1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Histori diplomatike dhe kujtime për Gjermaninë nga një diplomat shqiptar

Në librin e tij “Për Gjermaninë” Bashkim Zeneli gërsheton me mjeshtëri fakte politike dhe historike me ngjarje dhe mbresa nga jeta e tij personale e lidhjet e shumta me Gjermaninë në periudha dhe detyra të ndryshme.

Libra të shkruar nga gjermanë për Shqipërinë dhe shqiptarët ka plot, shkruar jo vetëm në kohët tona por prej shumë vitesh dhe për fusha e tema të ndryshme. Kurse sa i përket të kundërtës – me përjashtim të fjalorëve dygjuhësh – nuk ka pasur ndonjë të tillë. Ky boshllëk mbushet tani me librin e Bashkim Zenelit “Për Gjermaninë histori diplomatike dhe kujtime, i pari e këtij lloji që shkruhet e botohet nga një shqiptar.

Por vlera dhe merita e këtij libri nuk qëndron vetëm në faktin se është e para histori politike dhe diplomatike e Gjermanisë e shkruar nga një shqiptar, por se me informacionet dhe stilin e tij ai mund të lexohet me lehtësi dhe është i dobishëm për të gjithë shtresat e lexuesve. Kjo për faktin se edhe pse libri i kushtohet historisë gjermane pas Luftës së Dytë Botërore dhe marrëdhënieve gjermano-shqiptare të kësaj kohe, ai nuk është konceptuar si një kronologji apo punim historik i bazuar në analiza dokumentesh arkivore. Autori gërsheton me mjeshtëri në libër fakte politike dhe historike dhe kuriozitete të historisë diplomatike e politike të çështjes gjermane me ngjarje dhe mbresa nga jeta e tij personale dhe lidhjet e shumta me Gjermaninë në periudha dhe detyra të ndryshme, nga gazetar deri në ambasador i Shqipërisë fillimisht në Bonn e më pas në Berlin.

DW: Libri juaj titullohet “Për Gjermaninë” dhe ju përshkruani shumë ngjarje politike nga historia moderne Gjermanisë që lidhen me një sërë aspektesh të politikëbërjes, ndër të tjera gjetja e kompromiseve dhe mirëkuptimi. Çfarë mund të mësojë politika shqiptare, nga politika gjermane?

Bashkim Zeneli: Nga Gjermania ne duhet të mësojmë vazhdimisht dhe për çdo gjë. Sigurisht e kam fjalën në aspektin politik, në zhvillimin e demokracisë, të ndërtimit të vërtetë të shtetit të së drejtës, të ndarjes së vërtetë dhe të respektimit të pushteteve, të luftës kundër korrupsionit etj. Ajo sa është bërë deri tani është shumë pak dhe për pasojë shoqëria jonë ka një mijë e një probleme nga më të ndryshmet.

Në Evropë ne duhet të “ankorohemi” tek Gjermania. Gjermania është shembulli i përgjegjësisë së madhe të politikanëve për vendin, për qytetarët, është shembull i debatit politik midis forcave përfaqësuese në Bundestag, por është edhe shembull i bashkëpunimit politik, i tolerancës, i kompromiseve parimore dhe pragmatike. Politika gjermane është tërësisht në shërbim të qytetarëve, e monitoruar dhe e sanksionuar si e tillë. Willy Brandt do të shprehej “në djall ajo politikë që nuk u shërben qytetarëve”.

Sigurisht, tek ne ndërtimi i shtetit të së drejtës, nuk ka qenë i lehtë, por është edhe krejt e pajustifikueshme situata ku ndodhemi për 25 vjet. Përgjegjësia e klasës politike për popullin është shumë e ulët, si në planin politik ashtu edhe në atë moral, etik, njerëzor. Tek ne mungon dialogu i përhershëm, bashkëpunimi për vendimarrje të mëdha për vendin, konsensusi dhe mirëkuptimi për ta ndërtuar këtë vend.

Në Gjermani pas luftës u zhvillua një proces i denazistifikimit, dhe pas ribashkimit, një proces i dekomunizistikimit. Termi “dekriminalizim” i politikës, sigurisht nuk njihet dhe jo vetëm në Gjermani.

Edhe pa “kriminelët” ne sot kemi një parlament nën-mediokër, me figura të përfolura dhe injorante, që kapardisen dhe i kanë mbushur mendjen vetes se populli merr frymë prej gërmazit të tyre të dhjamosur. Ato nuk dine pse janë aty, nuk i kemi parë të flasin se nuk dinë të flasin. Ata dominojnë fatkeqësisht edhe deputetët e kulturuar, seriozë, të pastër, të ndershëm, të aftë! Unë nuk them të bëhemi Gjermani, por nuk e di sa po mësojmë nga Gjermania! Pak e nga pak, por mirë e saktë në çdo gjë.

DW: Koha juaj si ambasador në Gjermani përkon edhe me periudhën e çështjes së Kosovës? Cili ka qenë kontributi i Gjermanisë për zgjidhjen e saj.

Bashkim Zeneli: Gjermania ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës, për lirinë e saj. Ne shqiptarët, sidomos në Kosovë, duhet t'i jemi pafundësisht mirënjohës.

Unë kam qenë jo thjesht dëshmitar i kontributeve të Gjermanise për çështjen e Kosovës në ato vite. Kanë qenë kontribute të vendimarrjeve të mëdha politike në qeveri dhe Bundestag, kontribute të një diplomacie shumë aktive, kontribute të një angazhimi të jashtëzakonshëm humanitar për Kosovën dhe Shqipërinë. Kanë qenë kontribute të një përgjegjësie të parë, që nga paslufta, në pjesëmarrjen ushtarake, në kuadër të NATO-s, në sulmet ajrore, e më pas, deri edhe sot, me një prani të madhe ushtarake për sigurimin e lirisë, të paqes dhe të demokracisë në Kosovë. Gjermania ishte edhe nismëtare e Paktit të Stabilitetit.

Edhe sot Gjermania është shumë aktive për normalizimin e raporteve të Kosovës me Serbinë dhe implementimin e marrëveshjeve, por edhe me ndërmarrjen e Konferencës apo Procesit të Berlinit për rajonin, kancelarja Merkel ka shfaqur një vizion të qartë në këtë drejtim, me këmbëngulje.

DW: Edhe mediat gjermane kanë luajtur në atë kohë dhe vazhdojnë të luajnë edhe sot një rol të madh për imazhin e shqiptarëve në Gjermani. Cilat janë përvojat tuaja në këtë drejtim?

Bashkim Zeneli: Kur unë erdha në Gjermani, në vitin 1997 në shtypin dhe televizionet gjemane flitej vetëm për anarki, për mungesë ligji, për mosfunksionim të shtetit, për përplasje politike, për kallashnikovë, që ishin të pranishëm në çdo reportazh.

Së bashku me stafin, na është dashur të punojmë shumë për të informuar mediat se shteti gradualisht kishte nisur të funksiononte, se po vendosej rendi, se po luftohej krimi. Unë gjej rastin përsëri, ashtu siç e kam shkruar edhe në libër, të falënderoj shtypin dhe shumë kanale televizive për interesin që shfaqën për të më ftuar në studio apo për të më intervistuar. Këto kanë qenë shumë të rëndësishme.

Në planin politik, mediat nisen të vlerësojnë qëndrimin e qeverisë shqiptare për nevojën e stabilitetit në rajon, në planin diplomatik mediat nisën të shkruajnë për Shqipërinë si një partnere të besueshme. Me fillimin e luftës në Kosovë, me ardhjen e disa qindra-mijëra shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri, imazhi ndryshoi shumë, edhe vizitat e niveleve më të larta gjermane në Shqiperi, apo shqiptare në Gjermani, me deklarata shumë të qarta, mbushën median gjermane me një qendrim pozitiv për Shqipërinë dhe shqiptarët. Unë dua të përsëris se Deutsche Welle ka qenë pararojë dhe një shembull i mrekullueshëm i një pune intensive me përgjegjësi, me ndjeshmëri, e vërtetësi në çdo kohë, çdo ditë, çdo orë për pasqyrimin e zhvillimeve në Shqipëri dhe për çështjen e Kosovës.

DW: Gjatë kohës që keni shërbyer si ambasador dhe natyrisht gjatë gjithë veprimtarisë suaj ju keni takuar mjaft personalitete të jetës politike gjermane. Cilët ju kanë lënë më shumë mbresa dhe me pak fjalë, pse?

Bashkim Zeneli: Për këtë kam shkruar me shumë respekt dhe mirënjohje në libër. Sigurisht nuk ka qenë e lehtë të kesh të tilla raporte, në të gjitha nivelet. Pa dyshim ndikonin situatat në Shqipëri dhe zhvillimet në Kosovë, ku interesimi gjerman ishte shumë i madh. Dhe sigurisht e dija shumë mirë se në këto raporte bashkëpunimi e bashkëbisedimi kërkohej seriozitet, besueshmëri, përgjegjësi, të qenit i hapur dhe pa dyshim njohje e problemeve, debateve, qëndrimeve të brendshme e të jashtme, sidomos për çështjen e Kosovës.

Pa bërë ndonjë dallim shumë të madh, por me që po më pyesni, do të veçoja sidomos marrëdhenien miqësore dhe bashkëpunimin me ministrat Scharping, Schilly dhe Zopel. Flas jashtë marrëdhënieve protokollare, ata kanë bërë shumë edhe për Shqipërine edhe për Kosovën. Ministrat Fischer dhe Scharping kanë shkruar edhe libra të mrekullueshëm për çështjen e Kosovës.

DW: E interesuar për shqiptarët në Gjermani nuk është vetëm politika, por edhe shkenca dhe kultura, aspekte këto që për faktin që nuk janë aq të bujshme sa politika, shpesh kalojnë në sfond të dytë. A mund të na thoni diçka për kontributin e studiuesve të sotëm në Gjermani për kulturën, gjuhën apo historinë e shqiptarëve?

Bashkim Zeneli: Është vërtet një pyetje interesante. Shpesh mendohet se kur janë mirë dhe normale marrëdhëniet politike çdo gjë shkon mirë apo çdo gjë është e mbuluar. Sigurisht marrëdhëniet politike janë parësore, por jo gjithçka. Shkenca, kultura, letërsia, historia dhe arti kanë një vlerë shumë të madhe për raportet midis vendeve, por edhe për imazhin. Kultura dhe arti i afron me shumë popujt dhe kur ndodh kjo, u krijohen lehtësi edhe raporteve politike. Ne kemi t'i tregojmë botës shumë nga historia, kultura, arti dhe letërsia jonë. Por këtu punohet fare pak.

Unë kam shkruar gjerësisht në libër edhe për figura të shquara të shqiptareve në Gjermani. Janë shumë, por unë do të permend kardiologun e famshem prof. Adnan Kastrati, arkeologun e shquar prof. Gjergj Frashëri, gjuhëtaret dhe studiuesit e njohur Bardhyl Demiraj e Pandeli Pani, piktorë të talentuar, artistë, shkrimtarë, profesorë universitetesh, sportistë shembullorë etj, etj. Ata duhen njohur nga shteti, duhen vlerësuar, por edhe duhen “shfrytëzuar”, duhen aktivizuar, duhet të bëhen vërtetë kontribues për Shqipërinë.

Në libër kam shkruar se, historikisht Gjermania ka qenë më afër Shqiperisë, se asnjë vend tjetër, në fushën e studimeve të albanologjise, të historiografisë, të gjuhësisë. Shkencëtarë të shquar gjermanë i kanë bërë një nder të madh Shqipërisë, me kohë. Na kanë bërë të njohur kudo!

Por edhe sot në duhet të dimë të vlerësojmë e të çmojmë punën e gjatë e të shquar shkencore të albanologut me të njohur të kohës, prof. Wilfried Fiedler. Ai ka dekada që studion e boton vepra të mëdha për gjuhën, morfologjinë, historinë e shqipes apo për dialektet e saj. Ai është i shquar edhe për botimin e disa fjalorëve, Jo vetëm shkenca, duhet t'i jetë mirënjohëse ketij profesori, që edhe sot punon pa reshtur për kulturën shqiptare.

Po kështu duhet t'i jemi mirënjohës profesorit të shquar Walter Rauning për kontributet në historinë e kulturës shqiptare. Botimet e tij, edhe në kuadër të Ekspozitës së Kultures Popullore në Mynih, në vitin 2001, me të cilën ai u mor me aq përgjegjësi, kanë vlera të mëdha, sidomos në fushen ikonografike.

Do të vlerësoja përkthyesin dhe mikun tim të vjetër Joachim Röhm, përkthyes serioz, i aftë, i pasionuar i letërsisë shqipe. Ai është edhe sot përkthyesi kryesor i veprës së Kadaresë në gjermanisht.

Fola për këto figura, sepse edhe kam bashkëpunuar ngushtë me to gjatë viteve të mia në Gjermani. Por ka edhe shumë e shumë të tjerë, që kanë bërë dhe bëjnë aq shumë punë për kulturën dhe historinë e Shqiperise. Disa edhe janë ndarë nga jeta.

DW: Dhe në fund një pyetje më tepër me karakter humoristik. Gjermania dhe gjermanët asociohen vetëm me atribute pozitive dhe superlativa. Kur jeton vetë në Gjermani sheh që “edhe këtu me ujë gatuhet“ si thotë një shprehje gjermane. A ka ndonjë gjë që do ta „kritikonit“ tek Gjermania dhe gjermanët?

Bashkim Zeneli: Gjermanët do të ishin edhe shumë më të mirë se janë, nëse do të ishin edhe paksa mesdhetarë!