të përfitonte vërtet. Por përfituesi më i rëndësishëm si treg financiar alternativ do të ishte megjithatë në radhë të parë Shangai."

Për ekonominë reale kineze një zgjidhje e dhunshme e konfliktit në Hongkong do të ishte e përballueshme, beson eksperti për Kinën Heilmann: "Nga pikëpamja ekonomike një ndërhyrje ushtarake në Hongkong me disavantazhet e pritshme ekonomike për Kinën në periudhë afatshkurtër do të ishte e përballueshme." Revista "The Economist" ka tjetër opinion: "Do të ishte një gabim i rëndë të mendohej se Hongkongu nuk është më i rëndësishëm për Kinën. Nëse Kina do të bënte diçka që do të rrezikonte raportin e veçantë, vërtet më shumë do të vuante Hongkongu, por edhe Kinës do t'i duhej të paguante një çmim të lartë."