1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Hetimet për planin e atentatit në Essen vazhdojnë me shpejtësi

Atentati që me sa duket u pengua në një qendër tregtare në Essen besohet se është organizuar nga një luftëtar gjerman i IS. Policia po kërkon me këmbëngulje të dyshuar për përfshirjen në atentat.

Organizatori i planeve të atentatit kundër një qendre të madhe tregtare në Essen është një anëtar i skenës salafiste në Oberhausen. Informacione të tilla i bëjnë të ditura si "Bild"-Zeitung, ashtu edhe Agjencia Gjermane e Lajmeve dpa. Sipas këtyre të dhënave, personi para disa kohësh kishte qenë në Siri, në zonën e luftimeve të milicisë terroriste "Shteti Islamik" dhe qe i njohur për autoritetet gjermane të sigurisë. Ai kishte kohë që ishte nën vëzhgimin e organeve të sigurisë si salafist i Oberhausenit.

Për të penguar që atentati të kryhej nga një grup personash, policia e mbylli qendrën tregtare të Essenit. Sinjalizimet për qendrën tregtare "Limbecker Platz" dhe koha kur do të kryhej atentati të premten ishin shumë konkrete, tha një zëdhënës i policisë.

Policia arrestoi dy burra nga Oberhauseni. Marrja e tyre në pyetje si dhe kontrolli i banesave të tyre, vlerësimi i objekteve të konfiskuara ende vazhdojnë, u bë e ditur. Hetimet vazhdojnë "me ritme të shpejta". Agjencia gjermane e lajmeve dpa thotë se dy personat në fjalë nuk dyshohen për përfshirje të drejtpërdrejtë në atentatin e planifikuar, por si persona kontakti të organizatorit të atentatit.

Kush do ta kryente atentatin?

dpa mësoi nga organet e sigurisë që i dyshuari nga zona e xhihadistëve të Sirisë kishte kontaktuar përmes një rrjeti mesazhesh në internet disa persona, dhe qe përpjekur t'i motivonte për një sulm kundër qendrës tregtare. Gazeta "Bild" bëri të ditur se i dyshuari si organizator u pati përcjellë bashkëpunëtorëve potencialë edhe udhëzime për ndërtimin e bombave.

Një pjesë e atentatorëve të mundshëm ndodheshin në Gjermani, pjesa tjetër duhet të vinte nga vende të tjera.  E paqartë është ende se sa terroristë gjithsej do të merrnin pjesë në një atentat të mundshëm. Sipas informacioneve nga qarqe të sigurisë, Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e kishte marrë sinjalizimin e parë për skenarin kërcënues nga burimet e saj. Ajo kishte përgjuar komunikimin elektronik. Në qarqe të sigurisë u tha se është e pazakontë që në një chat xhihadistësh të flitet për plane atentatesh në një formë kaq konkrete, duke bërë të ditur edhe vendin dhe dritaren kohore, si në rastin e Essenit.

Planet për atentate dhe normaliteti i ri

E paqartë është nëse i dyshuari si organizator veproi drejtpërdrejt i ngarkuar nga Shteti Islamik në Siri. Lidhje të tilla megjithatë janë shumë të vështira të konstatohen nga organet e sigurisë. Qendra e Përbashkët Antiterror e Federatës dhe e Landeve (GTAZ)është marrë ditët e fundit disa herë me planet për atentat të zbuluara në momentin e fundit

Në Essen u krye pak para një viti një atentat terrorist. Në prill 2016 dy të rinj myslimanë hodhën një bombë në një shtëpi faljesh të grupit fetar indian Sikhs, kur atje po festohej një dasëm. Tri vetë u plagosën.