1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290610 CIA Russland Spionagenring

29 Qershor 2010

FBI arrestoi më 27 qershor në Nju-Xhersi, Nju-Jork, Masaçusets dhe Virxhinia dhjetë burra dhe gra që akuzohen për spiunazh në favor të Rusisë. Në shtetin e Virxhinias ndodhet selia qendrore e CIA-s.

https://p.dw.com/p/O5jM
Skicë nga salla e gjyqit me agjentët e arrestuar
Skicë nga salla e gjyqit me agjentët e arrestuarFotografi: AP

Ngjarja të kujton kohën e luftës së ftohtë. Në vitin 1957 u zbulua në Nju-Jork agjenti sovjetik Rudolf Abel, i cili i maskuar si artist kishte ngritur në SHBA një rrjet gjigand agjentësh, që shkonin deri tek ata që punonin për projektin tepër sekret të bombës atomike me emrin e koduar "Manhattan".

Të arrestuarit donin të rekrutonin informantë

Ministria e Drejtësisë nuk dha të dhëna të sakta në lidhje me veprimtarinë e të arrestuarve. I vetmi njoftim ishte se personat e arrestuar ishin përpjekur që prej vitit 1990 që të rekrutonin në SHBA informantë dhe të mblidhnin informacione. Tetë prej agjentëve jetonin si çifte dhe punonin në ambasadën Ruse në Uashington ose në misionet ushtarake, një praktikë e njohur kjo që nga koha e luftës së ftohtë.

Ende nuk është krejt e qartë nëse të arrestuarit janë amerikanë të rekrutuar apo rusë, një nga gratë e arrestuara është nga Peruja, disa prej të arrestuarve kishin çertifikata lindjeje kanadeze, por të falsifikuara. Gjithësesi shumica duhet të jenë rusë.

Sipas njoftimeve të "Washington Post", FBI-ja kishte mundur të kapte dhe të deshifronte në vitin 2009 një mesazh të dërguar nga qendra e Shërbimit Sekret Rus për Botën e Jashtme. Në të udhëzoheshin dy prej të arrestuarve që të ndërmerrnin gjithçka për të vendosur dhe zhvilluar lidhje me qarqet politike amerikane. Në mesazhe të tjera bëhej fjalë për qëndrimin amerikan në lidhje me kontrollin e armëve, qëndrimin e SHBA ndaj Iranit apo informacione për ndërtimin e bunkerëve.

Ende nuk është e qartë se sa të sukseshëm kanë qenë spiunët rusë. Ajo që dihet është se ata kanë përdorur si metodat tradicionale të shifrimit, apo të dërgimit të të dhënave me kodin alfabetit mors, edhe metoda moderne të fshehjes së të dhënave nëpër fotografi digjitale.

Parashikohen dënime deri 20 vjet

Ndaj personave të arrestuar janë ngritur ndër kohë akt-akuzat. Për spiunazh në shërbim të një qeverie të huaj kodi penal i SHBA parashikon dënime me heqje lirie deri në pesë vjet, për pastrim parash deri në 20 vjet.

Tani pritet te shihet se ç'ndikim do të ketë ky rast spiunazhi në politikën e Obamës ndaj Rusisë, i cili synon që në marrëdhëniet me Rusinë të harrojë ç'ka ndodhur dhe t'i fillojë ato nga e para, sepse sipas Obamës "Prej marrëdhënieve të mira mes Rusisë dhe SHBA përfiton e gjithë bota."

Autor: Silke Hasselmann/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi