1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Hoeneßi në burg! Një rast i rëndë i evazionit fiskal

Tri vjet dhe gjashtë muaj burg për Uli Hoeneßin, presidentin e FC Bayern München. Një dënim i ashpër, por në përputhje me faktet. Dhe një dënim që i lë shumë vetë pa fjalë, mendon Volker Wagener.

Rrëzimi në jetën e Uli Hoeneßit erdhi vonë, i papritur dhe përfundimtar. Edhe kalimi i kohës nuk do t'i shërojë këtu plagët. Hoeneßi prej sot nuk është më njeriu me pushtet të madh, që e bëri Bajernin, dikush me vetitë e njeriut të mirë. Vetëm në dukje kemi të bëjmë me një gjigand tek ai, sa më shumë i afrohesh, aq më shumë zvogëlohet.

Vetëkallëzimi - i vonuar dhe i paplotë

Nga ana juridike çështja është e qartë: Gjykata e Landit në Mynih nuk e njohu vetëkallëzimin e Uli Hoeneßit, direkt para se të niste hetimet zyra e taksave. Vetëkallëzimi u bë shumë vonë dhe informacionet nuk qenë të plota, tha ajo. Vendimi i gjyqit thekson një drejtim: shkeljet tatimore ndërkohë ndëshkohen më ashpër. Dhe hetuesit e kanë më të lehtë, në sajë të të dhënave të vjedhura në banka, të cilat i blen shteti gjerman. Askush nuk mund të jetë më i sigurtë se nuk do të zbulohet. Të preferuara aktualisht janë zyrat e specializuara të avokatëve, të cilat duan të shpëtojnë mëkatarët e tatimeve para gjykatave.

Uli Hoeneßi dhe avokati i tij nuk e gjetën dot daljen e emergjencës. Por pas temës së evazionit fiskal fshihet edhe pyetja se pse ra në tundim një njeri si Hoenesi?

Ai ishte si një Robin Hood modern nga Bavaria. Ai ua merrte të pasurve në karriget VIP, që më të varfërit, fansat e vërtetë të mund t'i paguanin vendet anësore në stadium. Meqenëse donte që fusha e stërvitjes e FC Bayern të kishte më shumë gjelbërim, ai i pagoi nga xhepi 20 mijë eurot që duheshin. Pa folur për donacionet e shumta për organizatat jofitimprurëse. Madje edhe konkurencën në futboll e ndihmoi ai. Borusia Dortmund, para pak vitesh në prag të falimentimit, u shpëtua jo së fundi edhe përmes një kredie të menjëhershme të FCB. Po, kështu qe Uli: jo i lehtë në marrëdhënie, por gjithmonë bujar.

Kësaj i shtohet: ai ishte një tregtar i aftë. Prej kohësh është kthyer në legjendë motoja menaxheriale e tij, që FC Bayern, në bizneset bankare është gjithmonë në kontakt me sektorin e parave të depozituara dhe kurrë në kontakt me sektorin e kredive.

Klubi futbollistik i Bajernit është një sipërmarrje e madhe shumë e shëndetshme dhe një kundërmodel ndaj klubeve të oligarkëve, të sheikëve dhe të sipërmarrësve të ndërtimit nga Anglia, Spanja dhe Italia, të zhytur në borxhe. Pjesa e Hoeneßit në konceptin e Bajernit të Mynihut është tepër e madhe.

S'ka diskutim: Hoeneßi duhet t'i ketë hedhur dikur në plehra parimet e sinqeritetit. Me sa duket është dorëzuar përballë opiumit të tregtisë me aksione dhe me deviza, duke klikuar me mausin e kompjuterit. Po pse?

Ai kishte sukses dhe konfirmim kudo. Ai ishte gjithçka tjetër, por jo budalla. Dobësia e tij e madhe, e trajtuar tani nga drejtësia, në fund të fundit është një rast për psikologun, për mjekun.

Këtë lojë Uli Hoeneßi e humbi me një humbje të thellë. Për ta shpëtuar mund ta shpëtojë vetëm revizioni.