1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Hije mbi bashkimin e Gjermanisë: Raporti vjetor

E ngarkuara e qeverisë gjermane për Lindjen e Gjermanisë është e shqetësuar për rritjen e ksenofobisë në Lindje, por ajo sheh edhe zhvillime pozitive në ish-Republikën Demokratike Gjermane.

Deutschland Anschlag auf Flüchtlingsunterkunft in Dresden

Armiqësia ndaj të huajve në Lindje rrezikon edhe ekonominë

"Kemi arritur shumë në Gjermani në këto 26 vite", thotë Iris Gleicke gjatë prezantimit të "Raportit Vjetor për Gjendjen e Bashkimit të Gjermanisë" këtë javë në Berlin. Por shqetësimi kryesor i saj është zhvillimi politiko-shoqëror në lindje të Elbës, konkretisht armiqësia e dukshme ndaj të huajve në Lindje. Numri i akteve të dhunës me sfond ekstremist të djathtë është rritur "në mënyre dramatike" krahasuar me numrin e popullsisë. Prandaj në raportin vjetor shënohet se ekstremizmi i djathtë, armiqësia ndaj të huajve dhe intoleranca janë një kërcënim "shumë serioz" për zhvillimin ekonomik të landeve të reja gjermane. Kjo rritje është më shumë se "një sinjal i thjeshtë alarmi", thuhet në raport.

"Shumica e gjermanolindorëve nuk është ksenofobe"

E nevojshme është një ndërhyrje e vendosur e politikës dhe shoqërisë civile, "për të siguruar paqen shoqërore në Lindje të Gjermanisë", por Gleicke thekson edhe se "shumica e gjermanëve të Lindjes nuk është ksenofobe apo ekstremiste e djathtë". Prandaj ajo kërkon që kjo shumicë të ngrejë më shumë zërin dhe të mos ia lërë mbrojtjen e fshatrave dhe qytezave "fantazmës naziste".

Iris Gleicke, Parlamentarische Staatssekretärin im Bundeswirtschaftsministerium und Beauftragte für Tourismus

Iris Gleicke

Në kontekstin e akteve të dhunës kundër refugjatëve, duket sikur nuk bien në sy sukseset e arritura në Lindje. Kështu papunësia është ulur në 9,2%, jo shumë larg në kohë, ajo ishte dyfish më e lartë. Por në Perëndim papunësia është edhe më e ulët, 5,2%.

Firmat e koncernet e mëdha nuk gjenden në Lindje

Frika se armiqësia ndaj të huajve mund të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik, mund të jetë një shpjegim për disa disavantazhe ekonomike të Lindjes: Ky rajon vuante nga deficite strukturore edhe para krizës së refugjatëve. Një pengesë serioze përbën mungesa e koncerneve e firmave të mëdha, thotë Gleicke, gjë që shkon paralelisht me dobësi inovacioni dhe gradën e ulët të internacionalizimit të ekonomisë në Lindjen gjermane.

Shpresa: Digjitalizimi dhe energjitë e ripërtëritshme

Por e ngarkuara e qeverisë gjermane për Lindjen, Iris Gleicke sheh shanse në integrimin e refugjatëve edhe për shkak të problemeve më të mëdha demografike në Lindje dhe mungesës së fuqisë punëtore. Integrimi kërkon kohë, para dhe duhet të jetohet në terren. Qëllimi është që "Gjermania Lindore për refugjatët me një perspektivë qëndrimi të kthehet në një vendlindje të re", thotë Gleicke.

Deutschland Windenergie Offshore-Windpark Baltic 1 Ostsee

Në Lindje është i lartë numri i sipërmarrjeve që prodhojnë energji të rigjenerueshme

Cilat janë impulset për rritjen e atraktivitetit në Lindje? Gleicke përmend digjitalizimin e rajoneve rurale dhe energjitë e rigjenerueshme. Në Lindje është i lartë numri i sipërmarrjeve nga kjo degë e ekonomisë, gjë që e kthen përdorimin e energjive të rigjenerueshme në një "avantazh të vërtetë" për Lindjen.