1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Heroi i urës ajrore mbi Berlin

Çokollata për fëmijët në Berlinin perëndimor: gjatë kohës së urës ajrore, një pilot amerikan hidhte ëmbëlsira nga avioni i tij. Për këtë fëmijët e atëhershëm e adhurojnë deri sot. DW takoi "bombarduesin e ëmbëlsirave".

Ish piloti amerikan Gail S. Halvorsen

Ish piloti amerikan Gail S. Halvorsen

Berlini në verën e vitit 1948. Piloti i ri amerikan Gail S. Halvorsen ecën në pistën e uljes së aeroportit të Berlinit Tempelhof. Prapa gardhit me tela qendrojnë 30 fëmijë. "Na jep çokollatë", i luten ata 27-vjeçarit. "Ata nuk lypnin, kërkonin vetëm çokollatë", kujton ish piloti. Por Halvorsen ka vetëm disa çamçakëza në xhep. "Vetëm dy! Për 30 fëmijë!" Ai i ndan petat e çamçakëzve në katër pjesë dhe i shpërndan. Për habinë e tij fëmijët nuk shtyjnë njëri-tjetrin: "Ata i mbanin erë me admirim edhe letrës së çamçakëzit, e fshehën në duart e tyre për ta marrë me vete në shtëpi. Atëherë m'u bë e qartë se duhej të bëja më shumë."

Sovjetikët rrethojnë Berlinin perëndimor

Situata në Berlinin e ndarë në atë kohë ishte e tendosur. Pak javë më parë ushtria sovjetike kishte rrethuar pjesën perëndimore të qytetit. Pas futjes së monedhës së re, markës gjermane, sovjetikët përpiqen të detyrojnë fuqitë perëndimore të tërhiqen. Asnjë kamion, asnjë anije, asnjë tren nuk mund të vijë më në Berlinin Perëndimor. 2,2 milionë njerëz janë të izoluar nga furnizimi me mjete jetese bazë dhe qymyr.

Gail S. Halvorsen (atëherë 28 vjeçar) tregon në 1948 si hedh çokollatat me parashutë

Gail S. Halvorsen (atëherë 28 vjeçar) tregon në 1948 si hedh çokollatat me parashutë

Por aleatët nuk i lënë në baltë. Me urën ajrore të Berlinit realizohet aksioni më i madh i ndihmës deri atëherë. Çdo ditë qindra avionë amerikanë dhe britanikë fluturojnë në qiell. Ata sjellin furnizim mallrash në aeroportin Tempelhof. Në histori ata hyjnë si "bombarduesit e ëmbëlsirave".

Çokollatë në parashuta

Një prej tyre ishte edhe Gail Halvorsen, sot 92 vjeçar. Ai ka fluturuar qindra herë mbi Berlin deri në mbarimin e bllokadës në maj 1949. Takimi me fëmijët berlinezë i sjell në mendje një ide: "Unë u premtova se të nesërmen do të kthehesha me çokollata."

Rroftë liria! Të rinj nga Berlini perëndimor përshëndesin një bombardues ëmbëlsirash

Rroftë liria! Të rinj nga Berlini perëndimor përshëndesin një "bombardues ëmbëlsirash"

Më vonë ai mbledh çokollatat e shokëve të tij. "I kisha të dy duart plot me çokollata." Në 18 korrik 1948, gjatë uljes në aeroportin Tempelhof sheh fëmijët dhe u bën shenjë duke tundur krahët e avionit. Nga një hapje e avionit hedh poshtë çokollatat të cilat janë fiksuar në parashuta të vogla të bardha. Fëmijët turren drejt ëmbëlsirave duke brohoritur.

"Xhaxhi që tund krahët"

Që atëherë ata e quajnë Halvorsenin vetëm "xhaxhi që tund krahët", pasi hedhja e "bombave" të ëmbla kthehet në rutinë. Shpejt këtë e mëson edhe shtypi. "Fillimisht ky ishte problem. Një reporter bëri fotografi në të cilat shihej numri i avionit tim." Një artikull i gjatë publikohet në gazetë. Halvorsenin e thërret komandanti. "Mendova: kaq e pat! Por ai më tha: ide e mirë." Aksioni zgjerohet. Shpejt edhe fëmijë në SHBA mbledhin para për çokollatat dhe pilotë të tjerë i bashkohen aksionit. Deri në fund të bllokadës së Berlinit ata hedhin 22 tonë ëmbëlsira mbi pjesën perëndimore të qytetit.

Dëshmitare e kohës: Traute Grier

Dëshmitare e kohës: Traute Grier

Traute Grier, asokohe 14 vjeç, nuk mori asnjë copëz të vetme çokollate. Atëherë ajo jetonte në lagjen e Berlinit Neukölln. "Kur Gail Halvorsen fluturonte mbi ne dhe hidhte çokollata, të gjithë fëmijët vraponin atje. Unë isha e ndrojtur. Djemtë shtynin shumë." Por ajo nuk është e mërzitur përkundrazi thellësisht mirënjohëse. "Me mendime jam edhe sot pranë pilotit. Sa shumë forcë iu është dashur! Dhe e kanë bërë për lirinë tonë."

Ura ajrore është një akt force logjistik dhe njerëzor. "Fillimish fluturonim ditë e natë", thotë Gail Halvorsen. Misioni nuk ishte i parrezikshëm: të paktën 78 njerëz humbën jetën në aksidente me avionë. Avionët britanikë dhe amerikanë ngrihen dhe ulen në ritme minutash. Por ura ajrore rezulton e suksesshme. Në 12 maj 1949 Bashkimi Sovjetik e heq bllokadën. Pjesa e lirë e Berlinit është shpëtuar.

Piloti Gail S. Halvorsen hedh nga aeroporti Tempelhof ëmbëlsira nga avioni i tij C-54

Piloti Gail S. Halvorsen hedh në aeroportin Tempelhof ëmbëlsira nga avioni i tij C-54

Nga armiq në miq

Ura ajrore e Berlinit ka edhe një tjetër efekt: mbështetja që jep fuqia fitimtare i lidh fort me njëri-tjetrin gjermanët dhe amerikanët. Kjo karakterizon marrëdhëniet mes dy vendeve edhe sot. Traute Grier thotë: "Ish armiqtë tanë u kthyen në miq." Misioni i Gail Halvorsen është simbol i kësaj miqësie. Kur Presidenti amerikan Barack Obama mbajti në qershor 2013 një fjalim para Portës së Brandenburgut në Berlin, iu drejtua personalisht veteranit të ulur në mes të publikut: "Për ne është një nder që të përshëndesim këtu pilotin e bombarduesve të ëmbëlsirave, kolonelin 92-vjeçar Halvorsen."

Ish piloti Gail S. Halvorsen në qershor 2013 në Berlin

Ish piloti Gail S. Halvorsen në qershor 2013 në Berlin

Ish pilotit i është dhënë që në 1974 në Berlin titulli gjerman i nderit "Kryqi i Meritës". Në qershor 2013 një shkollë e ciklit të dytë në Berlin merr emrin e "bombarduesit të ëmbëlsirave". Gail Halvorsen, i cili ndërkohë ka pesë fëmijë, 24 nipër dhe 41 stërnipër, merr pjesë personalisht në ceremoni. Ai vjen me kënaqësi në Gjermani, i ruan lidhjet e miqësisë këtu. Takimi me fëmijët berlinezë në gardhin e aeroportit Tempelhof ka lënë mbresa të thella, që vazhdojnë deri sot: "Kur ndihmon dikë, ndihesh i lumtur." Ish piloti Halvorsen nuk ka bërë vetëm veten e tij të lumtur.