1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hetimet nuk kanë mbërritur ende në Mal të Zi

Në Mal të Zi nuk ka patur ende ndonjë reagim zyrtar ndaj hetimeve të prokurorisë së Bonit kundër Telekomit për shkak të pagesave të rryshfeteve në këtë vend. Por një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet, thonë kritikët.

Hoteli The Queen, Mal i Zi

Hoteli "The Queen", Mal i Zi

Asnjë përfaqësues zyrtar i qeverisë malazeze nuk është shprehur lidhur me akuzat për korrupsion në rastin e Telekomit Gjerman. Po kaq e heshtur është edhe prokuroria e Malit të Zi. E me sa duket kështu do të mbetet, derisa autoritete gjermane të kërkojnë bashkëpunimin direkt në hetimet kundër shefit të Telekomit Gjerman René Obermann dhe shtatë personave të tjerë. Në Mal të Zi ashtu si edhe në Maqedoni e në vend e të tjera të Evropës Juglindore firma hungareze bijë Magyar Telekom i ka blerë ish-ndërmarrjet shtetërore të telekomit.

“Arsye për dyshime për korrupsion sigurisht që ka”, thotë kryetari i lëvizjes opozitare “Lëvizja për Kthesë” Nebojsha Medojevic. Ai ka qenë gjatë shitjes së telekomit malazez këshilltar i sindikatës së kësaj ndërmarrjeje. “Unë besoj, se në këtë shitje të diskutueshme ka luajtur rol edhe korrupsioni”, mendon Medojevic.

Qeveria malazeze ka kërkuar nga aksionerët e vegjël, që aksionet e tyre t' i shiteshin me një çmim më të ulët nga sa ishte negociuar, Madje qeveria malazeze investitorët e vegjël, që ishin bashkëpronarë të telekomit, i ka detyruar që t'i shesin aksionet e tyre, ashtu si edhe aksione e shtetit tek Telekomi Malazez. “Në këtë mënyrë duhej që paketa e aksioneve për shitje, e atij që posedonte shumicën e aksioneve pra e shtetit, të ishte sa më e madhe. Ky ishte treguesi i parë, që transaksioni mes qeverisë malazeze dhe Magyar Telekom nuk kishte ecuri transparente”, vëren Medojevic.

Pikërisht në këtë moment duhej të kishin reaguar instancat përkatëse në Podgoricë. “Prokuroria duhej të verifikonte transaksionin dhe të kuptonte, nëse firmat konsulente kishin marrë një pjesë të parave, që duhej t' i kalonte qeverisë, ose nëse investitori ia kish paguar të gjithë shumën e blerjes qeverisë duke paguar plus disa miliona avokatëve si dhe këshiltarëve në Mal të Zi”, thotë Medojevic. Një hetim i brendshëm në Magyar Telekom në fund të vitit 2009 tregoi, se nuk ka dëshmi të mjaftueshme, nëse shtatë milionë euro, që janë derdhur për katër firma konsulente, janë dhënë për “qëllimeve legjiitime biznesi”, siç formulon Magyar Telekom. “Ka dëshmi që këto kosto janë shkaktuar për qëllime të paqarta. Gjithashtu kontratat nuk janë evidentuar saktë as në evidenza e shoqërisë dhe as në ato të partnerëve, thuhet në raportin e Magyar Telekom.

Magyar Telekom, që atëherë quhej Matav, bleu Telekomin Malazez në mars të vitit 2005 në vlerën 114 milionë Euro. Kjo shitje u kundërshtua me forcë nga partia socialdemokrate malazeze, patia më e vogël në koalicionin qeverisës. Socialdemokratët donin që telekomi të mbetej në pronësi të shtetit, sepse ndërmarrja ishte shumë e sukseshme. "Në vitin përpara privatizimit Telekomo Malazez pati një fitim prej 18 milionë Eurosh. Vitet që pasuan fitimi u rrit me rreth 15 deri në 50% të xhiros të përgjithshme", thotë Ranko Krivokapic, kryetar i socialdemokratëve. Ky do të kish qenë investitori më i mirë që mund të kishte pasur Mali i Zi. "Ato prej asaj që ne investuam nxorrën fitimin dhe na paguan ne me paratë tona. Thënë më thjeshtë, ata na blenë ne me paratë tona", vëren kritiku socialdemokrat.

Punonjësit e Telekomit Malazez janë të pakënaqur me punëdhëdhënësin e ri. Personeli së fundi hyri në grevë për disa ditë, sepse kryesia e ndërmarrjes planifikon shkurtimin e vendeve të punës pavarësisht nga rritja e fitimit. "Ne jemi të detyruar që me mjetet e një greve të luftojmë për të drejtën tonë, sepse telekomi në vendin tonë nuk vepron si një punëdhënës serioz", thuhet në një njoftim të komisionit të grevës.

Interesante është gjithahstu, që gjatë shitjes së telekomit qeveria malazeze deklaroi, se me paratë nga shitja e telekomit do të financohet autostrada e bregdetit malazez në veri të vendit. Kanë kaluar tashmë pesë vjet dhe ende nuk është ndërtuar asnjë kilometër autostrade në Mal të Zi.

Autor: Mustafa Canka / Mirjana Dikic

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 16.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PDic
  • Data 16.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PDic