1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Helge Tolksdorf: Ka ardhur koha për investime gjermane në Kosovë

Intervistë me Helge Tolksdorf, drejtues i sektorit për Evropën Junglindore dhe Turqinë në Ministrinë Gjermane për Ekonomi dhe Teknologji mbi investimet gjermane në Kosovë.

Helge Tolksdorf

Helge Tolksdorf

Ekonomia kosovare ende është në gjendje të rëndë, por vitet e fundit ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Në 12 vitet e pasluftës ajo ka shënuar rritje mesatare vjetore prej rreth 6,5 %. Nga investorët e huaj ka vërejtje se disa prej dukurive negative, si korrupsioni dhe mangësia e sigurisë ligjore, ende nuk janë zhdukur. Mendoni se ka ardhur koha që sipërmarrjeve gjermane t'u thuhet se duhet të investojnë në Kosovë?

Helge Tolksdorf: Mendoj se ka ardhur koha, sepse kohët e fundit janë arritur përparime të rëndësishme në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka rezultuar edhe me njohjen e vulave kosovare në dogana, që ka mundësuar lirimin e rrugës për transportimin e mallrave kosovare nëpër Serbi drejt tregut të brendshëm evropian. Kosova ka një qeveri shumë të motivuar dhe angazhuar, në një vend i cili ka potenciale dhe resurse të mëdha. Kjo me siguri që është interesante edhe për investorët gjermanë.

DW: Cilët sektorë janë interesantë për investorët gjermanë?

Helge Tolksdorf: Qeveria kosovare ka theksuar si një ndër sektorët më të rëndësishëm për investime përpunimin e ushqimeve - që me siguri edhe për ne është interesant. Por mendoj se interesante për investime janë edhe sektorët tjerë, si minierat , shërbimet komunale, infrastruktura...

DW: Një prej problemeve, të cilat investorët e huaj përmendin si pengesë për investime në Kosovë është korrupsioni ende tepër i lartë. Mendoni se ky problem është aq i madh sa që të pengojë investimet?

Helge Tolksdorf: Sipërmarrjet gjermane janë shumë të suksesshme në mbarë botën. Por sipërmarrjet gjermane nuk kanë mundur të futen në disa projekte interesante në Kosovë. Natyrisht që pas këtyre dështimeve shtrohen edhe shumë pikëpyetje. Për sipërmarrjet gjermane është me rëndësi që të kenë siguri ligjore, dhe në momentin kur vërejnë se kanë probleme madje të të vogla me korrupsionin, ato tërhiqen. 

DW: Jeni të kënaqur me bashkëpunimin rajonal dhe sa është i rëndësishëm ky bashkëpunim për investimet në Kosovë?

Helge Tolksdorf:  Shanset për investime në Kosovë shtohen kur ka një bashkëpunim të mirë, sepse vetë tregu kosovar me dy milionë banorë është tepër i vogël për investime të mëdha. As Shqipëria me tre milionë banorë nuk është ndonjë treg i madh, apo Maqedonia, Mali i Zi... Prandaj ne kemi mbështetur idenë që brenda CEFTA-s në vitin 2006 të krijohet një union i përbashkët doganor. Ky union funksionon, ndonëse ka edhe probleme për shkak të mos njohjes së Kosovës si shtet nga dy vende të rajonit. Me marrëveshjen e fundit në dialogun Prishtinë-Beograd për pjesëmarrjen e Kosovës në takimet rajonale është dërguar një sinjal edhe për sipërmarrjet gjermane që të investojnë në Kosovë, Shqipëri apo Mal të Zi dhe prej atje të furnizojnë tërë tregun rajonal. Një treg i përgjithshëm prej 10 apo 20 milionë banorë me siguri që është interesant edhe për sipërmarrjet e mëdha.

DW: Ju përmendët marrëveshjen e fundit për prezantimin e Kosovës në takimet rajonale. Por pikërisht kjo marrëveshje dhe fusnota ku përmendet Rezoluta 1244 ka shkaktuar reagime të shumta negative në Kosovë...

Helge Tolksdorf: Perceptime të tilla nuk janë të mira. Fakti që Kosova po pranohet si subjekt në rajon dhe bashkëpunon me vendet tjera për ne është një sinjal i mirë. Bashkëpunimi dhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është sinjal i mirë. Rikthimi në pozicionet  e nacionalizmit do të shkaktonte edhe tërheqjen e investorëve gjermanë nga ky rajon.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Lindita Arapi