1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Haxhinasto: Shqipëria ka potenciale shumëdimensionale

Intervistë ekskluzive me Zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto (LSI), me rastin e vizitës së tij në Munih në konferencën "Dita Ekonomike e Shqipërisë".

default

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto qëndroi për një vizitë dyditore (21./22.3.2011) në kryeqytetin e Shtetit të Lirë të Bavarisë për të marrë pjesë në Ditën Ekonomike të Shqipërisë. Haxhinasto u takua të martën edhe me ministren bavareze për Evropën, Emilia Mueller (CSU) si dhe kryetaren e Parlamentit të Bavarisë, Barbara Stamm (CSU). Të hënën ai bëri një vizitë edhe në katedrën e Albanologjisë në Munih.

DW: Zoti Ministër, ju qëndruat dy ditë në kryeqytetin e Bavarisë. Me çfarë përshtypjesh po largoheni?

Edmond Haxhinasto: Me përshtypje mjaft të mira. Jam shumë i kënaqur nga prezenca e kompanive të huaja bavareze dhe gjermane në takimin e sotëm. Kjo tregon se tregu shqiptar dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri po shikohen me vëmendje maksimale nga investitorët seriozë e kompanitë e mëdha. Kjo ka të bëjë edhe me lajmet që vijnë nga Shqipëria.

DW: Që do të thotë?

Haxhinasto: Se vendi ka potenciale shumëdimensionale. E kam fjalën për burimet e mëdha natyrore dhe njerëzore, klima shumë e përshtatshme e biznesit, politikat fiskale, përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës, asaj rrugore, energjetike e ujore. Potencialet kanë të bëjnë edhe me pozitën gjeografike të vendit, në mes të rrugëve tregtare që lidhin lidhjen dhe perëndimin, por edhe me stabilitetin që ka Shqipëria me anëtarësinë në NATO, me faktin që ajo ka marrëdhënie shumë të mira me vendet e rajonit, ku jetojnë shtatë milionë shqiptarë, të cilët kontribuojnë në mënyrë konstruktive me vendet e Bashkimit Evropian.

DW: Ju kërkuat nga investitorët gjermanë që ta shohin tregun shqiptar në nivel rajonal, pra duke pasur parasysh këtë shtrirje të shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi të Jugut. Dhe siç u pa edhe në konferencën e shtypit, frika e zgjerimit të kufijve të Shqipërisë duket se nuk është zhdukur përfundimisht.

Haxhinasto: Nuk ka pse të shqetësohet askush. Proceset integruese janë proceset më të natyrshme të rajonit, janë pikërisht ato procese që i bëjnë kufijtë të pavlerë, që rrisin bashkëpunimin, krijojnë mundësitë e lëvizjes së lirë në rajon, krijojnë një zonë të lirë ekonomike dhe shkëmbimesh në një infrastrukturë të përbashkët. Për këtë po flasim ne në Shqipëri, këtë po përpiqemi të realizojmë çdo ditë, kjo është fryma e Bashkimit Evropian dhe besoj që gjithkush duhet ta mirëkuptojë këtë gjë dhe askush të mos frikësohet.

DW: A mendoni se tensionet e vazhdueshme në politikën e brendshme të Shqipërisë luajnë rol edhe në vendimmarrjen e investitorëve të huaj për të ardhur në vend?

Haxhinasto: Sigurisht që situata politike nuk duhet të jetë e tillë, mendoj se ekzistojnë të gjitha mundësitë që dialogu në Shqipëri të zhvillohet brenda institucioneve e që të gjitha çështjet e mosmarrëveshjet të zgjidhen me logjikë demokratike. Fatmirësisht situata politike nuk ka ndikuar drejtpërdrejt në investimet e huaja në Shqipëri, ato vazhdojnë normalisht. Ajo që pres është që gjithsecili të kuptojë përgjegjësinë maksimale që vendi ka nevojë të ecë përpara, të ftojë sa më shumë investitorë me qëllim që Shqipëria të ruajë ritmet e zhvillimit të saj e të ecë sa më shpejt drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

DW: Konferencë ekonomike shqiptaro-gjermane pati edhe një vit më parë në Hamburg, por përfaqësuesit e qeverisë ishin të tjerë. Nuk mendoni se ky ndryshim i shpeshtë i fytyrave i irriton partnerët gjermanë dhe bëhet pengesë për krijimin e një klime mirëbesimi mes biznesit gjerman dhe atij shqiptar?

Haxhinasto: Mendoj se ndryshimet e fytyrave të politikanëve nuk përbëjnë ndonjë problem. E rëndësishme është që politikanët të kontribuojnë për të krijuar një klimë sa më të përshtatshme të biznesit. Pastaj komuniteti i biznesit, i cili është fytyrë më e qëndrueshme në këto takime, vepron vetë. Ka iniciativën e tij, ka lidhjet e tij dhe ai përbën pjesën më thelbësore të bashkëpunimit. Përderisa ai qëndron aty, përderisa ai është më i angazhuar, mendoj se ndryshimet e emrave të politikanëve nuk sjellin asnjë pasojë.

DW: Një vërejtje që u dëgjua në konferencë ishte mungesa e një strategjie kombëtare për zhvillimin e vendit. A pajtoheni ju me këtë konstatiim?

Haxhinasto: Ne kemi shumë strategji kombëtare të zhvillimit, në bazë të cilave edhe veprojmë. Edhe në fushën konkrete, atë të turizmit, është e rëndësishme që të kuptohet se jemi duke adaptuar një përqasje të integruar, pra jo vetëm facilitetet turistike, por edhe gjithçka që lidhet me të, me infrastrukturën, me energjinë, ujin dhe mbi të gjitha edhe me mjedisin. Një strategji e tillë është duke u zhvilluar dhe mendoj, se edhe ky vit do të ketë një rritje shumë substanciale të numrit të turistëve që do të vizitojnë Shqipëria.

DW: Njëri nga stacionet e vizitës suaj në Munih ishte Instituti i Albanologjisë. Cili ishte qëllimi i kësaj vizite?

Haxhinasto: Unë kam folur për këtë çështje edhe sot me kryetaren e parlamentit të landit të Bavarisë dhe ministren për çështjet evropiane. Sigurisht që çështja e katedrës së albanologjisë është shumë e rëndësishme, jo vetëm se është unike në të gjithë Evropën, por edhe për faktin që tani që Shqipëria embarkon në proceset integruese, institucione të tilla të rëndësishme që përgatisin albanologë, por edhe promovojnë vlerat e traditës shqiptare e të albanologjisë janë shumë të domosdoshme, në mënyrë që Shqipëria të paraqitet në Evropë, ashtu siç e meriton, me gjithë këtë trashëgimi të pasur kulturore që ajo ka.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi

  • Data 22.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/RBc1
  • Data 22.03.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/RBc1