1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hollande nuk ka alternativë ndaj reformave

Disfata në zgjedhjet lokale, tregoi se Hollande nuk ka mbështetjen e francezëve për reformat. Por nuk ka gjasa që ai të ndryshojë kurs, pasi nuk ka alternativë tjetër për daljen nga kriza.

François Hollande nuk është për t'u pasur zili. Vetëm një ditë pas rezultateve katastrofale të partisë së tij, pati përsëri lajme të këqija, këtë herë nga Zyra franceze e Statistikave. Borxhi shtetëror vitin e kaluar është rritur në një nivel të ri rekord, 93,5 për qind e PBB. Edhe defiçiti buxhetor me 4,3 për qind ishte më i lartë se plani.

Shifrat tregojnë se reformat nuk shkojnë aq thellë sa duhet. Dhe zgjedhjet tregojnë se socialistët në qeveri kanë pak mbështetje nga populli. Për Carsten Brzeski, kryeekonomist pranë bankës Ing-Diba, sinjalet e ndryshme përputhen me njëri-tjetrin. "Njerëzit janë të pakënaqur pasi rritja është e dobët dhe ka papunësi", thotë ai. "Por unë mendoj se popullsia nuk e di ende se çfarë e pret. Problemi është se deri tani nuk ka pasur reforma strukturore."

Dr. Claire Demesmay, Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme në Berlin

Dr. Claire Demesmay, Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme në Berlin

Lamtumirë nga zgjidhjet e vjetra

Por reformat janë të nevojshme për reduktimin e borxheve dhe për të rigjallëruar tregun e punës, thotë Brzeski. "Francezët ndodhen në të njëjtën situatë si gjermanët në fillim të viteve 2000". Atëherë ish-kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder pati zbatuar një numër reformash, të cilat u bënë të njohura me emrin "Agenda 2010". Aty bënin pjesë ndër të tjera zbutja e mbrojtjes për pushimin nga puna dhe shkurtimet e ndihmave financiare për të papunët, sigurimin shëndetësor dhe pensionet.

Këto do të jenë të pashmangshme në Francë, beson Brzeski. "Franca duhet të shkëputet nga përfytyrimet e mëparshme se ndihma vjen nga jashtë." Më parë vendi për gjallërimin e koniunkturës përdorte ose zhvlerësimin e frangës ose programe shpenzimesh shtetërore, të cilat financoheshin me borxhe. Të dyja këto nuk janë më të mundura. "Francezët ndodhen përpara një detyre të vështirë për të ndërmarrë tani vetë reforma."

Sidoqoftë qeveria franceze pati filluar disa muaj më parë ta bënte më fleksibël tregun e punës dhe të ulte barrën e detyrimeve fiskale për sipërmarrjet, thotë Claire Demesmay nga . "Në këto masa u përfshinë edhe sindikatat dhe nuk pati greva të mëdha", thotë Demesmay. "Kjo vërtet nuk është një 'Axhenda 2010', sipas modelit gjerman por është megjithatë një hap i parë."

"Pakti për përgjegjësi"

Socialistët pësuan disfatë të thellë në zgjedhje

Socialistët pësuan disfatë të thellë në zgjedhje

Një hap që shumë francezëve u ngjall frikë. "Pakti për përgjegjësi", siç quhet paketa e reformave në Francë ka të njëjtin synim si reformat gjermane: reduktimin e kontributeve të shtrenjta sociale dhe të drejtave të punëmarrësve. Krahu i majtë i Partisë Socialiste franceze me shumë dëshirë do t'i kishte dhënë menjëherë fund këtij kursi, por edhe pas rezultatit të dobët në zgjedhjet komunale, Hollande nuk ndryshon linjë. "Kjo do të ishte iluzion pasi tregjet financiare dhe partnerët evropianë vëzhgojnë me shumë vëmendje se çfarë bën qeveria franceze", thotë Demesmay.

Pushteti i një presidenti francez është vërtet më i madh se ai i një kancelari gjerman, por edhe kundërshtarët e tij janë më të fuqishëm. "Sindikatat në Francë janë më pak integrative, ato veprojnë sipas kulturës së konfrontimit", thotë Demesmay. "Deri tani Hollande ka vendosur të ndjekë një politikë të hapave të vegjël për të kursyer shokët e partisë së tij dhe popullsinë. Nuk e di nëse do të mund të vazhdojë me këtë pas kësaj disfate elektorale."

Rrugë pa kthim?

Hollande tani duhet të përcjellë edhe më qartë tek francezët se çfarë është në lojë dhe si mendon t'i zgjidhë problemet, beson Demesmay. Kështu mendon edhe kryeministri në largim Jean-Marc Ayrault. Qeveria "nuk e ka thënë aq qartë sa duhet se sa e vështirë është gjendja ku vendi ndodhet", tha Ayrault pas zgjedhjeve. Tek reformat nuk do të ketë ndryshim kursi, vetëm thekse më të forta për më të dobëtit në shoqëri.

Edhe reformimi i kabinetit sipas Carsten Brzeski nuk do të ndryshojë asgjë në këtë kurs. "Për Hollande nuk ka alternativë tjetër veçse të vazhdojë këtë kurs. Ai vetëm mund të shpresojë që sinjalet e para pozitive të një rritjeje të re ekonomike në Francë të vijnë në kohë para në fushatën e ardhshme për zgjedhjet presidenciale."

Për kancelarin reformator gjerman Gerhard Schröder rritja erdhi asokohe shumë vonë. Pasi qeveria e tij zbatoi reformat e Axhendës 2010, ai dhe socialdemokratët humbën mbështetjen në popull. Në zgjedhjet e parakohshme në 2005 Schröder në fund pranoi humbjen.