1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Holland: "NSA mund të spiunojë gjithçka"

Shërbimet inteligjente të SHBA kanë instaluar në mënyrë sekrete pajisje dhe programe në kompjutera, për t’i spiunuar edhe kur nuk janë të lidhur me Internetin. Një ekspert tregon për DW si është mundur një gjë e tillë.

DW: Sipas lajmeve të agjencive thuhet se NSA ka përdorur disa teknika për të spiunuar rreth 100 mijë kompjutera jashtë SHBA, edhe pse ata ishin offline. Si është e mundur kjo?

Martin Holland: Sipas raportimeve, ata përdorin pjesë të veçanta të vendosura në përbërësit e kompjuterave. Me anë të këtyre pjesëve ata mund të spiunojnë të dhënat. NSA dërgon sinjale tek këto pjesë dhe më pas mund të zbulojë se çfarë është punuar në kompjuter nga informacioni që çon kjo pjesë.

Cili është qëllimi i instalimit të një programi të tillë? Dhe cilat vende mendoni se janë prekur më shumë?

NSA thotë se kërkon të mbrojë SHBA-në nga sulmet kibernetike dhe se ata duan të gjejnë hakeret. Por unë mendoj se ata spiunojnë edhe njerëz të dyshuar për terrorizëm. Përveç kësaj edhe kompanitë telefonike janë spiunuar. Në këtë mënyrë ata mund të marrin më shumë informacion se sa nga një kompjuter i përdorur nga një person.

Programi thuhet se nuk është përdorur vetëm për të spiunuar kompjutera të tjerë, por edhe për të bërë sulme kibernetike nga këta kompjutera. Si është e mundur kjo?

Është e mundur nëse ve nën kontroll një provider. Më pas çdo pajisje që përdor atë provider mund të përdoret për sulme kibernetike. Pra nëse dikush në Kinë kërkon të hapë faqen e Yahoo, dhe ju keni nën kontroll providerin në Kinë, ju i shfaqni atij një faqe që ngjan si Yahoo. Për faktin se kompjuteri juaj është më afër me të tijin, faqja kopje e Yahoo hapet shumë më shpejt se faqja origjinale, që e ka qendrën në SHBA.

Mundet që kjo metodë spiunimi të përdoret për të marrë sekrete tregëtare të vendeve të tjera?

Po, mendoj se është e mundur.

Kina po akuzon SHBA-në se nuk ka respektuar sovranitetin e saj. Ç'mund të thoni për këto akuza?

Kinezët kanë qenë gjithmonë të dyshuar se kanë kryer edhe vetë spiunime kompjuterike. Unë mendoj se qeveria kineze është duke përdodur këtë mundësi për të kritikuar SHBA-në. Me siguri ata janë duke bërë të njëjtën gjë, por në masë më të vogël, për shkak të kapaciteteve.

Disa raportime thonë se kjo teknologji është përdorur që prej vitit 2008. Pse mendoni se informacioni ka rrjedhur tani?

Sipas informacionit që ne kemi, në 2008, 20 mijë kompjuterë janë spiunuar në këtë mënyrë. Unë mendoj se numri ka qenë më i madh dhe një gjë e tillë është bërë që prej sulmeve të shtatorit 2001.

Deri tani është thënë se nëse ke një kompjuter, që nuk është i lidhur me internetin, je i sigurtë nga sulme të tilla. Sa është e mundur të mbrohesh?

Unë mendoj se nëse je në shënjestër të vëzhgimit të NSA, atëherë nuk ka asnjë mënyrë për të mbajtur të sigurta të dhënat e tua. Për spiunime të tilla numri i të shënjestruarve është i limituar, sepse është edhe shumë e vështirë të bësh sulme të tilla. Mendoj se përdoruesi normal i kompjuterit është relativisht i mbrojtur.

Ka ndonjë mënyrë për të parë nëse kompjuteri është spiunuar?

Edhe për ekspertët e kompjuterëve është thuajse e pamundur.

Martin Holland është ekspert i sigurisë në Internet dhe redaktor pranë revistës gjermane së kompjuterave "c't".