1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Holzner: më shumë siguri furnizimi me gaz për Evropën

Konsorciumi Shah Deniz vendosi të zgjedhë si linjë përçimi të gazit azerbajxhanas, tubacionin TAP. Marlene Holzner, zëdhënëse e komisionerit të BE-së për energjinë, shpjegon për Deutsche Welle-n, avantazhet për Evropën.

DW: Si e vlerësoni vendimin e konsorciumit Shah Deniz, për të sjellë në Evropën Perëndimore gazin azerbajxhanas me anë të linjës TAP (linja trans-adriatike)?

Marlene Holzner: Ne jemi shumë të lumtur që konsorciumi mori vendimin për të sjellë në të ardhmen gaz direkt nga Azerbajxhani në Evropë. Kjo është hera e parë që një gjë e tillë bëhet e mundur për Evropën dhe ne e përshëndesim vendimin që kjo të bëhet përmes linjës TAP. Nga pikëpamja e BE-së është e rëndësishme që krahas partnerëve tanë si Rusia apo Norvegjia, të kemi edhe furnizues të tjerë gazi. Nëse tubacioni i gazit përfundon në Italinë e jugut apo në Baumgarten të Austrisë, kjo nuk luan rol të rëndësishëm për BE-në. E rëndësishme është që të kemi brenda Evropës aq linja përçuese, sa duhen për ta përçuar gazin që vjen direkt nga Azerbajxhani, aty ku nevojitet.

A përmirësohet në këtë mënyrë furnizimi i Evropës me energji?

Prej rreth dhjetë vjetësh ne kemi një strategji diversifikimi. Synimi i saj është që krahas partnerëve ekzistues, nga të cilët marrim aktualisht gaz, të kemi edhe furnizues të tjerë. Një pjesë e kësaj strategjie ishte marrja e gazit nga rajoni i Kaspikut. Për këtë kemi më shumë se dhjetë vjet që negociojmë dhe tani për herë të parë morëm premtimin se kjo do të bëhet. Megjithatë ne do të vazhdojmë të marrim të njëjtën sasi gazi si deri tani nga Norvegjia apo Rusia. Ne besojmë se kërkesa e shtuar për gaz në të ardhmen, në vitin 2030 e më tutje, mund të mbulohet me gaz nga rajoni i Kaspikut, nga Azerbajxhani, ndoshta Turkmenistani e në të ardhmen edhe Iraku.

Komisioni i BE-së e përshëndeti vendimin dhe foli për rritje të sigurisë së furnizimit për Evropën. Çfarë do të thotë kjo konkretisht?

Siguri në furnizim do të thotë që në rast të një krize gazi, si p.sh. në 2006 apo 2009, të kemi brenda BE-së sasi të mjaftueshme gazi, edhe nga burime të tjera, në mënyrë që të gjithë të furnizohen me gaz. Ne mendojmë se tregu i gazit është një treg si gjithë të tjerët. Për këtë arsye dëshërojmë më shumë furnizues dhe aq shumë linja përçimi gazi brenda BE-së, sa çfarëdo të ndodhë, familjet të marrin gaz nga burime të tjera dhe të mos vuajnë të ftohtët.

Korridori jugor për sjelljen e gazit direkt nga Kaspiku në Evropë

Korridori jugor për sjelljen e gazit direkt nga Kaspiku në Evropë

Në fillim Komisioni i BE-së pati mbështetur fuqishëm projektin Nabucco. Tani koncerni energjitik OMV, që drejtonte planifikimin e këtij projekti, doli me duar bosh. A kanë humbur rreth 50 milionë eurot e investuara në projektin Nabucco apo në të ardhmen ato mund të kthehen në investim fitimprurës?

Ne si BE kemi mbështetur gjithnjë korridorin e jugut, strategjinë për sjelljen e gazit direkt nga rajoni i Kaspikut, dhe nuk kemi favorizuar asnjë projekt konkret si Nabucco apo TAP. Ne kemi qenë krejtësisht neutralë sa i përket pyetjes se cila linjë do të merrte miratimin e konsorciumit. Por është e vërtetë që në fillim Nabucco ishte i vetmi projekt që parashikonte një linjë plotësisht të re përçimi gazi nga Gjeorgjia në Evropë. Asokohë nuk kishte alternativë për gjithë linjën. Kjo situatë ndryshoi plotësisht pasi tani me TAP-in kemi një linjë që shtrihet brenda BE-së dhe Shqipërisë. Në të njëjtën kohë po ndërtohet edhe në Turqi një linjë e re. Pra de facto nuk ka ndryshim nëse kemi versionin fillestar Nabucco apo TAP dhe TANAP (linja në Turqi). Të dy projektet ofrojnë një linjë përçimi gazi të gjatë, të re, të plotë, një lidhje direkte me Azerbajxhanin. Kjo ka qenë për ne strategjia e korridorit të jugut dhe këtë tani e arritëm.

Sa i takon kostove të deritanishme të Nabuccos, mund të them se nuk kemi të bëjmë me fonde publike, por fonde të firmave që besuan se do të merrnin miratimin e konsorciumit. Për momentin kjo nuk u realizua por ne besojmë se në të ardhmen mund të kemi nevojë për dy linja përçimi. Varianti i tanishëm parashikon që në Evropë të sillen fillimisht 10 miliardë metër kub gaz në vit. Presidenti i Azerbajxhanit, Alijev, i cili ishte javën e shkuar për vizitë në Bruksel, tha se shpreson që në të ardhmen në Evropë të transportohet dhe shitet një sasi edhe më e madhe gazi. Për këtë mund të negociohet në të ardhmen, që krahas linjës TAP, që sjell gazin në Italinë e jugut, të kemi edhe një linjë të dytë, p.sh. Nabucco, e cila të sillte gazin në Baumgarten të Austrisë.

A lidhet përzgjedhja e TAP si projekti fitues me disavantazhe për vende si Bullgaria apo Rumania?

Objektivi ynë ka qenë dhe vazhdon të jetë që pikërisht këto vende që janë thuajse qind për qind të varur nga një burim furnizimi, të marrin gjithashtu gaz nga Azerbajxhani. Fakti që linja TAP nuk kalon përmes këtyre vendeve, nuk do të thotë se nuk mund ta marrin këtë gaz. P.sh. aktualisht ekziston një linjë që shkon nga Greqia në Bullgari. Një e dytë do të ndërtohet. Kjo do të thotë që edhe Bullgaria mund të furnizohet me gaz nga Azerbajxhani, i cili vjen përmes gazsjellësit TAP në Greqi dhe që aty mund të përçohet në Bullgari.

Marlene Holzner është zëdhënëse për shtypin e komisionerit të BE-së për energjinë, Günter Oettinger.

Intervistoi: Eliana Xhani