1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Hija e gjatë e Khomeinit

Para 35 vjetësh në Iran mbizotëronte atmosfera e entuziasmit: Shahu Reza Pahlawi ishte rrëzuar, shteti i tij policor kishte rënë. Por shumë shpejt entuziasmi i la vend realitetit me pasoja deri ditët e sotme.

Fjalori politik në Iran ka ndryshuar qëkurse Hassan Rohani u zgjodh President i ri i vendit në qershor 2013. Publikisht kleriku i moderuar flet për "bashkëpunim me Perëndimin", për "përparime në konfliktin bërthamor", dhe për "më shumë liri për popullin iranian". Fjalë që jashtë Iranit regjistrohen me dashamirësi, por që nuk mund të fshehin faktin që Rohani i vetëm nuk mund të vërë në jetë thuajse asnjë nga këto premtime. Presidenti është figurë relativisht e dobët në sistemin politik në Iran. Pasi në të gjitha çështjet e rëndësishme ai varet nga "dijetarët e lartë të së drejtës". Kjo është e përcaktuar në kushtetutën e vendit, e cila orientohet fort në teoritë e shtetit të Ajatollah Khomeinit, figurës qendrore të "Revolucionit islamik" të vitit 1979.

"Shahu duhet të largohet!"

Khomeini gjatë një fjalimi në vitin 1963

Khomeini gjatë një fjalimi në vitin 1963

Boshti i drejtimit të revolucionit fillimisht ishte ende i hapur. Pasi lëvizja e revolucionit që tronditi Iranin në vitet 1978/1979, ishte tejet heterogjene: forcat komuniste, nacionaliste, liberale dhe fetare kishin vetëm një objektiv të përbashkët: "Shahu duhet të largohet!". 25 vjet kishte sunduar ai në Iran, me mbështetje masive nga Uashingtoni: diktator brenda, marionetë jashtë. Ndërkaq hendeku mes të varfërve dhe të pasurve kishte marrë tipare thuajse të çuditshme: veçanërisht në zonën rurale miliona iranianë jetonin nën kufirin e varfërisë, ndërkohë që një elitë e vogël rreth Shahut shijonte një stil jetese dekadent luksi të shfrenuar.

Fillimisht revolucioni u mbështet para së gjithash nga shtresat borgjeze, thotë publicisti iranian që jeton në Berlin Bahman Nirumand, i cili ka përjetuar vetë rrëzimin e regjimit në Teheran: "Irani ishte bërë një vend i rëndësishëm ekonomikisht vetëm në sajë të të ardhurave nga nafta", thotë Nirumand. "Për pasojë në qytete ishte krijuar një shtresë e mesme relativisht e madhe e cila kërkonte të drejtë fjale në politikë." Ata dëshironin një Iran më të lirë, më liberal. Edhe për këtë arsye në protestat e vitit 1978 shumë vetë mbanin pankarta me fotografinë e ish kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Mossadegh, i cili në vitin 1953 ishte rrëzuar nga posti me një puç të mbështetur nga CIA.

Islamistët iu bashkuan më vonë lëvizjes edhe pse Ajatollah Ruhollah Khomeini arriti ta manovronte veten si lider i saj. "Khomeini ishte kritiku më i ashpër klerik i Shahut", shpjegon Reza Hajatpour nga Universiteti i Erlangen-it. Nga mërgimi në Paris, Khomeini mbante fjalime të zjarrta kundër regjimit të Shahut, ndërkohë që shumë klerikë në Iran i qëndronin në pjesën më të madhe larg politikës, thotë studiuesi i fesë islame, i cili në 1978 kishte filluar vetë një kualifikim në shkollën e lartë teologjike në Ghom. Khomeini premtoi jo vetëm të ndihmonte të varfërit. Ai donte t'i jepte fund jetës luksoze të perceptuar si "dekadencë perëndimore" dhe të detyronte një ndryshim të plotë mendimi në aspektin kulturor drejt një "Republike islamike". Dhe iranianët i shkuan pas me entuziazëm, kujton Bahman Nirumand: "Njerëzit mendonin: 'republikë' tingëllon mirë dhe 'islame' gjithashtu pasi jemi vend islam.' Asokohe askush nuk e thoshte se objektivi ishte islamizimi i plotë i vendit."

Pranvera e shkurtër e lirisë

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Dhe kështu në fillim u duk se kishte një bashkëpunim të mullahëve me liberalët. Në 1 shkurt 1979 Khomeini u kthye nga mërgimi. Vetëm katër ditë më vonë ai emëroi politikanin liberal Mehdi Bazargan kryeministër të qeverisë kalimtare. "Por që në mandatin e tij u bë e qartë se mes klerit dhe forcave liberale kishte dallime të forta", kujton Reza Hajatpour. Përkrahësit e Khomeinit eliminuan me dhunë brutale thuajse të gjithë përkrahësit e shahut dhe vunë në lëvizje transformimin drejt një rendi shoqëror rreptësisht islamik.

Shahu dhe oborri i tij bënin një jetë dekadente. "Kundër saj ishin jo vetëm islamistët por të gjithë", thotë Bahman Nirumand. "Për këtë arsye Khomeini gjeti një terren mjaft pjellor për ndryshime kulturore". Me shumicë dërrmuese populli iranian votoi në dhjetor 1979 për një kushtetutë të re islame, e cila ishte hartuar plotësisht sipas liderit të lartë të revolucionit Khomeini.

Gjithë pushteti në duart e mullahëve

Të majtët dhe liberalët kishin pak në dorë për t'iu kundërvënë e megjithatë arritën ta zhvillonin hapur për një farë kohe luftën për pushtet. Në janar 1980, dy muaj pas sulmit kundër ambasadës së SHBA në Teheran, populli zgjodhi Abolhassan Banisadr President të ri të republikës. "Por që atëherë u pa se kleri nuk ishte dakord", thotë Reza Hajatpour, "ata kishin kandidatët e tyre." Banisadr u kthye në një kundërshtar të pakëndshëm të Khomeinit dhe paralajmëroi në mënyrë të përsëritur ndaj një diktature të klerit. "Populli ishte i përçarë", kujton Bahman Nirumand, dhe vendimi erdhi vetëm me luftën Iran-Irak. Ajo ishte, siç tha Khomeini 'një dhuratë nga qielli'".

Në shtator 1980 Sadam Husein, i armatosur masivisht nga SHBA, sulmoi Iranin. Tetë vjet me radhë dy shtetet u përfshinë në një luftë mizore. Në fund nuk pati asnjë fitimtar në plan ushtarak, rreth 1 milion vetë humbën jetën. Por në politikën e brendshme lufta solli vendimin përfundimtar në favor të mullahëve, "pasi çdo opozitë mund të eliminohej me argumentin e armikut të jashtëm dhe qindra mijëra vetë mund të dërgoheshin në front. Para së gjithash islamistët arritën të triumfonin me ideologjinë e tyre të martirizimit, të sakrifikimit për atdheun", thotë Nirumand. Viktima më e shquar politike ishte Abolhassan Banisadr: ai u bë përgjegjës për shumë humbje në front dhe në 21 qershor 1981 u shkarkua nga Parlamenti iranian. Më e vonëta në atë moment, rruga për mullahët ishte përfundimisht e lirë.

Udhëheqës i fortë fetar, president i dobët

Khomeini kërcënon SHBA-të me ndërpreje të furnizimit me naftë

Khomeini kërcënon SHBA-të me ndërpreje të furnizimit me naftë

Njëra pas tjetrës vendin e tronditën një seri ekzekutimesh. Liberalë dhe komunistë, përkrahës të shahut dhe klerikë opozitarë nga radhët e veta u përndoqën, burgosën, ekzekutuan në masë. Pasues i Banisadr në postin e presidentit u bë Mohammad Ali Raxhai. Por ai u vra në një atentat me bombë pas vetëm 28 ditësh në post dhe u pasua nga Sajed Ali Chamenei. Që prej vdekjes së Khomeinit ky është udhëheqësi më i lartë fetar dhe kështu dhe njeriu më i pushtetshëm në Iran.

Që prej revolucionit sistemi politik në Iran ka ndryshuar pak: edhe sot të gjitha fijet e pushtetit janë në duart e udhëheqësit më të lartë fetar. Presidenti Rohani nuk mund të bëjë thuajse asgjë pa miratimin e Chameneit. Por Chamenei nuk ka karizmën e Ruhollah Khomeinit, thotë Reza Hajatpour. "Në përgjithësi ideologjia e Republikës Islamike nuk luan më rol aq të madh. Sot mbizotëron një lloj pragmatizmi robust."

Këtë e tregon edhe politika e re nën Presidentin Rohani. "Me të tani po bëhen përpjekje të ndreqet në një farë mase ajo çka vitet e fundit është shkatërruar në politikën e brendshme dhe të jashtme", thotë studiuesi. "Njerëzit duan ndryshim. Nuk bëhet më dhe aq fjalë për një konflikt mes popullit dhe klerit, por më shumë për një konflikt social: mes atyre që janë të prekur nga sanksionet dhe papunësia dhe atyre që ende përfitojnë nga sistemi."