1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hija e revolucionit në Tunizi - një vit pas ikjes së diktatorit Ben Ali

Tunizia ka përjetuar një vit të trazuart: me 14 Janar 2011 ka ikur nga vendi diktatori Ben Ali. Po a janë zhvilluar gjërat siç kanë pritur tunizianët dhe ku gjendet sot ky vend?

Zine El Abidine Ben Ali

Para një viti u largua diktatori Zine El Abidine Ben Ali

Presidenti i ri i Tunizisë Moncef Marzouki nuk e ka pritur këtë: që njerëzit e dëshpëruar të dalin në rrugë dhe të brohorasin kundër tij fjalën e mirënjohur "dégage!" - që do të thotë "shporru". Kjo thirrje i ishte bërë para një vit diktatorit Zine el-Abidine Ben Ali. Por njerëzit në jug të Tunizisë ndërkohë janë të dëshpëruar edhe me udhëheqjen e re politike.

Presidenti Marzouki dhe Kryeminstri i ri Hamadi Jebali përballen me këtë mllef çdo herë kur vizitojnë këtë rajon. Një vit pas largimit të diktatorit Ben Ali, Tunizia po përballet shpesh me demonstrata dhe greva. Gjendja është e keqe në veçanti në jugun ekonomikisht të pazhvilluar, i cili ishte edhe djepi i lëvizjes për ndryshime demokratike. Shumë tunizianë thonë se gjendja e tyre është përkeqësuar pas ndryshimeve demokratike. Kështu është edhe në qytetin Gafsa, ku papunësia arrin deri në 40 %.

Protesta në Tunizi.

Protestat vazhdojnë edhe tani një vit më pas.

Dëshpërimi i qytetarëve në jug të vendit

"Më në fund diçka duhet të ndryshojë! Shikoje këtë infrastrukturë - s'ka asgjë! Kjo është një katastrofë absolute! Qeveria duhet të kujdeset për përmirësimin e gjendjes në Gafsa", thotë një banor.

Qeveria ka premtuar zhvilllimin rajonal, hapjen e shkollave, të spitaleve dhe ndërtimin e rrugëve në shumë vende si Gafsa. Ministri i Ekonomisë Azzam Mahjoub thotë se Tunizisë i duhet më shumë kohë për ndryshime.

"Në Tunizi mund të ketë demokraci vetëm atëherë kur të ketë zhvillim. Kur njerëzit të vërejnë se vendi është në rrugën e duhur ata do të kenë më shumë edhe durim. Por nëse shohin se gjërat nuk po ndryshojnë aspak, atëherë do të jetë vështirë", pohon ai.

Autoritetet kërkojnë durim

Në këtë moment duket se dëshpërimi është shumë më i madh se durimi. Ministri Azzam Mahjoub pohon se papunësia në vend është 20 %. Akademikët dhe të rinjtë nuk gjejnë punë. Turizmi ka rënë, ekonomia është në stanjacion, ndërsa investitorët nuk kanë ardhur siç është pritur. Janë këto pasoja të krizës financiare por edhe të revolucionit - ky është çmimi i lartë i lirisë.

Tregtari i perimeve Mohammed Bouazizi para një vit kishte marrë pjesë në protesta. Para disa ditësh ai doli në rrugë, hodhi benzinë mbi vete duke i vënë flakë trupit. Nga pasojat e djegieve humbi jetën në spital.

Moncef Marzouki

Moncef Marzouki kërkon durim.

Duket se historia mund të përsëritet, thotë pesimistët. Para një viti protestat kanë filluar për shkak të gjendjes së mjerë ekonomike. Tani ata sërish dalin në rrugë. Presidenti Moncef Marzouki thotë se strukturat e reja po përpiqen të bëjnë reformat demokratike, si parakusht për përmirësimin e gjendjes:

"Ka demonstrata, por pavarësisht problemeve të mëdha vendi po lëviz përpara. Unë po përpiqem që tunizianëve t'ua bëj të qartë se ne kemi nevojë për stabilitet politik, nëse duam të sjellim investitorët në vend. Ata janë të gatshëm, por nëse njerëzit vazhdojnë me protesta ne do të presim vetë degën ku jemi ulur!", pohon presidenti.

Autor: Alexander Göbel/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani