1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hollande nuk përjashton ndërhyrjen ushtarake në Siri

Një ndërhyrje e armatosur nuk përjashtohet nëse ajo bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare. Hollande mendon se vendimi duhet të merret në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Francois Hollande

Francois Hollande

Pas masakrës së Hulës me mbi 100 të vdekur presidenti francez Hollande nuk e përjashton më mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Siri. Por Hollande tha në Paris se kusht për këtë është një mandat i Kombeve të Bashkuara. Tani duhet të binden edhe Rusia dhe Kina. Moska dhe Pekini kanë bllokuar deri tani projekrezolutat për Sirinë në KS të OKB-së për shkak se në to nuk dënohej dhuna e rebelëve të armatosur.

Francois Hollande në Afganistan

Hollande do të tërheqë trupat nga Afganistani dhe të ndërhyjë në Siri.

"Ajo (një ndërhyrje e armatosur) nuk përjashtohet, nëse ajo bëhet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, që do të thotë, ajo duhet të vendoset nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Tani është detyrë e imja dhe të tjerëve për të bindur rusët dhe kinezët në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, për të gjetur një zgjidhje e cila nuk duhet të jetë domosdoshmërisht ushtarake. Por presioni duhet të bëhet që tani në mënyrë që të përmbyset regjimi i Bashar al-Assad-it", tha Hollande.

Shtetet perëndimore tërheqin ambasadorët nga Siria

Në shenjë proteste kundër masakrës në Hula disa shtete perëndimore si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Australia dhe SHBA kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Siria.  Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle lidhur me këtë u shpreh se:  "Ky është një sinjal i qartë për Damaskun, që ky regjim përfundimisht po izolohet në arenën ndërkombëtare. Për këtë veprim ne  kemi rënë dakord me partnerët tanë evropianë dhe perëndimorë", tha shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle.

Autor: Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti

Redaktoi: Bahri Cani