1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Helmetëkaltër për Ukrainën?

Ka dyshime se operacioni i trupave paqeruajtëse helemetkaltëra mund të dështojë për shkak se palët në konflikt nuk do të arrijnë dot një marrëveshje.

Holanda dhe Australia dërguan policë dhe ekspertë hetimorë në Ukrainën lindore për të sqaruar çështjen se cili është fajtor për rrëzimin e avionit të pasagjerëve MH17. Meqë betejat rreth vendit të rrëzimit nuk po qetësoheshin, për të mbrojtur policët dhe ekspertët e mjekësisë ligjore duhet të shkonte në vendin e ngjarjet edhe një njësi ushtarake holandeze. Por para se të ndodhte kjo shpërthyen luftime të reja. "Aty nuk mund të dërgohen policë dhe forca speciale të ushtrisë holandeze që mbajnë armë, vetëm për të mbrojtur veten e tyre. Aty po zhvillohet luftë me armë të rënda," tha zëdhënësi për politikën e sigurisë të partisë SPD, Rainer Arnold në intervistë me DW-në.

Rainer Arnold

Rainer Arnold

A do të qe i mundur një operacion paqeruajtës?

Meqë ekspertët ndërkombëtarë e kanë të vështirë të depërtojnë në vendin e ngjarjes dhe të sqarojnë çështjen, eurodeputetja e Partisë së Gjelbër, Rebecca Harms, bëri thirrje për dërgimin e trupave paqeruajtëse të OKB-së në Ukrainë lindore. Ata duhet të mbikëqyrin kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe të kontribuojnë për zgjidhjen e konfliktit midis forcave ushtarake të Ukrainës dhe kryengritësve prorusë.

Operacioni i trupave paqeruajtëse helemetkaltëra do të dështojë për shkak se palët në konflikt nuk do të arrijnë dot një marrëveshje, thotë Tom Koenigs, ish-raportuesi special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afganistan. Në një intervistë për stacionin Deutschlandfunk ai tha se pa miratimin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kjo nuk është e mundshme. "Mbikqyrja e zonave kufitare ku patrullojnë milicët mendoj sigurisht se është një gjë e mirë, por kjo është e mundur vetëm me përkrahjen aktive të Rusisë." - tha Tom Koenigs.

Mungesë mbështetjeje nga popullsia

Helmetat blu të OKB-së nuk janë trupa luftimi, por shkojnë në një vend me ftesë të palëve në konflikt për të siguruar që ato nuk bien ndesh me njëri-tjetrin dhe që në vend të ketë një jetë normale. Ushtarët kanë trajnim të posaçëm për të mbajtur armë - por vetëm për vetëmbrojtje.

Aksionet e armatosura ndeshin në popullsinë gjermane në rezistencë. "Nga ana tjetër, gjermanët duan që të rivendoset përsëri paqja, sepse ata e dinë se sa afër është Ukraina dhe sa shpejt problemet mund të vijnë edhe tek ne," thotë Rainer Arnold.

Shembulli i Kosovës

Shqetësime të tilla pati edhe për operacionet në Ballkan. Për shembull, në Kosovë, ku prej 20 vjetësh po bëhen përpjekje për të ndërtuar një shtet demokratik. "Kjo gjë është e shtrenjtë, e lodhshme dhe e kushtueshme. Por një angazhimi civil për një kohë të gjatë është zgjidhja e vetme e mundur për të përmirësuar jetën atje," thotë eksperti për të drejtën ndërkombëtare Hans-Joachim Heintze. "Ne kemi nevojë për mekanizma politike për të zgjidhur konfliktet. Edhe në qoftë se formohet një shtet i ri, ai duhet të jetojë me të njëjtët fqinjë, që ishin aty më parë."

Ndërhyrja ushtarake nuk e zëvendëson zgjidhjen politike të një konflikti mendon edhe Rainer Arnold. "Ukrainasit nuk janë në gjendje të fitojnë ushtarakisht, se duhet të kenë kujdes që popullsia civile atje të mos dëmtohet." Edhe Heintze nuk beson vetëm te dhuna ushtarake dhe thotë se i nevojshëm është kapërcimi i konfliktit.