1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Heshtja e Rainer Brüderle-s

Me liberalët aktualisht askush nuk flet për politikën. Tema numër një lidhur në këtë parti është bërë seksizmi. Vetëm kjo u ka munguar liberalëve në vitin zgjedhor, kur kjo ka parti ka një pozitë të dobët në sondazhe.

Rainer Brüderle dhe Laura Himmelreich

Rainer Brüderle dhe Laura Himmelreich

Ai po hesht dhe nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim. "Rainer Brüderle ka thënë se për këtë çështje nuk do të deklarohet publikisht. Lidhur me këtë ai ka mbështetjen tonë dhe nëse ai ka vendosur të heshtë, ne do ta mbështesim këtë qëndrim." Kështu sekretari i përgjithshëm i liberalëve (FDP) Patrick Döring, përmbledh qëndrimet e udhëheqësit të listës së kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme, Rainer Brüderle, lidhur me akuzat ndaj tij për seksizëm.

Ka kaluar një javë që kur gazetarja e revistës "Stern", Laura Himmelreich e ka akuzuar 67 vjeçarin Brüderle për sjellje të pahijshme në një bar të një hoteli, para një viti. Artikulli ka shkaktuar reagime të shumta. Tani është hapur debati jo vetëm për sjelljen e Brüderles, por në përgjithësi për kufirin shumë të ngushtë mes komplimenteve dhe ngacmimeve seksuale. Ndërkohë në rrjetin twitter, nën moton "Britma" janë paraqitur me dhjetëra mijëra femra, të cilat shprehin mllefin e tyre për seksizmin që kanë përjetuar në punë apo në vende të tjera.

Kreu i FDP-së mbron Brüderlen

Rainer Brüderle po hesht. Kjo është e pazakonshme për një politikan, i cili shumë rrallë mbetet pa tekst para mikrofonave. Por politikani 67 vjeçar në fjalimin e tij, në pritjen e FDP-së të organizuar në landin e Renanisë Veriore Vestfalisë, nuk la përshtypjen e një personi të dëmtuar shumë. "Ju mund të na qëlloni, mund të na shani, të na hidhni baltë, por nuk mund të na merrni besimin tek vetja", tha ai.


Brüderle nuk do të thotë asgjë më shumë dhe nuk e ka ndërmend t'i kërkojë falje gazetares së revistës "Stern", në asnjë mënyrë. Të njëjtit mendim kanë edhe liberalët e tjerë. "Kur një demokrat i lirë vendos të vihet në krye të një liste, me siguri që konkurrenca nuk pushon", deklaroi ish-kryetari i liberalëve, ministri i Jashtëm Guido Westerwelle, në Dyseldorf.

Sulmi është mbrojtja më e mirë. Duket se kreu i liberalëve ka vendosur të përdorë këtë metodë. Sekretari i Përgjithshëm Patrick Döring të hënën në takimin e kryesisë së FDP-së e quajti Brüderlen si një "njeri të ndershëm dhe të matur". Debati i fundit, sipas tij, po bëhet për kalkulime politike.

A janë barcaletat në raste të tilla normale?

Që në Gjermani ka "ngacmime" seksuale, këtë nuk e mohon askush. Por varet edhe si kuptohen ato. Döring-u flet për mendime të ndryshme dhe "keqkuptime". "Ato që Rainer Brüderle dhe unë i mendojmë se janë sharmante dhe humor, të tjerët i kuptojnë ndryshe", tha ai.

Ky shpjegim ka shkaktuar mllef tek kryetarja e ekologjistëve, Claudia Roth. Ekologjistët nuk do të lejojnë që gjërat e tilla të bëhen normale dhe të thuhet se këto janë vetëm shprehi dhe barcoleta të politikanëve, tha Roth.

Debati për seksizmin është për Claudia Roth -in shumë i rëndësishëm. "Ne do ta vazhdojmë këtë debat, sepse kjo është përballje me një temë shumë të rëndësishme", theksoi ajo duket shtuar se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për persona të caktuar si zoti Brüderle, por për debate rreth seksizmit në përgjithësi. "Ky fenomen ëshë bërë problem i përgjithshëm", thotë ajo.

Të gjithë janë bërë më të kujdesshëm

Debati për ngacmimet seksuale ka ndryshuar sjelljen e politikanëve ndaj gazetarëve. Raporti i ngushtë mes tyre është shumë i rëndësishëm. Një nga krerët e liberalëve Wolfgang Kubicki, pohon se në të ardhmen do t'i evitojë takimet dhe konktaktet me gazetarë në baret e hoteleve apo në ndonjë ambjent më relaksues. "Në këto raste është shumë e mundur që të shprehet ndonjë fjalë jo tepër zyrtare apo ndonjë kompliment", shpjegon Kubicki.

Për pasojat e debatit të fundit flet edhe sekretari i përgjithshëm i FDP-së, Patrick Döring. Nëse nuk është e mundur që të bëhen biseda të tjera, përveç konferencave për shtyp, "atëherë nuk do të ketë konktakte të tilla në të ardhmen".

Autor: Sabine Kinkartz/ Bahri Cani
Redaktoi: Auron Dodi