1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Hijet e skandalit "Quadriga" mbi dialogun e Petërsburgut

Debatet rreth çmimit Quadriga për Putinin, nuk do të rëndojnë për kohë të gjatë marrëdhëniet e Gjermanisë me Moskën. Shqetësuese janë diferencat e forta në radhët e elitës politike në Gjermani në politikën ndaj Rusisë.

default

Si shpesh vitet e fundit, edhe Dialogu i Petërsburgut i sivjetëm nuk ishte me ogur të mbarë. Është gati një rregull për të ardhur keq, që pak para "Takimit të shoqërive civile gjermane dhe ruse" hidhet hije mbi bisedimet edhe kështu jo gjithnjë të lehta: kështu për shembull, pak para Dialogut të Petërsburgut në 2006-ën u vra gazetarja ruse Anna Politkovskaja. Në 2008-ën lufta ruso-gjeorgjiane shkaktoi krizë në marrëdhëniet gjermano-ruse, dhe në 2009-ën u vra në Kaukazin verior veprimtarja e të drejtave të njeriut Natalija Estemirova.

Skandali Quadriga

Këtë vit ishin grindjet rreth çmimit Quadriga të planifikuar për t'iu dhënë kryeministrit rus Vladimir Putin, të cilat arritën kulmin me anulimin e dhënies së çmimit një ditë para fillimit të Dialogut të Petërsburgut në Volfsburg dhe Hanover.

Nuk është për t'u habitur, që veçanërisht përfaqësuesit zyrtarë rusë si zëvendëskryeministri Zubkov (njëkohësisht kryetari rus i komitetit drejtues të Dialogut të Petërsburgut) dhe ambasadori rus Grinin reaguan disi të irrituar dhe të nxehur ndaj vendimit. Ata kritikuan jo pa të drejtë kaosin në kryesinë e shoqatës, e cila jep çmimin Quadriga. Megjithatë, në mënyrë krejt profesionale, ata nxituan të shpjegonin se skandali nuk ka pasoja në marrëdhëniet gjermano-ruse. Mesazhi është i qartë: Në Moskë janë zemëruar, por ky skandal nuk ka për ta ndryshuar politikën e jashtme të rusëve, të drejtuar prej pragmatizmit dhe realizmit.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Ingo Mannteufel.

Redaktori i Deutsche Welle-s, Ingo Mannteufel.


Elita gjermane e përçarë në politikën ndaj Rusisë

Por historia rreth çmimit Quadriga zbuloi diçka krejt tjetër, çka pala ruse duhet ta ketë regjistruar me njëfarë gëzimi. Elita gjermane është ndërkohë krejtësisht e përçarë në vlerësimin e Rusisë së sotme dhe të politikës që derivon kundrejt Rusisë. Kjo mund të ndihej që në prag të Dialogut të Petërsburgut, por u shfaq më vonë në diskutimet, referimet dhe bisedimet në Volfsburg.

Një pjesë e elitës gjermane është për një dialog me zë të ulët, diplomatik dhe të kujdesshëm me udhëheqjen ruse. Konfliktet e hapura shmangen. Në vend të kësaj (në besnikëri me dëshirën ruse, që Rusia të merret siç është dhe të mos kritikohet aq shumë) punohet për synime pragmatike. Të këqijat në Rusi nuk mohohen, por krahasohen me zhvillimet negative në Francë dhe Itali dhe kësisoj relativizohen.

Pjesa tjetër e bashkësisë gjermane që ka të bëjë me Rusinë është gjithashtu e interesuar për marrëdhënie të mira me Rusinë, por synon një kritikë më të qartë ndaj deficiteve demokratike dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në Rusi.

"Të butët" kundër "kritikëve" të Rusisë

Mendime dhe prirje të ndryshme në politikën gjermane ndaj Rusisë ka pasur gjithmonë, gjë që është edhe qenia e një shoqërie civile të gjallë dhe të lirë. Por ndërkohë ndarja po kthehet në hendek të thellë: Kërkohen për shembulll reforma strukturore, vihet në pyetje financimi i mëtejshëm i Dialogut të Petërsburgut dhe përkatësisht grupi tjetër nxihet me cilësime si "të butët" ose "kritikët e Rusisë".

Por ndarja i shkakton dëm të rëndë interesave gjermane në marrëdhënien me Moskën: Në rastin më të mirë, mospajtimi në eitën gjermane shpie në një rendje turpëruese poshtë e përpjetë si në rastin e çmimit Quadriga. Në rastin më të keq, disa gjermanë përcjellin përshtypjen, se janë të gatshëm që t'i realitivizojnë parimet demokratike ose që për marrëdhënie më të ngushta me Rusinë në politikën e sigurisë ta vënë në pikëpyetje partneritetin euro-atlantik. Këtë nuk mund ta dojë politika gjermane, aq më tepër në një kohë kur prej Gjermanisë pritet një vijë e qartë në Evropë.

Autor: Ingo Mannteufel

Redaktoi: E. Ajazaj