1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Hije mbi politikanin më popullor - Guttenbergu dhe afera e Kunduzit

Ministri gjerman i Mbrojtjes Guttenberg dëshmon sot para komisionit hetimor për sulmin ajror në Kunduz shtatorin e kaluar. Atëherë ai nuk ishte ende ministër i Mbrojtjes, por edhe deklaratat e tij ishin kundërthënëse.

default

Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg duke përcjellë inspektorin e përgjithshëm të ushtrisë Wolfgang Schneiderhan dhe sekretarin e shtetit Peter Wichert

Kur Karl-Theodor zu Guttenbergu (CSU) mori Ministrinë e Mbrojtjes në vjeshtë të 2009-ës, ai ishte figura më popullore në qeverinë konservatoro-liberale: me kompetencë, dinamizëm dhe vetëbesim e kishte udhëhequr 38-vjeçari portofolin ekonomik, tani ai duhet të dëshmonte aftësitë e tij në krye të ushtrisë gjermane. Por, afera e Kunduzit do ta eklipsojë shpejt kohën e tij në detyrë.

Fillim i lehtë për Guttenbergun

E derisa në fillim Guttenbergu e ka të lehtë që të paraqitet më mirë sesa paraardhësi i tij i zbehtë Franz Josef Jung (CDU), ai gabon në vlerësimin e sulmit ajror të Kunduzit me pasoja të rënda. Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës Guttenbergu fton shtypin në Ministrinë e Mbrojtjes. Atje ai bën fjalë për gabime që janë bërë gjatë sulmit deri tani më të rëndë në historinë e ushtrisë gjermane, dhe kjo është diçka e re. Pavarësisht kësaj, vlerësimi i tij i përgjithshëm i bombardimit me 142 të vrarë është ky:

"Unë vetë mbërrij në përfundimin se nuk kam dyshime në gjykimin e inspektorit të përgjithshëm të ushtrisë, se goditjet ushtarake dhe ajrore duhen parë si ushtarakisht me vend në sfondin e kërcënimit të përgjithshëm."

Flash-Galerie Deutschland 100 Tage schwarz-gelb Kundus

Ushtar afgan pranë njërës prej dy cisternave të bombarduara të naftës në Kunduz

Deklarata e tij pas sulmit ajror nuk përputhej me faktet

Ky vlerësim i prezantuar me gjeste të vetësigurta nuk i bën ballë gjatë realitetit. Prej muajsh dihet se ndër 142 të vrarët nuk pati vetëm talibanë, por edhe shumë civilë - vërtet një "sulm me vend" në një angazhim që duhet të kursejë popullatën civile? Opozita dhe mediet mbeten kritike.

Gjendja acarohet kur një gazetë bulevardeske gjermane publikon detaje nga i ashtuquajturi "raporti i policisë ushtarake", të cilin e përgatiti një ushtar gjerman pas sulmit ajror. Siç thotë vetë Guttenbergu nuk e njeh këtë raport dhe për këtë bën përgjegjës dy bashkëpunëtorë të rëndësishëm: sekretarin e shtetit Peter Wichert dhe inspektorin e përgjithshëm të ushtrisë Wolfgang Schneiderhan, ushtarin gjerman me rangun më të lartë.

Më 25 nëntor 2009 ai i shkarkon këta të dy nga detyra me arsyetimin se nuk i kishin treguar dokumente të rëndësishme. Të dy këta janë të befasuar, pasi raportin e policisë ushtarake nuk e konsiderojnë me rëndësi. Për ta vendimtare janë informacionet në raportin hetimor të NATO-s, të cilin Guttenbergu e ka lexuar. Para së gjithash Schneiderhani shumë i respektuar, ndihet i prekur në sedër kur Guttenbergu e akuzon për "fshehje". Në këtë mënyrë ministri i ri e bën armik gjeneralin 63-vjeçar me katër yje, i cili i ka shërbyer për dekada me radhë me besnikësi ushtrisë gjermane.

Guttenbergu në qendër të aferës së Kunduzit

Tani edhe Guttenbergu gjendet mu në aferën e Kunduzit. Ngjarjet vijnë tani rresht: ish-ministri i mbrojtjes Jung, ndërkohë ministër i punës, jep dorëheqjen - edhe ai kishte këmbëngulur fillimisht se ishin vrarë vetëm talibanë dhe nuk e kishte informuar parlamentin dhe publikun. Guttenbergu e ndryshon papritur vlerësimin e vet që sulmi ka qenë "ushtarakisht me vend".

Kur bëhen publike gjithmonë e më shumë detaje mbi kryerjen e operacionit, parlamenti cakton një komision hetimor, që fillon nga puna në janar. Pas kolonelit Georg Klein, i cili dha urdhrin për sulmin ajror, ish-inspektorit të përgjithshëm të ushtrisë Schneiderhan dhe ish-ministrit të mbrojtjes Jung pyetjeve të deputetëve duhet t'ju përgjigjet edhe ministri aktual. Temë e kësaj seance do të jenë para së gjithash rrethanat e shkarkimit të Wichertit dhe Schneiderhanit. Përveç kësaj Guttenbergu duhet të shpjegojë në bazë të cilave të dhëna e ndryshoi vlerësimin për sulmin ajror.

Autor: Nina Werkhäuser / Elert Ajazaj

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 22.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N2VT
  • Data 22.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N2VT