1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Heqje dorë nga perspektiva evropiane?

Pas rrethimit disajavësh policia turke e shkatërroi kampin e protestës në parkun Gezi. Por në horizont nuk po duket fundi i konfliktit.

Dy javët e kaluara kryeministri Rexhep Taip Erdogan nuk tregoi asnjë lloj mirëkuptimi për demonstruesit dhe i cilësoi me nënvleftësim si "të dëmshëm për shoqërinë". Por nga fundi i javës së kaluar kryeministri tregoi për herë të parë gatishmëri për kompromis. Pas gati katër orë bisedimesh me përfaqësuesit e protestuesve në Ankara, Erdogani premtoi se do të organizojë referendum për të ardhmen e projektit në parkun Gezi. Por si treguan ngjarjet e së shtunës në darkë, kur policia turke e zbrazi me dhunë kampin protestës në Gezi, kjo qe vetëm një manovër e kryeministrit turk. Protestuesit thonë se rezistenca kundër padrejtësive në vend do të vazhdojë.

Turqia është thellësisht e përçarë

Udo Steinbach Marburg

Prof. Dr. Udo Steinbach

Udo Steinbach, ekspert për Turqinë në Shkollën e Qeverisjes Humboldt-Viadrina në Berlin, i sheh koncesionet e Erdogan kryesisht si një përpjekje për të zbutur situatën dhe kritikat ndërkombëtare. Edhe në rast se organizohet një referendum në lidhje me projektin e ndërtimit, tha Steinbach për DW, Erdogani nuk ka pse të ketë shumë frikë: "Në qoftë se kryeministri organizon për këtë çështje një referendum të qytetarëve të Stambollit, ky do të dalë në favor të tij - dhe ai e di atë."

Turqia është sipas vlerësimit të Steinbach-ut një vend jashtëzakonisht i përçarë. "Refuzimi që kanë ndaj njëri tjetrit ata që kanë protestuar javët e fundit dhe pasuesit e kryeministrit turk është i thellë." Sipas një sondazhi të Instituti turk të Kërkimeve Sociale Andy-Ar vetëm 24 përqind e të anketuarve i mbështesin protestat në parkun Gezi.

Bisedimet për anëtarësim me BE

Çështja nëse Turqia mund të ketë një të ardhme në Bashkimin Evropian, sipas mendimit të Steinbach-ut nuk duhet të rishqyrtohet për shkak të konfliktit. Zyrtarisht, është e planifikuar që bisedimet e ngecura për vite në vend për anëtarësimin e Turqisë në BE - kjo ndër të tjera edhe për shkak të problemit të Qipros - të rifillojnë më 26 qershor.

Disa politikanë konservatorë evropianë po kërkojnë që negociatat të mos vazhdohen. "Ky nuk është momenti për t'u ndarë, por për t'u angazhuar edhe më shumë," iu kundërvu javën e kaluar qëndrimeve të tilla e ngarkuara e BE-së për politikën e jashtme Kethrinë Eshton.

Ngjashëm u shpreh në një intervistë me Deutsche Wellen kryetari i Partisë së Gjelbër Gjermane, Cem Özdemir, i cili është me origjinë turke. Në rast se bëhet fjalë jo për anëtarësi por për një ofertë për partneritet të privilegjuar, nuk ka pse të çuditemi që Ankaraja nuk i merr më aq serizisht Brukselin apo Berlinin.

Dyshime për dëshirën për anëtarësim në BE

Özdemir dyshon edhe nëse Erdogani vërtet synon ende një anëtarësim të Turqisë në BE dhe me këtë mendim nuk është i vetëm. Rolf Mützenich, i ngarkuar për politikën e jashtme në grupin parlamentar të SPD-së në Bundestag, mendojn po ashtu se politika turke po tërhiqet nga ideja e anëtarësimit në BE: "Unë nuk do t'i referohosha vetëm një personi. Ne shohim se ka grupe në shoqërinë turke, që si në lidhje me zhvillimet në botën arabe, por sidomos me zhvillimin ekonomik në Turqi, besojnë se mund t'ia dalin edhe pa partnerët evropianë dhe mund të jenë në gjendje të bashkëpunojnë më të ngushtë me partnerët e rinj."

Megjithë supozime të tilla eksperti për Turqinë Udo Steinbach e sheh këtë vend edhe më tej në rrugën drejt Evropës. Deklaratat e kundërta të Erdoganit ai i konsideron si deklarata të momentit dhe reagim emocional ndaj kritikave nga Parlamenti Evropian.