1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hija e gjatë e luftës së Vietnamit

Lufta e Vietnamit tregoi kufijtë e fuqisë ushtarake amerikane. 58.000 ushtarë të SHBA-së ranë, miliona ushtarë e civilë vietnamezë humbën jetën. Edhe sot e kësaj dite ndihen pasojat e kësaj lufte.

Cliff Riley rënien e Sajgonit e pa në televizor. Ai në vitin 1966 në moshën 19 vjeçare u regjistrua vullnetarisht ushtar. I nxitur prej një krenarie të verbër kombëtare, që buronte prej fitores së Amerikës ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore, në fillim Riley vazhdonte të besonte, se edhe ndërhyrja e SHBA-së në Vietnam ishte një luftë e drejtë, kësaj here kundër kërcënimit komunist.

Riley donte të bëhej pilot helikopetri, por nuk mundi ta realizojë këtë, sepse ai kishte një perceptim të mangët ndaj hapësirës. Në vend të kësaj ai u bë teknik telekomunikacioni dhe ndihmoi në ndërtimin e një rrjeti telefonie për ushtrinë në Jugt të Vietnamit. Kur Riley mbërriti atje, pa varfërinë e madhe dhe mendoi, se SHBA-ja mund të ndihmojë.

Por realiteti nuk ishte aspak bardh e zi, ai ishte pështjellues. Riley nisi të dyshojë gjithnjë e më shumë ndaj ndërhyrjes amerikane. Ai pa vuajtjet e vietnamezëve, pa se si vendi i tyre po shkretohej prej luftës, dhe pyeste veten, nëse Amerika po bën vërtetë diçka të mirë. "Mua më dhimbte, se si ne po bënim një dëm kaq të madh", thotë ai sot. "Ne po e shkatërronim vendin e tyre. Unë mendoja, se çfarë do të mbetet kur ne të largohemi prej këtij vendi."

Por mbi të gjitha Riley humbi shokët e tij. Shtatë shokë të shkollës nga Ohajo ranë në luftë. Kur ai pa në televizor, se si vërshuan vietnamezët veriorë në Sajgon më 30 prill 1975, atë e mbërtheu indinjata dhe hidhërimi për të gjitha ato që kishin humbur. "Unë qaja me lot e vajtoja: "Përse e gjitha kjo? Shokët e mi ishin vrarë. Përse?'"

Përse bëri luftë Johnson?

Vietnamkrieg

Ushtarë amerikanë në Vietnam, fotografi e 6 shkurtit 1968

Edhe dyzet vjet pas rënies së Sajgonit askush nuk mund të sqarojë bindshëm, se përse vdiqën shokët e Rileys. Figura kyç në zgjidhjen e kësaj pse-je është Lyndon Johnson, presidenti i 36 i SHBA-së. Johnson ishte një demokrat liberal nga Teksasi, një reformator, i cili angazhohej për drejtësi sociale dhe barazi racore. Por politika e tij përparimtare e punëve të brendshme ishte në kontrast me politikën e tij agresive të punëve të jashtme. Më 1965 ai nxiti përshkallëzimin ushtarak duke i shndërruar misionet e konsulencës në luftë, kulmi i kësaj arriti me angazhimin e 500.000 ushtarëve të SHBA-së në Vietnam.

"Ka shumë indikatorë, që nxjerrin në pah dyjëzimin e brendshëm të Lyndon Johnson në çështjen e Vietnamit", thotë historiani dhe autor librash Edward Miller. "Nga njëra anë ai mendonte se SHBA-ja duhet të mbështesë Vietnamin e Jugut", thotë Miller. "Në këtë periudhë SHBA kishte 15 vjet që ishte angazhuar në Vietnam. Nga ana tjetër ishte e qartë, që lufta e Vietnamit i krijonte atij kokëçarje të mëdha."

Disa historianë besojnë, se Johnson ishte një luftëtar i bindur i Luftës së Ftohtë, që besonte në teorinë e efektit domino, sipas së cilës komunizmi mund të përhapej si zjarri në kashtë në rast se Vietnami i Jugut do të binte nën kontrollin e Veriut. Të tjerë besojnë, se Johnson nisur nga interesat e politikës së brendshme vendosi për luftën. Si president liberal, që ndiqte politikën e brendshme përparimtare, ai u druhej sulmeve të së djathtës, se po i bënte lëshime komunizmit. Sot shumë historianë mendojnë, se personaliteti i Johnson-it ka qenë faktori më i rëndësishëm për marrjen e vendimit për të dërguar trupa luftarake në Vietnam. Ai ishte një njeri i pasigurtë, të cilit i duhej të tregohej i rreptë në aparencë.

Agent Orange

Me qëllim, që të shkatërronte mjediset e strehimit të kryengritësve komunistë, SHBA-ja spërkati xhunglën e dendur të Vietnamit me 80 milionë litra Agent Orange, lëndë që përdoret për zhveshjen nga bimësia. Agent Orange përmban dioksinë me përqendrim të lartë toksik. Për vite me radhë qeveria e SHBA-së nuk e pranonte lidhjen mes kontaktit me dioksinë dhe problemit shëndetësor të veteranëve të kthyer nga lufta si Cliff Riley.

"Dioksina ka sëmurur shumë prej nesh", thotë sot 69 vjeçari Riley. "Njerëzit që bien në kontakt me dioksinën janë më të rrezikuar prej sëmundjeve si kanceri i prostatës, i mushkërive apo parkinsoni."

Qysh në moshën 40 Riley ka kaluar dy atake kardiake. Gruaja e tij ka pasur një abort të padëshiruar. Ai ka pasur probleme me veshkat, fshikzën e urinës dhe me tëmthin. Ai është diagnostikuar me kancer në zorrën e trashë dhe sot vuan nga diabeti. Djali i tij ndër të tjera vuan prej legastenisë dhe një defekti në legen. Vetëm përmes ligjit të vitit 1991 qeveria e SHBA-së nisi ta pranojë që këto sëmundje kishin lidhje me dioksinën dhe kësisoj miratoi zhdëmitim për veteranët.

"Por për vietnamezët gjendja është dhjetëfish më e vështirë, sepse ata jetojnë me dioksinën që ka depërtuar në ujrat nëntokësore dhe në ujin e pijshëm", thotë Williamson. "I gjithë vendi është i ngopur me këtë lëndë. Atje ka më shumë raste të sëmundjeve nga kanceri dhe dëme në lindje se sa tek ne. Ne e dimë edhe sot, se dioksina mund të prekë deri në shtatë breza të një familjeje."

Sindroma Vietnam?

Vietnam Folgen von Agent Orange

Pasoja nga lënda Agent Orange

Tmerri i luftës dhe dështimi ushtarak ishin kaq traumatizues për SHBA-në, sa disa amerikanë besojnë, që vendi i tyre vuan prej "sindromës Vietnam". "Për arsye se kjo luftë ishte një katastrofë, sepse ajo u urrye aq shumë prej popullsisë, politikanët drejtues të SHBA-së pas saj kanë ngurruar gjatë për dërgimin sërish të ushtrisë jashtë vendit", thotë historiani Edward Miller.

Por jo kushdo e sheh tragjedinë e Vitenamit si një dëshmi paralajmëruese ndaj kufijve të fuqisë ushtarake amerikane. Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 SHBA dhe presidenti Bush marshuan në Afganistan e në Irak dhe në mesin e kryengritësve ndiqnin politikën ambicioze të nation building - të dyja këto konflikte mund t'i quash në rastin më të mirë pa rezultat. Ndërkohë nuk është Vietnami, por lufta e Afganistanit konflikti më i gjatë në historinë amerikane.

Megjithatë "Vietnami mbetet pikë referimi", sipas historianit Edward Miller. "Pavarësisht nëse diskutimi sillet rreth asaj se çfarë duhet të bëjë SHBA në Irak apo Afganistan ose se si duhet të sillet ajo ndaj 'Shtetit Islamik', në të gjitha këto raste Vietnami është pika e parë e referencës."