1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hollande përjashton ndërhyrjen me trupa në Siri

SHBA dhe Franca duhet ta shkatërrojnë së bashku"Shtetin Islamik". Në një konferencë shtypi me Presidentin François Hollande të dy udhëheqësit ranë dakord të intensifikojnë sulmet ajrore në Irak dhe në Siri.

François Hollande e takoi Barack Obaman në Uashington për të diskutuar luftën kundër grupit terrorist, Shteti Islamik (IS). "Franca nuk do të ndërhyjë ushtarakisht me trupa në tokë në Siri. Janë forcat lokale që e kanë detyrë ta bëjnë këtë", tha Hollande në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, Franca do ta intensifikojë fushatën e bombardimeve dhe do të bëjë objekt komandat e IS si dhe "zemrat e qyteteve"që mbahen nga grupi terrorist, tha Presidenti francez. Veç kësaj, Parisi do të ndihmojë në ndërprerjen e burimeve financiare për militantët.

Rusia është "e mirëpritur" që të bëhet pjesë e koalicionit të gjerë kundër terrorizmit, tha Hollande, për aq kohë sa Moska i fokuson goditjet në Siri kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik. "Unë do të kërkoj nga Presidenti Putin, siç e kam bërë më parë, që goditjet të drejtohen kundër Daesh (emër tjetër për IS), kundër terrorizmit dhe atyre që na kërcënojnë ne," tha Hollande."Ata i kërcënojnë rusët si (na kërcënojnë) ne në Evropë," shtoi ai.

BE të shpërndajë informacione

Presidenti i SHBA, Barak Obama tha se mbështetja ruse në dhënien fund të luftës në Siri "do të ishte ndihmë e jashtëzakonshme". Megjithatë ai e quajti Moskën një "element të shkëputur" në luftën kundër Shtetit Islamik. Gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me Hollande, Obama i kërkoi gjithashtu BE që të bëjë më shumë për të shpërndarë informacionet e shërbimeve të fshehta tek vendet anëtare.

"Si pjesë e kësaj, unë i bëj thirrje BE që ta vërë më në fund në jetë marrëveshjen që kërkon nga shoqëritë e fluturimit të përcjellin informacione për pasagjerët, për të bërë më shumë në ndalimin e luftëtarëve të huaj terroristë të hyjnë pa u kuptuar në vendet tona", tha ai.

Obama gjithashtu premtoi se nxitësit dhe organizatorët e atentateve të Parisit do të përballen me drejtësinë, dhe tha në frëngjisht "Të gjithë ne jemi francezë". "Unë dua të përshëndes popullin e Parisit që i tregoi botës se është në gjendje të qendrojë i fortë përballë terrorizmit", u tha ai përfaqësuesve të medieve.

Obama bëri të ditur më tej se SHBA kanë përgatitur një plan për të shtuar presionin kundër IS, madje që përpara se të ndodhnin atentatet e Parisit. "Ne kemi pasur disa suksese (kundër IS), po çështja tani është si mund t'i shtojmë ato", u shpreh Obama.

Thirrje për qetësi midis Moskës dhe Ankarasë

Të dy udhëheqësit komentuan gjithashtu edhe rrëzimin e avionit rus në Turqi. "Turqia, si çdo vend ka të drejtë të mbrojë territorin dhe hapësirën ajrore të saj", tha Obama. Për ne në këtë moment është shumë e rëndësishme që të sigurohemi që rusët dhe turqit të bisedojnë me njëri-tjetrin për të gjetur se çfarë ndodhi saktësisht si dhe të marrim masa për të shmangur çdo lloj shkallëzimi të situatës.""

Edhe Hollande kërkoi qetësi. Ai tha se një shkallëzim i situatës do të ishte "jashtëzakonisht i dëmshëm". Veç kësaj, Presidenti francez Hollande bëri thirrje që Presidenti sirian Bashar al-Assad të japë dorëheqjen "sa më shpejt që të jetë e mundur".