1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hidrocentrali Fushë Lukovë është vetëm projekt ideor

Projekti ideor dhe premtimi parazgjedhor i kryeministrit Gruevski për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës, që do të devijonte lumin Radika, ka rritur ndjeshmërinë e opinionit në Maqedoni dhe në Shqipëri.

default

Me ndërtimin e hidrocentralit akumulues në Fushën e Lukovës, në pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, është planifikuar që Maqedonia të fitojë në mënyrë plotësuese 160 gigavat orë energji elektrike në vit. Por për ndërtimin e këtij hidrocentrali duhet të devijojë rrjedhja e lumit Radika. Lumi Radika me gjatësi prej 67 km, që është bërë kryefjala e protestave, është lumë, që dallohet veçanërisht për pastërtinë e tij dhe që ka një rëndësi të veçantë për ambientin jetësor dhe ekonominë e zonës së Dibrës. Projekti në fjalë parashikon që uji i lumit Radika të devijojë dhe një pjesë e tij të derdhet në lumin Vardar, ku parashihet ndërtimi i hidrocentralit. Kur ky projekt u bë i njohur në opinion për ditë të tëra kanë protestuar qytetarët e të dyja Dibrave, me çka projekti u shndërua në problemin ndërshtetëror në relacionin Tiranë-Shkup. Ministri i ekonomisë, Valon Saraqini, përgjegjës për projektin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës, thotë se është bërë shumë zhurmë për asgjë. Sipas tij, nuk ekziston një projekt fizibiliteti për hidrocentralin në Fushën e Lukovës dhe qeveria e Maqedonisë nuk ka në duar një projekt të tillë, por bëhet fjalë për një projekt parazgjedhor të qeverisë, që do studiuar mirë. “Projekt final për Fushën e Lukovës nuk ka, nuk ka as studim mbi ndikimin e ndërtimit të hidrocentralit ndaj ambientit jetësor, që janë dy elemente kyç për një projekt për të patur bazën që të fillojë”, thotë ministri Saraqini.

Edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Maqedoni, Abdylaqim Ademi, thotë se nuk ka nevojë për shqetësime dhe protesta, sepse rrjedha e lumit Radika nuk do të ndryshohet, nëse konstatohet se ndërtimi i hidrocentralit në këtë zonë ka efekt negativ ndaj ekosistemit dhe banorëve të kësaj zone. Gjithnjë sipas ministrit Ademi bazuar në ligjin e ujrave dhe direktivave të BE-së, devijimi i lumit është i ndaluar, kur ka efekte negative ndaj mjedisit jetësor. Studimi i projektit për hidrocentralin në Fushën e Lukovës, i përgatitur nga korporata ELEM, do të rishikohet me shumë vëmëndje.

Banorët e Dibrës kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit

Banorët e Dibrës kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit

“Në bazë të konventave ndërkombëtare, në raste kur ka projekte, që kanë ndikim në dy vende, për çdo hap të ndërmarrë, qeveria ka për detyrë të informojë publikun. Ne nuk do të marrim asnjë vendim pa u konsultuar me vendet fqinje dhe pa ndjekur procedurat, që parasheh realizimi i një projekti. Studimi, që duhet të përfundojë për impaktin në mjedisin jetësor, do të jetë bazë për realizimin, apo jo të projektit”, shprehet ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor në Maqedoni, Abdylaqim Ademi.

Projekti në shënjestër të ekologjistëve

Ideja për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës si kurrë më parë ka bashkuar në zërin e tyre protestues shoqatat ekologjike si në Maqedoni, ashtu edhe në Shqipëri. “Për zonën e Dibrës, marrja e ujit nga lumi do të ishte vdekje natyrore. Përveç shkatërrimit të ekosistemit, mungesa e ujit do të ndikojë edhe në ujitjen e tokës punuese, me këtë bien poshtë gjithë të ardhurat, i merret Dibres një gjë, që ia ka falur Zoti. Dibra pa ujë nuk ka jetë”, thotë Bashkim Mashkulli, kryetar i Këshillit komunal në Dibër.

Edhe lëvizja qytetare “Zgjohu” është kundër devijimit të lumit Radika për nevojat e projektit Fusha e Lukovës. Sipas “Zgjohu”, realizimi i këtij projekti është i pamundur për arsye se atë nuk e duan qytetarët. Reagimet e qytetarëve nuk duhet të ndalin, derisa ky projekt nuk shfuqizohet tërësisht, thuhet në reagimin e lëvizjes “Zgjohu”.

Ljiljana Popovska, kryetare e Partisë së Gjelbërt, ka vizituar vendin në Fushën e Lukovës, ku planifikohet ndërtimi i hidrocentralit. “Hidrocentrali është sfidë e madhe, ai do të ishte i rëndësishëm si objekt energjetik, por në asnjë rast nuk duhet të harrojmë se ai projekt e ndryshon natyrën dhe si i tillë mund të jetë kërcënim ekologjik. Pres që për këtë projekt të bëhet një studim i veçantë për ndikimin në ambientin jetësor”, shprehet Popovska.

Profesori i fakultetit të makinerisë, Atanas Tunevski, që është edhe ish drejtor i korporatës energjetike MEPSO, thotë se deri tani askush nuk ka dalë në opinion për të prezantuar analiza dhe argumente se çfarë ndikimi negativ mund të ketë ndaj ambientit ndërtimi i hidrocentralit. “Ndërtimi i hidrocentralit në Fushën e Lukovës mund të ketë dy dëme të mëdha: nga aspekti ekonomik mund të jetë projekt jo fitimprurës, sepse kostoja e ndërtimit është tejet e lartë, ndërsa dëmi edhe më i madh do të jetë shkatërimi i ambientit jetësor”, thotë Tunevski.

Për të sqaruar dilemat, që ngërthen në vete ndërtimi i hidrocentralit në Fushën e Lukovës, në Tiranë me 24.01.2014 kanë qëndruar ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Valon Saraqini dhe ai i ekologjisë, Abdylaqim Ademi, ku me autoritetet e Shqipërisë kanë diskutuar për projektin në fjalë. Edhe në këto takime është përsëritur qëndrimi se ndërtimi i hidrocentralit në Fushën e Lukovës është vetëm një projekt ideor dhe se zbatimi eventual i projektit nuk do të realizohet, nëse ai ka ndikime negative për ekosistemin në të dyja vendet.