1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Hidhërim për Berkin, revoltë ndaj Erdoganit

Berkin Elvan – vdekja e demonstruesit 15 vjeçar nga Stambolli pas 269 ditësh në koma u bë simbol i ndërhyrjes brutale të policisë në Turqi. Kjo u tregua gjatë varrimit të tij.

Në Stambollin turk janë grumbulluar dhjetra mijëra njerëz për të marrë pjesë në varrimin e 15 vjeçarit Berkin Elvan. „Policia e partisë qeveritare, AKP ka vrarë Berkin“, thirrnin njerëzit. Elvan ishte qëlluar në kokë para nëntë muajve gjatë përleshjeve mes forcave të policisë dhe demonstruesve. Të martën(11.03) ai vdiq pas 269 ditësh në koma. Nëna e djalit bëri përgjegjës kryeministrin turk Recep Tayip Erdogan për vdekjen e të birit. Lajmi për vdekjen e Elvanit ka shkaktuar protesta kritike ndaj qeverisë në rreth 30 qytete ditën e martë në mbrëmje. Demonstruesit thërrisnin gjatë gjithë kohës „Erdogan vrasës“. Sipas medieve 20 demonstrues janë plagosur dhe më shumë se 150 kundërshtarë të qeverisë janë arrestuar.

Berkin është kthyer në Turqi në një simbol të dhunës së ashpër të përdorur nga policia e Erdoganit kundër demonstruesve. Vala e protestave prej tre javësh në qershor ishte shkaktuar nga një projekt shtetëror ndërtimi në Parkun qendror Gezi në Stamboll. Erdogan i kishte cilësuar policët gjatë protestës "heronj". Vdekja e Berkinit dhe vala e re e protestave mund ta vë Erdoganin përsëri nën presion. Ai tashmë ishte kritikuar mjaft rëndë për shkak të dhunës së ashpër të përdorur nga policia atëherë. Javëve të fundit ai ishte në qendër të hetimeve edhe për korrupsion.