1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Haxhinasto në Berlin: Diplomacia shqiptare lobon për integrimin

9 Nëntor 2011

Ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto po viziton Berlinin. Të mërkurën ai takohet me ministrin e Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle. Vizita është një përpjekje diplomatike e Tiranës në drejtim të integrimit.

https://p.dw.com/p/137FP
Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto
Ministri i Jashtëm Edmond HaxhinastoFotografi: Anila Shuka

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, takohet sot në Berlin me homologun e tij gjerman, Guido Westerwelle. Tema e bisedës do të jetë rruga e Shqipërisë drejt BE-së dhe situata aktuale në Ballkan. Pikërisht kjo ishte edhe tema e referatit që shefi i diplomacisë shqiptare Haxhinasto mbajti mbrëmë në Shoqërinë Gjermane për Politikë të Jashtme.

Haxhinasto: I gjithë rajoni në BE

Nuk ndodh shpesh që një ministër i Jashtëm nga Shqipëria të ftohet për një referat në Deutsche Gesellschaft für Auswärtige Politik (DGAP). Qysh në kohën e Kastriot Islamit në vitin 2004 nuk ka pasur politikan të lartë shqiptar në këtë "think tank" kaq të rëndësishëm të Gjermanisë me seli në Berlin. Një rast i mirë ky për të lobuar që Shqipëria të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.

Që kjo deri tani nuk ka ndodhur, sipas Haxhinastos është përgjegjësi e opozitës, e cila zgjodhi kursin radikal të politikës jashtëparlamentare duke penguar kështu miratimin e disa ligjeve të rëndësishme. «Kjo nuk është diplomatike, por është e vërtetë», shtoi ministri. Më diplomatik ishte politikani i Lidhjes Socialiste për Integrim (LSI) kur foli për marrëdhëniet me vendet e rajonit. Ai tha se ato të gjitha duhet të hyjnë në BE dhe se asnjë nuk duhet lënë mënjanë: Numërimin e tij ai e filloi me Serbinë e më pas me Kosovën e vendet e tjera. Krejt në frymën e diplomacisë së Brukselit Haxhinasto u shpreh për mbështetjen e dialogut Serbi-Kosovë.

Edmond Haxhinasto duke folur para "Shoqërisë Gjermane për Politikë të Jashtme".
Edmond Haxhinasto duke folur para "Shoqërisë Gjermane për Politikë të Jashtme".Fotografi: Shuka

Kriza uli vetëm transfertat e emigrantëve

Shefi i diplomacisë shqiptare prezantoi një Shqipëri të suksesshme ekonomikisht. Prodhimi i brendshëm bruto vazhdon të rritet me 3 përqind, eksportet janë rritur gjatë pesëvjeçarit më të fundit, falë ndër të tjera edhe masave që ndërmerr qeveria për lehtësimin e investimeve të huaja. Një lajm i mirëpritur ky në Gjermani, sidomos tani kur nga jugu i Evropës po dëgjohen vetëm lajme të frikshme. «Kriza greke nuk ka pasur ndonjë efekt të madh deri tani në ekonominë shqiptare, përveç uljes së transfertave bankare të emigrantëve», qetësoi Haxhinasto një pyetës nga industria gjermane.

Por me gjithë politikat proinvestitore, Haxhinasto nuk përmendi ndonjë investim domethënës të realizuar kohët e fundit nga Gjermania. I pyetur për potencialet e investimeve në turizëm ai foli për mbështetjen që i bën qeveria gjermane zhvillimit të turizmit malor në veri, dhe u shpreh optimist për investime që priten në të ardhmen nga Kina e Brazili. Gjatë këtyre 20 vjetëve, Gjermania e ka ndihmuar Shqipërinë me rreth një miliardë Euro.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi