1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Holanda kërkon një politikë të re për Kubën

Kuba po përpiqet të hapet me kujdes ndaj botës dhe ka ndërmarrë reforma në favor të ekonomisë. Kjo përpjekje duhet mbështetur, mendon Holanda dhe i kundërvihet kështu vijës zyrtare të BE-së.

"Mendoj se ka ardhur koha që Evropa ta rishqyrtojë qëndrimin e saj ndaj Kubës dhe të ripozicionohet", tha ministri i Jashtëm holandez Frans Timmermans, gjatë një vizite në vendin komunist. Ai beson se dialogu është rruga më e mirë për të sjellë ndryshime. Dialogu mes BE-së, Holandës dhe Kubës është "tejet i rëndësishëm për zhvillimin e gjithë rajonit", tha ministri holandez. Në vizitën e parë zyrtare të një ministri të jashtëm holandez që prej revolucionit kubanez në 1959, Timmermans ra dakord për konsultime politike me qeverinë në Havana.

Ministri i Jashtëm holandez Frans Timmermans në Kuba

Ministri i Jashtëm holandez Frans Timmermans në Kuba

Kështu holandezët thyejnë një marrëveshje të BE-së për diplomacinë me Kubën dhe tregohen të hapur me vendin komunist. Në 1996 BE pati rënë dakord për një pozicion të përbashkët, i cili i kushtëzon marrëdhëniet më të ngushta me Kubën me përparime demokratike dhe respektim të të drejtave të njeriut. Për shkak të arrestimit të përkohshëm të 75 disidentëve, në vitin 2003 BE pati pezulluar bashkëpunimin me shtetin ishull. Edhe Gjermania ka pezulluar qysh atëherë në masë të madhe ndihmën për zhvillim dhe këmbimet kulturore me Kubën.

Ndryshimi fillon me Raúlin

Presidenti i Kubës Raul Castro

Iniciatori i ndryshimit - Presidenti i Kubës Raul Castro

Presidenti Raúl Castro, i cili në 2008 mori drejtimin e vendit nga vëllai i tij i sëmurë Fidel, inicioi reforma në favor të ekonomisë. Shumë shtete evropiane kërkojnë për këtë arsye një politikë më pragmatike dialogu me Kubën. Që prej rifillimit të bashkëpunimit rreth 15 shtete anëtare të BE-së kanë nënshkruar marrëdhënie dypalëshe me Havanën. Edhe vetë holandezët, të njohur si mbrojtës të zjarrtë të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, prej kohësh kanë marrëdhënie tregtare me Kubën, që në masë të madhe janë importe nga ishulli në Karaibe. Ministri i Jashtëm kubanez Bruno Rodriguez tha se reformat e fundit në Kubë hapin mundësi të reja edhe për ekonominë holandeze.

Pamje nga Havana

Veç kësaj këtë javë në Havana do të negociohet përsëri me SHBA-në për çështjet e emigracionit. Dialogu rifilloi korrikun e kaluar në Uashington pas një ndërprerjeje dyvjeçare. Synimi është negociimi i rregullave të reja për migracionin e ligjshëm të shtetasve kubanezë në SHBA. Në vendin e madh fqinj jeton komuniteti më i madh i rreth 2 milionë kubanezëve në mërgim.

Megjithatë qeveria e Presidentit Barack Obama ka theksuar vazhdimisht se bisedimet nuk paraqesin asnjë ndryshim të politikës së SHBA-së ndaj Kubës. Të dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike prej më shumë se 50 vjetësh.