1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Homo balcanicus" - maçoizmi në Ballkan

Njeri muskuloz, i pasur dhe hipermashkullor: këto janë idealet e meshkujve në Ballkan, vlerëson Gabriella Schubert në studimin e saj "Homo balcanicus". Çfarë fshihet pas "maçoizmit" të meshkujve në Ballkan?

Një zinxhir ari në qafë, çelësat e një mercedesi dhe të paktën dy Smartphone. Të gjitha këto gjëra duhen hedhur mbi tavolinë më së miri, ende pa e hapur gojën dhe pa filluar bisedën me zonjën që shoqëron - sepse zonjës menjëherë i duhet treguar se kush është ai. Ky është një prej idealeve të shumë meshkujve në Evropën Juglindore, kur dalin për herë të parë me ndonjë femër.

Femrat gjermane filozofojnë dhe shkruajnë vitet e fundit fejtone në gazeta për sjelljen e burrave në vendin e tyre duke konstatuar se ata shpesh janë tepër të tërhequr, të pavendosur dhe mbase tepër të butë. Ndërsa tek "Homo balcanicus", siç e përshkruan shkencëtarja Gabriella Schubert në studimin e saj, këto probleme nuk ekzistojnë. Karakteristikat e "Homo balcanicus" janë atributet e maçoistëve, pohon profesorja me origjinë nga Hungaria. "Sipas mendimit tim, "Homo balcanicus" është një tip i veçantë i mashkullit, i cili ka dalë nga ndryshimet e fundit në këto vende. Ai rrjedh nga qarqe të ndryshme shpesh të dyshimta, që do të thotë, bëhet fjalë për meshkuj, të cilët kanë shfrytëzuar pasigurinë dhe kaosin e kohës së ndryshimeve për t'u pasuruar", pohon Schubert.

Homo Balcanicus duhet të vazhdojë të mbijetojë ... djemtë më të preferuar se vajzat

"Homo Balcanicus" duhet të vazhdojë të mbijetojë ... djemtë më të preferuar se vajzat

Rrugët (ilegale) të pasurimit

Këto rrugë nuk janë gjithmonë legale. Shumë meshkuj të elitave të reja vijnë nga qarqe gangsterësh, truprojesh apo ithtarë të sporteve luftarake. Ata bartin petka me marka të njohura dhe paraqiten si modernë, ndërkohë që modeli i tyre i femrës i takon të së kaluarës. "Në njërën anë ata shfrytëzojnë teknikën më të re elektronike dhe automjetet më të rinj. Ndërsa në anën tjetër, kultivojnë një qëndrim maçoist, ku u jepet përparësi femrave që u përgjigjen shijes së tyre të seksit", pohon Gabrielle Shubert.

Këtu bëjnë pjesë kryesisht femrat të cilat shikohen si "seks bombë" dhe të cilat sipas dëshirës së „Homo balcanicus“ në veçanti theksojnë dukjen e jashtme. Ky model i femrave është i njohur edhe në vendet perëndimore, por duket se në vendet e Evropës Juglindore femrat janë më shpesh të gatshme që t'u përshtaten kërkesave të meshkujve - si në aspektin e veshjeve ashtu edhe në guzhinë.

Edukimi i gabuar i femrës

Gjyshet dhe nënat kanë ndikuar shumë në edukimin e tyre. Në raportet mes meshkujve dhe femrave në Evropën Juglindore luan një rol shumë të rëndësishëm edhe tradita, apo patriarkati ballkanik. Gabriella Schubert e përshkruan këtë si një rregull social me një strukturë të rreptë. Familjet janë bashkuar në të kaluarën për të mbijetur ekonomikisht kohërat e vështira. Edhe sot ka për shembull në Shqipëri apo në Kosovë ende forma të familjeve të mëdha që funksionojnë sipas këtij modeli. Femrat në këto familje shikohen shpesh vetëm në rolin e nënës - në rastet më ideale si nëna të djemve.

Imazh seksist i Homo Balcanicus për femrën

Imazh seksist i Homo Balcanicus për femrën

"Kur një mashkull nuk ka asnjë djalë shikohet si mangësi, sepse linja e meshkujve duhet të vazhdojë". thotë Gabriella Schubert. Në rolin e saj klasik të nënës, femra në Evropën Juglindore nuk ka përjetuar ndonjë ndryshim tepër të madh pozitiv as në kohërat e socializmit, shpjegon ekspertja nga Jena. Femrat kanë punuar me orarë të plotë edhe në ato kohëra. Ndërsa pas orarit të plotë të punës në ndonjë fabrikë apo zyrë, ato janë detyruar të kryejnë edhe të gjitha punët e shtëpisë. Edukim i fëmijëve në këto vende ende kuptohet vetëm si obligim i femrave - sepse "Homo balcanicus" e ndjen veten si dikush që është përcaktuar për punë më të rëndësishme. Qoftë madje edhe kur pi birrë dhe shikon televizor, përderisa e dashura e tij kujdeset për punët e shtëpisë, lanë dhe pastron.

Nga femra pritet në anën tjetër që të fitojë para, të jetë një grua dhe nënë perfekte në shtëpi, por njëkohësisht të jetë edhe erotike. Por Gabriella Schubert thotë se disa gjëra po ndryshojnë ngadalë. Femrat e reja në Evropën Juglindore po udhëtojnë gjithnjë e më shumë jashtë vendeve të tyre ku njihen edhe me modele të tjera femrash. "Homo balcanicus" në të ardhmen do ta ketë gjithnjë e më vështirë të gjejë partnere sipas dëshirës së tij.

Autor: Alexandra Scherle/Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi