1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Holbrooke ka qenë një nga gjigandët e politikës së Jashtme amerikane" - Largohet nga jeta i dërguari amerikan me Afganistanin

Richard Holbrooke, një nga diplomatët më të njohur amerikanë, ka vdekur në moshën 69 vjeçare. Holbrroke ndërroi jetë në një spital në Uashington pas një operacioni të vështirë të aortës.

Diplomati amerikan Richard Holbrooke ndërroi jetë

Diplomati amerikan Richard Holbrooke ndërroi jetë

Në një gjë pajtohen miqtë dhe kritikët e tij: Richard Holbrooke thjesht ishte i madh. Nga njëra anë për shkak të paraqitjes së tij fizike: Burri i gjatë me peshë të rëndë, me flokë të dendur dallohej nga gjithë të tjerët. Por në rradhë të parë për shkak të personalitetit të tij të fuqishëm, që dominonte me lehtësi çdo dhomë. Holbrooke rrezatonte një vetëbesim të madh, i cili rezultonte nga një pervojë 45 vjeçare në diplomacinë ndërkombëtare.

Richard Holbrooke dhe presidenti serb, Slobodan Milosevic

Richard Holbrooke dhe presidenti serb, Slobodan Milosevic

Që prej fundit të viteve 60-të ai ka shërbyer nën të gjithë presidentët demokratë amerikanë, si menaxher krize në Azi, Evropë dhe në Lindjen e Afërt. Suksesi më i madh diplomatik i tij ka qenë në vitin 1995, kur negocioi marrëveshjen e paqes së Daytonit, që i dha fund luftës së Bosnjës.

Holbrooke kujtonte më vonë në një intervistë me stacionin televiziv CNN: "Besoj se nuk ka patur më parë negociata, që të ishin më të vështira se ato: 48 orë pa gjumë, njerëz, që vdisnin, presion i paimagjinueshëm dhe gjithsej tre partnerë në bisedime, kroatë, boshnjakë, serbë."

Diplomati Holbrooke, si i dërgur i presidentit Clinton për Ballkanin ka pasur një angazhim të rëndësishëm edhe për Kosovën gjatë vitit 1998 dhe deri në fillimin e bombardimeve në mars 1999. Raportohet se në mars të vitit 1999 ai shkoi në Beograd për t’i dhënë ish presidentit të Serbisë, Sllobadan Millosheviç ultimatumin se NATO-ja do të bombardojë, nëse agresioni ndaj Kosovës nuk ndalet. Millosheviçi nuk i dëgjoi këto vërejtje.

Richard Holbrooke, në zgjedhjet në Bosnjë 1996

Richard Holbrooke, në zgjedhjet në Bosnjë 1996

Holbrooku ambicioz kishte shumë dëshirë të bëhej ministër i Jashtëm, por gjithmonë postin e merrnin të tjerët, fillimisht Madeleine Albright, pastaj Hillary Clinton. Richard Holbrooke ishte një person, që fitonte shpejt miq, kështu edhe në periudhën e shkurtër 1993/94, gjatë së cilës ka qenë ambasador në Gjermani, në atdheun e nënës së tij.

Por ai bënte shpejt edhe armiq. Ai konsiderohej si agresiv, egoist dhe kërkues. Kokëfortësinë e tij e kishin frikë, por ajo në negociata të ndryshme dilte si plus: si në rastin e zgjerimit të NATO-, apo të borxhit të SHBA-së në OKB. Ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton e vlerësoi Holbrookun si koleg dhe mik, që ishte në gjendje të mposhtte diktatorët dhe që në rrethanat më të vështira mbronte interesat dhe vlerat e Amerikës. Pak para vdekjes së Holbrookut presidenti amerikan Barack Obama pat thënë se 69-vjeçari është "i fortë si guri" dhe do të luftojë shumë për jetën e tij: "Ai është një gjigand i vërtetë i politikës së jashtme amerikane. Ai është i palodhur dhe nuk dorëzohet kurrë. Sepse ai beson, se nëqoftëse punojhet me përqëndrim, është i mundur progresi. Luftërat mund të ndalen dhe paqja është e mundur."

Presidenti afgan Hamid Karzai, dhe Richard Holbrooke, i ngarkuar i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin

Presidenti afgan Hamid Karzai, dhe Richard Holbrooke, i ngarkuar i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin

Për misionin e tij të fundit që prej vitit 2009 si i ngarkuar i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin Holbrooke mori kritika të ndryshme. Kritikë pati në rradhë të parë, sepse Holbrooke kurrë nuk arriti, të ndërtonte një marrëdhënie me presidentin afgan Hamid Karsai. Vëzhguesit në Uashington thonë se ky mision ka qenë për të një "punë ferri", mendërisht dhe fizikisht rraskapitëse. Richard Holbrooke në fund të fundit u bë një viktime e luftës së Afganistanit.

Autor: Sabine Müller/ Angelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 14.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QXje
  • Data 14.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QXje