1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hollande: Leonarda mund të kthehet por vetëm ajo!

Presidenti fancez François Hollande, i lejon vajzës rome nga Kosova, Leonarda Dibrani, të rikthehet në Francë për të vazhduar shkollën, por vetëm kaq. Adoleshentja deklaron se nuk kthehet në Francë pa familjen.

Presidenti francez, François Hollande, të shtunën (19.10.2013) në mesditë, ka shprehur qëndrimin e tij pozitiv e human për mundesinë e rikthimit në Francë të nxënëses kosovare Leonarda Dibrani, për të vijuar shkollën.

Këtë deklaratë kreu i shtetit francez e bëri prej pallatit presidencial Elysée në Paris, përballë interesimit të mediave të shumta televizive: "Leonarda, kjo nxënëse e dëbuar së bashku me familien e saj drejt Kosovës, mund të kthehet në Francë për të vazhduar shkollën, nëse ajo bën një kërkesë me shkrim për këtë. Por pritja në Francë i rezervohet vetem asaj".

Hollande theksoi në vijim se u janë dhënë porosi të veçanta prefekturave e institucioneve përkatëse franceze, që të mos kryejnë më kapjen e dëbimin e nxënësve pa dokumenta, kur ndodhen brenda kuadrit shkollor e procesit mësimor.

Raporti: dëbimi i bazuar në ligj, por zbatimi i gabuar

Ky njoftim i presidentit erdhi vetëm pak minuta pas publikimit të raportit hetimor (19.10.2013), të kryer nga Inspektoriati i Përgjithshem i Administratës. Në 20 faqet e këtij raporti, shqyrtohet mënyra e kryerjes së dëbimit të familjes rome me origjinë kosovare. Aty theksohet se dëbimi i familjes Dibrani është i justifikuar sipas ligjit francez të emigracionit. Por në raport kritikohet mënyra se si është ndaluar në datën 9 tetor nga uniformat blu të policisë, adoleshentja 15 vjeçare, Leonarda Dibrani. Ajo ndodhej në një aktivitet shkollor dhe pikërisht arrestimi në sy të shokëve të klasës, e të mësueses përbënte një element të kritikueshëm të procedurës, pasi cënohet ana psikologjike e nxënëses.

I gjithë opinioni mediatik në Francë komenton se kanë qenë rrethanat e dyshimta të procedurës, dhe karakteri human i François Hollande, që çuan në marrjen e një pozicioni të tillë të tolerueshem vetëm për 15 vjeçaren kosovare. Por Leonarda insiston se ajo nuk e braktis familjen.

Protestat në mbarë Francën

Vetëm gjatë dy ditëve të mëparshme në Paris dhe në disa qytete të tjera të mëdha të Francës ishin ngritur në protesta me mijëra nxënës të shkollave të mesme (12 mijë nxënës sipas sindikalistëve dhe 4 mijë nxënës sipas policisë), të cilët kundërshtonin mënyrën e dëbimit të nxënësve pa dokumenta zyrtare.

Ishte hera e parë që një nxënëse 15 vjeçare me origjinë nga Kosova, vihej në qendër të debatit mbi politikat e emigracionit në Francë.

Debati mori përmasa të pa imagjinueshme për vetë faktin se ministri i Brendshëm Francez, Manuel Valls, u vu nën zjarrin e kritikave të politikanëve dhe të deputeteve të kampit të tij të majtë. Ata nuk mund të pajtoheshin me këto procedura të ashpra që, ndonëse justifikohen nga legjislacioni, gjithsesi nuk i përshtaten principeve humaniste e sociale të koalicionit të majtë qeverisës në Francë.

Në këtë situatë jo shumë të favorshme, ministri i Brendshëm Francez ishte i detyruar të ndërpriste një udhëtim pune, për t'u kthyer këtë të shtunë (19.10.) me urgjencë në Paris, me qëllim uljen e tensionit dhe njohjen e përmbajtjes së raportit në fjalë.

Gjithsesi në qendër të vëmendjes së mediave të shumta franceze sot analizohet jo vetëm debati për politikën e emigracionit në Francë, por edhe gjetja e zgjidhjeve të përshtatshme praktike e konkrete, sikundër rasti i adoleshentes 15 vjeçare rome me origjinë nga Kosova, Leonarda Dibrani. Vetë Leonarda thotë se "nuk mund të braktis familjen, në shkëmbim të shkollimit të toleruar, individual, në Francë. Në këtë moment kam nevojë për të dyja: shkollën dhe familjen".