1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hollande në vrullin e reformave

Qeveria e re socialiste në Paris e ka marrë seriozisht programin e saj ekonomik. Ajo u kërkon të kamurve të paguajnë në arkat e shtetit dhe vendos një taksë mbi transaksionet financiare.

Presidenti i ri socialist në Francë mund të mbështetet në një shumicë komode në parlament. François Hollande po i vë në jetë premtimet e tij elektorale dhe ka vendosur thekset e para: Asambleja Kombëtare dhe Senati miratuan paketën e parë të madhe të reformave të qeverisë së majtë përpara se të fillonin pushimet. Opozita konservatore paraqiti ankimim kundër buxhetit pranë Këshillit Kushtetues.

Masat e miratuara në kuadër të një buxheti shtesë për 2012, parashikojnë në kuadër të luftës kundër deficitit të lartë, rritje të ndjeshme të taksave për të ardhurat shumë të larta dhe kompanitë e mëdha. Vetëm nga një taksë e veçantë për pasurinë në arkat e shtetit pritet të hyjnë deri në fund të vitit 2,3 miliardë euro. Gjithsej nga masat e reja priten të ardhura buxhetore shtesë prej 7,2 milionë eurosh.

Nën detyrimin për të kursyer

Parlamenti i miratoi reformat e Hollande përpara fillimit të pushimeve

Parlamenti i miratoi reformat e Hollande përpara fillimit të pushimeve

Presidenti i parë socialist në Francë që prej vitit 1995, kishte premtuar në fushatën elektorale se në 2013 Franca do të përmbushë sërish rregullat e BE-së për deficitin buxhetor. Sipas këtyre rregullave deficiti buxhetor nuk duhet të jetë më shumë se 3% e Produktit të Brendshëm Bruto. Vitin e kaluar ai ishte 5,2 %.

Me paketën e reformave qeveria e majtë franceze distancohet në mënyrë demonstrative nga politika e paraardhësve konservatorë të ish-presidentit Nicolas Sarkozy. Bashkë me rritjen e taksave janë kthyer një numër projektesh të ish-presidentit konservator. Ndër të tjera socialistët rrëzuan çlirimin nga tatimi i orëve të punës shtesë dhe të ashtuquajturën "TVSH sociale". Kjo e fundit pritej të futej në muajin tetor për të lehtësuar sipërmarrjet nga shpenzimet sociale. Veç kësaj do të shkurtohen me 30% rrogat e presidentit Hollande dhe kryeministrit Jean-Marc Ayrault .

Tatim më i fortë i bizneseve në bursë

Taksa mbi transaksionet financiare e vendosur që në kohën e Sarkozy-së është ashpërsuar nga socialistët. Ajo do të jetë 0,2% ose dy herë më e lartë nga sa ishte parashikuar prej qeverisë së mëparshme konservatore. Kjo taksë fillon të zbatohet nga 1 gushti 2012 dhe aplikohet mbi transaksionet me letra me vlerë të sipërmarrjeve me seli në Francë. Prej saj përjashtohet tregtia me aksione e shoqërive me një vlerë burse më të ulët se 1 miliard euro.

Një taksë mbarëevropiane për transaksionet financiare për të gjitha transaksionet dhe produktet në tregjet financiare deri tani nuk është e mundur për shkak të kundërshtimit të vendeve si Britania e Madhe. Të paktën nëntë shtete synojnë megjithatë vendosjen e një takse të tillë në kuadër të një "bashkunimi më të ngushtë". Ndër to është krahas Francës edhe Gjermania.

Partia konservatore franceze UMP i kritikoi reformat si armiqësore për sipërmarrjet dhe të dëmshme për Francën. Kështu vendi do të humbasë më shumë nga aftësia e tij konkurruese në krahasim me vende si Gjermania, u tha nga përfaqësues të partisë së madhe opozitare gjatë votimit në parlament të buxhetit shtesë. UMP kërkon masa më të forta kursimi në vend të rritjes së barrës fiskale.