1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Heshtje në Berlin

Qeveria gjermane vazhdon të heshtë në lidhje me rastin e tre të arrestuarve në Kosovë. Të enjten çështja pritet të sqarohet në Entin Parlamentar për Kontrollin ndaj Shërbimit të Fshehtë.

Thomas Steg, zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane

Thomas Steg, zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane

Zyrtarisht ende nuk pranohet që tre gjermanët kanë qenë bashkëpunëtorë të BND-së. Marrëdhëniet bilaterale nuk do të cënohen nga ngjarja, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme. "Është absurde të mendosh se qeveria gjermane qenka përfshirë në sulme terroriste jashtë shtetit", tha Tomas Shteg (Thomas Steg) të hënën në Berlin, duke refuzuar disa herë të komentojë spekulimet në media për përkatësinë në BND të tre gjermanëve të arrestuar.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme Jens Plëtner (Plötner), konfirmoi se kjo ngjarje nuk do të ketë pasoja mbi marrëdhëniet gjermano-kosovare: "Unë mendoj se ky rast nuk do të ketë asnjë pasojë negative ndaj marrëdhënieve tona bilaterale. Besoj se do të arrijmë një zgjidhje mbi bazën e marrëdhënieve bilaterale", tha Plëtner.

Mediet gjermane raportojnë në edicionet e së hënës se tre gjermanët e paraburgosur në Kosovë kanë qenë agjentë të BND-së. I këtij mendimi është edhe eksperti i ARD-së për çështje terrorizmi Gervald Herter (Gerwald Herter): "Unë mendoj se këta tre bashkëpunëtorë të BND-së kanë dashur të hetojnë vendin e ngjarjes. Sigurisht që kjo nuk është detyra e shërbimeve të fshehta por kjo nuk përbën shkak për t'i burgosur ata", - tha ai

Mediet gjermane shkruajnë se tre agjentët ishin vendosur në Kosovë si bashkëpunëtorë të një firme të rreme me emra të rreme, të cilët nuk ishin të regjistruar në Kosovë. Siç shpjegon një tjetër analist i ARD-së shërbimi i fshehtë gjermane kanë dy lloje bashkëpunëtorësh jashtë shtetit: "Njëri lloj janë të ashtuquajturit bashkëpunëtorë ndërlidhës. Këta regjistrohen në qeveritë e secilit vend dhe zakonisht janë rezidentë pranë ambasadave. Këta duhet të ruajnë kontaktet me organet e sigurimit të secilit vend. Pastaj ka edhe ata që punojnë fshehurazi që bëjnë hetimet e tyre më vete, të tillë ishin edhe tre bashkëpunëtorët e arrestuar tani në Prishtinë".

Probleme të tilla mes vendeve të miqësuara zakonisht zgjidhen në mënyrë diplomatike. Prandaj deputetët në Berlin janë paksa të çuditur me faktin që tre gjermanët jo vetëm që nuk u liruan menjëherë, por përkundrazi, ata po mbahen edhe 30 ditë në tjera në arrest. Deputeti i gjelbër Hans-Krstian Shtrëbele (Hans Christian Ströbele) ua lë përgjegjësinë tërthorazi organeve në Kosovë: "E tëra bie erë moçali intrigash, të cilat mund të kenë të bëjnë me qeverinë kosovare dhe interesat e saj, ose shërbimet e tjera të fshehta, ose me sistemin e atjeshëm juridik."

Shtrëbele dhe anëtarët e tjerë të Kontrollit Parlamentar të BND-së kërkojnë sqarim. Tomas Oberman (Thomas Obermann), nga socialdemokratët thotë: "E dimë që ka bashkëpunëtorë të BND-së në Kosovë, kjo është e nevojshme edhe për sigurinë e ushtarëve tanë, por se ç'ka ndodhur në të vërtetë, këtë duhet ta sqarojmë në Entin Parlamentar", kërkon socialdemokrati Thomas Obbermann. E pikërisht Enti Parlamentar për Kontrollin ndaj BND-së do të mblidhet ditën e enjte për të diskutuar këtë çështje

  • Data 24.11.2008
  • Autor Anila Shuka / Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G15D
  • Data 24.11.2008
  • Autor Anila Shuka / Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/G15D