1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Hetime mbi aferën e ryshfeteve të Telekomit gjerman në Maqedoni -Partitë maqedonase akuzojnë njëra-tjetrën

Autoritetet amerikane dhe ato gjermane po hetojnë Telekomin gjerman për dhënie ryshfetesh në Maqedoni dhe Mal të Zi. Prokuroria e Bonit nisi hetimet edhe ndaj kreut të koncernit të Telekomit, Rene Obermann.

Kreu i Telekomit gjerman, Rene Obermann

Kreu i Telekomit gjerman, Rene Obermann

Telekomi gjerman është aktiv në të gjithë Evropën Juglindore përmes filialit simotër hungarez "Magyar Telekom". Në Maqedoni koncerni gjerman në vitin 2001 bleu për rreth 700 milionë euro, MakTel-in, Telekomin maqedonas - ndryshe "Makedonski Telekomunikacii". Me sa duket për të patur avantazhe në marrëveshje janë paguar ryshfete nga ana e telekomit gjerman. Telekomi është kryesues tregu aktualisht në Maqedoni. Ish-drejtori i Telekomit, Sime Gruevski thotë: "Të gjitha qeveritë e mëparshme kanë bërë fjalë për përfitimin e madh përmes Telekomit, pasi përmes tij janë bërë pastrime parash. Kush dhe në çfarë sasie e ka bërë këtë, duhet të përcaktohet nga heuesit."

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski ishte ministër Financash në kohën kur u ble Telekomi maqedonas

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski ishte ministër Financash në kohën kur u ble Telekomi maqedonas

Akuza të ndërsjella mes socialdemokratëve (SDSM) dhe konservatorëve maqedonas (VMRO)

Heuesit maqedonas kanë vënë në shënjestër gjithsej gjashtë zyrtarë të nivelit të lartë qeveritar. Sipas gazetës "Süddeutshe Zeitung" paratë janë transferuar nga firma konsulence, ndër të tjera edhe në Qipro. Saso Stevanovski nga partia qeverisëse VMRO thotë: "Gjashtë kontrata konsulence të kontestuara, të cilat po hetohen ndërkohë, janë të vitit 2004 deri në 2006-n. Asokohe qeveriste partia socialdemokrate SDSM. Anëtarë të bordit të Telekomit maqedonas ishin njerëz të partisë socialdemokrate, si kryetari i bordit, Dejan Mickoviç, apo anëtari i bordit, Vanco Usunov."

Selia e partise socialdemokrate maqedonase, SDSM në Shkup

Selia e partise socialdemokrate maqedonase, SDSM në Shkup

Por edhe konservatorët e VMRO duket se janë të përfshirë në aferën e telekomit. Në vitin 2006 kristiandemokratët e Nikola Gruevskit fituan zgjedhjet parlamentare, dy vite më vonë në zgjedhjet e parakoshme ai u rimandatua sërish. Zoran Jovanovski nga partia opozitare socialdemokrate, SDSM thotë: "120.000 euro i janë akorduar pak para zgjedhjeve firmës "Analitiko", firmë që është shumë pranë partisë qeverisëse VMRO. Aty janë të përfshirë punonjës të afërt të kryeministrit, edhe ai vetë është pjesë e kësaj afere. Duhet të sqarohet; sa para janë dhënë për firmën e kryeministrit, i cili në vitin 2001 ishte ministër financash, kohë kur u ble edhe Telekomi?"

Prokuroria gjermane heton në Maqedoni dhe Mal të Zi

Hetimet merren edhe me zbardhjen e dyshimeve për financime ilegale të partive, thotë prokuroria e Bonit. Gjithsej janë paguar disa milionë euro ryshfete. "Süddeutshe Zeitung" bazohet në qarqe të brendshme të koncernit kur përmend shifrën e 7 milionë eurove të paguara në Mal të Zi dhe Maqedoni. Mediat hungareze raportojnë se vetëm për blerjen e Telekomit malazez janë paguar 7 milionë e gjysmë euro pa ekuivalentim.

Qendra e Telekomit gjerman në Bon

Qendra e Telekomit gjerman në Bon

Në fund të vitit 2006 ish-shefi i Telekomit hungarez, Elek Straub dha dorëheqjen për shkak të pazareve në Ballkan. Në Gjermani prokuroria po heton kundër tetë menaxherëve të Telekomit gjerman për shkak të aktiviteteve të dyshimta në Evropën Juglindore, ndër të hetuarit edhe kreu i Telekomit, Rene Obermann. Hetimet do të zgjasin disa muaj, thuhet në Bon. Në to është përfshirë edhe Zyra Federale për Kriminalistikën.

Autor: Stephan Ozsváth /Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 17.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PE1y
  • Data 17.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PE1y