1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hijet e së shkuarës - Debat për procesin e lustracionit në Maqedoni

Puna e Komisionit të lustracionit është në qendër të vëmendjes së opinionit në Maqedoni. Ai kritikohet, se është shëndruar në vegël të partisë në pushtet VMRO-DPMNE për të njollosur oponentët politikë.

Komisioni për verifikimin e fakteve në seancat e fundit shpalli si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete disa emra të njohur të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, shkrimtarë dhe intelektualë të njohur. Ndër ta edhe poetin maqedonas Bozhin Pavllovski. Pas publikimit të emrit të tij si ish-bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, Pavllovski përmes një letre të hapur i është drejtuar kryeministrit Nikolla Gruevski.

"Revanshizmi është proces gjakpirës, nga i cili nuk vuajnë vetëm politikanët e çmendur, por edhe të pafajshmit dhe të dobëtit, gratë dhe fëmijët", reagon poeti Pavllovski. Në shenjë proteste për shkak të shpalljes bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete, Pavllovski dha dorëheqjen nga Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve, duke u bërë kështu akademiku i parë që heq dorë nga ky titull. Por jo vetëm Pavllovski renditet në emrat e bashkëpunëtorëve. Komisioni për verifikimin e fakteve ka shpallur si ish-bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete edhe akademikun Tome Serafimovski.

Komisioni i lustrimit

Komisioni i lustrimit

Akademiku Gjeorgje Stardellov në një intervistë për Deutsche Welle-n, thotë se procesi i lustrimit në Maqedoni po përçan thellë popullin maqedonas. “Unë jam i bindur se akademikët do t'i kundërpërgjigjen këtij tërbimi dhe se nuk do të pajtohen që ata të largohen nga tempulli i diturisë me njollat e zeza, me të cilat tenton t'i njollosë pushteti aktual”, është shpreh Stardellov.

Procesi i lustracionit „gjueti shtrigash“

Procesi i lustracionitnë Maqedoni është kritikuar edhe nga Komiteti i Helsinkit në Maqedoni, i cili në raportin më të ri reagon ashpër për shpalljen e kritikëve të qeverisë aktuale si spiunë, duke e cilësuar këtë rast si “gjueti shtrigash”. Procesi i lustracionit në Maqedoni shfrytëzohet për deklasimin e kundërshtarëve politikë, puna e komisionit ka dëshmuar veprime joprofesionale që dëmton interesat dhe jetën private të shumë qytetarëve, theksohet mes të tjerash në reagimin e Komitetit të Helsinkit. Sipas këtij institucioni, procesi i lustrimit duhet t'i përmbahet parimeve të Këshillit të Evropës duke u respektuar parimi i ligjshmërisë dhe i drejtësisë dhe jo veprime hakmarrëse dhe eliminuese , ku qytetarët nxirren para aktit të kryer duke u shpallur si bashkëpunëtor të shërbimeve sekrete, mes tyre një numër i madh akademikësh, profesorë e gazetarë.

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë

Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë

Axhiev: "Respektojmë ligjin, nuk jemi në shërbim të askujt

Kryetari i komisionit për verifikimin e fakteve Tome Axhiev, nuk e përjashton mundësinë për gabime të mundshme gjatë procesit të lustracionit. Ai në mënyrë ironike thotë se komisioni mund të ketë problem me ligjin, por vetëm nëse fshihet ndonjë bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete. Ai mohon se komisioni është dorë e zgjatur e pushtetit dhe hedh poshtë akuzat se komisioni keçpërdoret për konfrontim politik me opozitën. “Opozita gjithnjë e kritikon lustracionin, sipas të gjitha gjasave ata frikësohen të mos jenë vetë të lustruar”, shprehet Axhiev.

Edhe VMRO, Partia Popullore nën drejtimin e ish-kryeministrit, Lupço Georgievski ka reaguar për mënyrën se si po realizohet procesi i lustrimit në Maqedoni. Sipas kësaj partie, VMRO-DPMNE-ja po keqpërdor komisionin për lustracionin për interesa individuale dhe partiake. Kundër punës së komisionit të lustracionit ka dalë publikisht edhe anëtari Çedomir Damjanovski. Ai thekson se komisioni pa siguruar materiale të reja - kusht për hapjen e procedurës për lustracion rihap proceset për lustrim për ata intelektualë që nuk shihen me sy të mirë nga qeveria aktuale. Ndërsa ideatori i ligjit të lustracionit, Stojan Andov thotë se procesi ka humbur kuptimin ngase lustrohen edhe njerëz të vdekur, të cilët nuk kanë mundësi të kandidohen për të qenë drejtues të funksioneve publike.

Stojan Andov, politikani që propozoi ligjin e lustrimit, sot e kritikon atë

Stojan Andov, politikani që propozoi ligjin e lustrimit, sot e kritikon atë

Një proces i ndjeshëm dhe i dhimbshëm

Edhe për drejtuesin e shoqatës së ish-të burgosurve shqiptarë Shpëtim Pollozhani, komisioni po e humb rolin, për të cilin është formuar. “Ky komision po përdoret për pazare partiake dhe për qëllime ditore. Puna e komisionit po keqpërdoret duke u manipuluar për krijimin e turbulencave brenda opinionit vendas, me qëllim qe vëmendja e opinionit të tërhiqet nga ngjarjet që janë me interes jetik për të ardhmen e qytetarëve”, shprehet Pollozhani.

Analisti Alajdin Demiri thotë se lustrimi në Maqedoni është shndërruar në proces të revanshizmit mes partive. Ky proces që nga fillimi i tij është në shërbim të politikës aktuale ditore. “Në radhët e maqedonasve lustrohet çdo gjë që nuk është VMRO, sipas kësaj logjike del se te kjo parti nuk ka pasur asnjë spiun, me sa duket ekziston dëshira që ky subjekt politik të paraqitet si viktimë e sistemit komunist”, shprehet Demiri.

Për ish-ministrin e brendshëm Pavle Trajanov procesi i lustracionit është i ndjeshëm, por që duhet të përfundojë sepse vetëm në këtë mënyrë do të pastrohet e kaluara. “Procesi i lustracionit është shumë i ndjeshëm, por në të njejtën kohë edhe shumë i dhimbshëm, të gjithë pjesëmarrësit në lustrimin e personave duhet të jenë të përpiktë, sepse bëhet fjalë jo vetëm për fatin e individëve por edhe të familjeve të tëra”, shprehet Trajanov. Procesi i lustrimit në Maqedoni duhet të përfundojë në vitin 2019, por deri më tani Komisioni nuk lëvdohet për punë të suksesshme. Asnjëherë anëtarët e pozitës dhe opozitës në komision nuk kanë miratuar ndonjë vendim me konsensus, ndërsa anëtarët e opozitës disa herë kanë braktisur punën e komisionit, në shenjë proteste.