1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hollande në rolin e ndërmjetësit

Para bisedimeve të reja për Ukrainën në Minsk, Presidenti francez Hollande nuk donte të linte pa shfrytëzuar asnjë shans: në mënyrë të papritur ai bëri një ndalesë tek shefi i Kremlinit Putin.

Po, Rusia natyrisht mbështet integritetin territorial të Ukrainës. Dhe natyrisht ai shpreson për një marrëveshje të shpejtë për realizimin e armëpushimit në Ukrainë. Presidenti rus Vladimir Putin gjatë vizitës së shkurtër të homologut të tij francez François Hollande shfaqi anën e tij diplomatike. Në takimin e papritur në një aeroport në Moskë, Putin bëri megjithatë të qartë: uniteti i Ukrainës për të nënkupton që qeveria ukrainase të mos bllokojë më tej krahinat proruse Donjeck dhe Luhansk dhe t'i njohë si partnerë me të drejta të barabarta në negociata.

Veç kësaj shefi i Kremlinit shprehu pritjen e tij që Franca t'i livrojë Rusisë sipas marrëveshjes helikoptermbajtësit e tipit "Mistral". "Ekziston një kontratë", tha Putin. Por ai shtoi se zënka për anijet e luftës nuk ka luajtur asnjë rol në takimin e krizës me Hollande.

Të enjten (4.12.) Putin ishte ankuar për një rikthim të Luftës së Ftohtë. Ai sulmon Perëndimin me fjalët: "armiqtë e së kaluarës" të Rusisë përpiqen të shkatërrojnë vendin nën pretekstin e krizës së Ukrainës.

Hollande gjatë kthimit nga vizita e tij shtetërore në Kazakistan ndaloi në Moskë, me sa duket pasi kishte folur për këtë me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin ukrainas Petro Poroshenko. Presidenti francez së fundi pati folur me Putin në kuadër të G-20 në Brisbane të Australisë. Edhe gjatë festimeve përkujtimore për Luftën e Dytë Botërore në Normandi, Hollande u përpoq të ndërmjetësonte mes Putinit dhe Poroshenkos.

Poroshenko konfirmoi një raund të ri negociatash me separatistët prorusë të martën e ardhshme, përsëri në Minsk. Në kryeqytetin bjellorus Ukraina dhe rebelët në prani të përfaqësueve rusë patën rënë dakord në fillim të shtatorit për një armëpushim dhe një plan me dymbëdhjetë pika për sheshimin e konfliktit. Armëpushimi megjithatë është prishur vazhdimisht. Rusia akuzohet se pas aneksimit të Krimesë, mbështet kryengritësit prorusë në Ukrainë. Qeveria në Moskë e hedh poshtë këtë.