1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Heqja e vizave? Plotësimi i kushteve nga secili vend është çelësi i të gjithave

4 Korrik 2009

Ministri suedez për çështje të migracionit dhe azilit Tobias Bilstrom, pret që Komisioni Evropian nga mesi i korrikut të propozojë liberalizimin e regjimit të vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

https://p.dw.com/p/IgyT
Pamje simbolike me pasaportë, vulë.
Heqja e vizash për vendet e Ballkanit perëndimor? Plotësimi i kushteve nga secili vend është çelësi i të gjithaveFotografi: picture-alliance/chromorange

Para liberalizimit të vizave, Serbia me Komisionin Evropian duhet të zgjidhë çështjen e kontrollit të linjës kufitare me Kosovën si dhe çështjen e dhënies së pasaportave për qytetarët e Kosovës. BE-së thekson se vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t'u mundësohet regjimin pa viza, vetëm pasi të kenë plotësuar kushtet për këtë.

Ministri suedez i ngarkuar me çështjen e migracionit dhe azilit, Tobias Bilstrom për Deutsche Wellen thotë:"Nga mesi i korrikut Komisioni Evropian do të paraqitet me një projektligj, i cili do të bëjë të mundshëm regjimin pa viza deri në fund të vititi 2009, për ato vende të cilat do të plotësojnë kushtet. Këtu natyrisht që mendoj për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë", sqaron Bilstrom.

Ministri i jashtës serb, Vuk Jeremic dhe Javier Solana, 28 janar 2008.
Para liberalizimit të vizave, Serbia duhet të zgjidhë çështjen e kontrollit të linjës kufitare me Kosovën si dhe dhënien e pasaportave për qytetarët e Kosovës.Fotografi: AP

Kur është fjala për Kosovën, Tobias Bilstrom thotë se ekzistojnë dy çështje kyçe për të cilat ende po bisedohet. Të gjitha këto në kontekstin e plotësimit të kushteve të cilat Serbisë i janë vënë në Roadmap. Bilstrom: "Fjala është për sigurimin e kontrollit adekuat të linjës kufitare me Kosovën dhe dhënien e pasaportave serbe për qytetarët e Kosovës. Për këto çështje Komisoni Evropian po bisedon ende me autoritetet e Serbisë, dhe presidenca suedeze e BE-së po përcjell me vemendje bisedimet. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet me kohë, në mënyrë që Serbia t'u bashkohet vendeve që janë liruar nga regjimi i vizave", ka sqaruar Ministri suedez Bilstrom.

Politikani suedez thekson se për ata është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje e pranueshme dhe e qëndrueshme. Në këtë kuadër ekziston edhe çështja e migracionit ilegal, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të sigurojë mbrojten e kufirit të saj, thotë Bilstrom.

Formular për marrjen e një vize Shengen.
Formular për marrjen e një vize Shengen.Fotografi: dpa

Ndërkaq sa i përket mundësisë së 'getoizimit' që mund t'iu ndodhë boshnjakëve në Bosnjë e Hercegovinë, sa i përket lirisë së udhëtimit në rast se Serbia, lirohet nga regjimi i vizave ndërsa Bosnja dhe Hercegovina jo, Tobijas Bilstrom vlerëson se vëmendja duhet të përqëndrohet në plotësimin e kushteve nga secili vend veç e veç: "Më e rëndësishmja është që t'i përmbahemi Roadmap-it. Në të ndodhen kushtet për liberalizimin e vizave për secilin vend. Secili vend ka problemet e tij specifike, por plotësimi i kushteve të përcaktuara në Roadmap është çelësi i të gjithave", thotë Tobijas Bilstrom.

Autor : Marina Maksimoviq

Redaktoi : Aida Cama