1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Helmuar nga njeriu në nevojën për pak dashuri"

Një artist nga Kosova në Bundeskunsthalle: Nga data 6 mars deri në 15 tetor, ekspozitë me instalacione të Petrit Halilajt - një korpus ku vendlindja, identiteti e trashëgimia historike kalojnë në sitën e imët të artit.

Deutschland Ausstellung Petrit Halilaj Bundeskunsthalle in Bonn

Artisti Petrit Halilaj

Çfarë bën në vitin 1999 në kampin e Kukësit një djalë 13 vjeçar nga Kostërci në Kosovë, refugjat me familjen, kur do të shtyjë kohën, i hutuar nga rrëmuja dhe ëndrrat? Luan futboll apo mundet me shokët? Përgjigja është e pazakontë. Ai vizaton në disa fletë të bardha që ia ka ofruar psikologu italian në kamp, Giacomo Poli duke skicuar kështu njëkohësisht edhe rrugën e së ardhmes.

Sot ky djalë është 29 vjeç. Petrit Halilaj është një artist i njohur europian, për të janë hapur dyert e Bienales së Venecias, së Berlinit, por edhe galeri të tjera të njohura në Europë. Tani një institucion prestigjioz i artit gjerman si Bundeskunsthalle, Galeria Federale e Artit në Bonn hap dyert për një ekspozitë të plotë me artistin e ri, nga data 6 mars deri më 15 tetor 2015 me titull poetik e të pazakontë si vetë rruga e artistit: "She, fully turning around, became terrestrial" - "Ajo, me një rrotullim të plotë, u bë tokësore."

Mbajtja gjallë e kujtimit

Mund të mendohej se Bundeskunsthalle i lë hapësirë vetëm artistëve, karriera e të cilëve është e vulosur nga fama, por drejtuesja e ekspozitës Susanne Kleine në bisedë me Deutsche Wellen, thekson se për këtë institucion, është i rëndësishëm edhe prezantimi i të rinjve. Kleine rrëfen se ishte drejtori i përgjithshëm Rain Wolfs ai që e ftoi artistin kosovar të sillte punimet në Bonn. Filozofia që fshihej pas instalacioneve artistike të Petrit Halilajt me përpjekjen për të krijuar instalacione- memuare të kulturës, historisë e natyrës përputhej me filozofinë e Bundeskunsthalle- vetë një muze i artit dhe i kulturës.

Deutschland Ausstellung Petrit Halilaj Bundeskunsthalle in Bonn

Drejtuesja e ekspozitës, Susanne Kleine

Susanne Kleine përmend se edhe tematika e veprave të Halilajt është intriguese. "Ardhja e Petrit Halilajt në Bundeskunsthalle bëhet në një kohë sot, kur temat e vendlindjes dhe eksodit luajnë një rol kaq të rëndësishëm, vetë Halilaj përpunon në veprat e tij, temën e vendlindjes, kërkimin e identitetit, mbajtjen gjallë të kujtimit përmes punës me materiale të thjeshta të vendlindjes, dheut, kashtës, drurit betonit, pjesë nga shtëpia e shkatërruar e prindërve të tij. Ai rikontrukson pjesë të muzeut historisë së natyrës të Kosovës, në kohën e sotme kur shohim shkatërrim të trashëgimisë një temë shumë e rëndësishme."

Kujtimet e vendlindjes - ushqim për artin. Për Petrit Halilajn që jeton në Milano dhe Berlin, në një atmoferë kozmopolite nuk përbën kundërshti, madje janë frymëzuese siç thotë ai, lidhja me vendlindjen, ku ai shkon shpesh "i kam ende të gjalla kujtimet nga fshati Kostërc, jeta atje, natyra, oborret, pulat" përballë jetës së madhe në lëvizje, "ku ti si njeri je i hapur për kultura të reja, për ide të reja."

Rikonstruktimi artistik i një muzeu të humbur

Një gërshetim nga ku lindin ide të mirëfillta për artin. Ekspozita e Halilajt ka si element qendror rinkonstrukimin artistik të muzeut të historisë së natyrës në Kosovë, sot muzeu etnologjik. Halilaj rrëfen se e kishte tronditur gjendja e koleksioneve natyrore të muzeut të lëna në bodrum me vite, të rrënuara pa mëshirë nga koha. Ai mori prej bodrumit koleksione si ai gjysmë i shkatërruar i fluturave që prezantohet në ekspozitë për t'i shpëtuar nga humbja e plotë. Drejtori i përgjithshëm Rain Wolfs thekson se për Bundeskunsthalle që prezanton art dhe kulturë nga të gjitha kontinentet, tematika e trashëgimisë kulturore mbetet e rëndësishme. "Rrëfimi i Petrit Halilajt për zhdukjen e një muzeumi në kohë transformimesh politike është i trishtueshëm dhe mund të shihet si një paralajmërim për brishtësinë e trashëgimisë kulturore."

Deutschland Ausstellung Petrit Halilaj Bundeskunsthalle in Bonn

Petrit Halilaj

Petrit Halilaj nuk arkivon thjesht një dollap të vjetër muzeumi apo një koleksion fluturash, ai arkivon të shkuarën përmes artit. E më tepër se kaq. Pasi arti nuk do të quhej art nëse nuk do të shkonte përtej syrit të zakonshëm. Objekteve apo kafshëve të muzeut të rikrijuara me kashtë, bagla të vendosura në shufra nikeli, duke presupozuar luksin me ngyrën e artë, u jepet kështu një kontekst i ri - ky është muzeu i ri i Halilajt. Ndërsa titulli i kësaj pjese të ekspozitës "I helmuar nga njeriu nga nevoja për pak dashuri" u jep ironinë dhe forcën artistike instalacioneve të përhapura në sallë - një rikrijim që mban erë identitet.

Kanarina e verdhë brenda një tuneli 60 metra

"Po të shikosh këtë kanarinë, ngjyrë të verdhë me një maskë blu, kjo ka qenë e prezantuar edhe në bienalen e Venecias, është element vërtet pa sy, po me maskë, që nga ky pozicion vëzhgon të gjithë ekspozitën, pra është ajo që ne të kuptojmë se çfarë ndodh me këtë element në një muze të ri, të rikrijuar këtu në Bon. Çelësi i fundit për këtë ekspozitë ndodhet në një video që lihet në fund, dhe që të bën të kuptosh pse është krijuar ky muze, nga vjen dhe çfarë ka ndodhur kur kemi hapur derën e muzeut në Prishtinë pas vitesh të tëra të mbyllura."

Puna e Petrit Halilajt nuk ka përfunduar ende. Deri në prill ai së bashku me mikun e tij, Alvaron do të ndërtojnë një tunel rreth 60 metra të gjatë përreth galerisë së artit, brenda të cilit do të lëvizin dy kanarina, të cilat dalin nga një kafaz, fluturojnë 60 metra dhe kthehen aty ku ishin, në origjinë. Një metaforë për lëvizjen e lirë të kosovarëve në botë? Petrit Halilaj, që i ndjek zhvillimet në Kosovë, thotë se "gjendja është e trishtueshme" dhe pyet "pse të mos jemi edhe ne të lirë të lëvizim ashtu si pesë miqtë e mi që kanë shkuar së fundmi të jetojnë në Meksikë, sepse atë e donin, apo miq italianë që vijnë të jetojnë në Berlin? Dihet që arti nuk i njeh kufijtë, por shtetet po. Për momentin Petrit Halilajt i mbetet vetëm të tregojë me mjetet e artit lirinë e lëvizjes.