1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280509 Solana Portrait

2 Qershor 2009

Nga data 4 deri më 7 qershor Evropa do të zgjedhë parlamentin e saj të ri. Në Gjermani zgjedhjet evropiane do të zhvillohen më 7 qershor. Një portret i Havier Solanës, shef i politikës së jashtme të BE.

https://p.dw.com/p/I1uS
Kryediplomati i BE që prej 10 vjetësh, Havier Solana
Kryediplomati i BE që prej 10 vjetësh, Havier SolanaFotografi: Fena

Titulli i tij zyrtar është "Përfaqësuesi i lartë i politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë", ose shkurt "koordinatori për politikën e jashtme" ose "kryediplomati i BE-së".

"Shumë njerëz në mbarë botën vështrojnë drejt Evropës. Prezenca jonë luan një rol shumë të rëndësishëm në politikën e jashtme. Gjatë këtyre viteve kam vizituar shumë shtete dhe kudo që kam qenë e kam ndierë respektin për BE-në. Në këtë botë të komplikuar, nuk mund t´i zhgënjejmë ata që kanë shpresa tek misioni ynë."

Të gjithë shefat e 27 vendeve antare të BE-së duhet të jenë dakord me politikën që përfaqëson posti i Solanës. Kjo është arsyeja përse prononcimet e Solanës janë shpeshherë të turbullta, si për shembull në lidhje me debatin mbi programin bërthamor të Iranit:

"Do të takohem sot, pastaj do t´i vazhdojmë bisedimet të martën dhe do të gëzohesha në rast do të mund të kontribuojmë në ecjen përpara të këtij procesi, i cili, sipas nesh, u shërben të dyja palëve."

Situata ndërlikohet më tej në rast se funksionet e Solanës vlerësohen ndryshe nga politikanë të tjerë të lartë evropianë. Sepse përveç Solanës, politikën e jashtme të BE-së e përfaqësojnë edhe Presidenti i radhës i BE-së si dhe presidenti i Komisionit Evropian. Përveç kësaj ekziston edhe posti i Komisarit të Jashtëm të BE-së, që aktualisht drejtohet nga Benita Ferrero-Waldner. Pikërisht këto struktura të ndërlikuara shkaktojnë paqartësi:

"Unë mendoj se ne duhet të reagojmë sa më parë tww jetww e mundur. Në rast se diku në botë ndodh një krizë apo shkaktohet një problem politik, nuk mund të presim sepse përndryshe do të humbasim kohë, para, fuqi dhe ndoshta edhe jetë njerëzish."

Marrëveshja e Lisbonës, në rast se hyn në fuqi, do t´i thjeshtësojë këto struktura dhe do t´i shtojë kompetenca të tjera përfaqësuesit të politikës së jashtme të BE-së. Kështu ai do të bëhej në të njwwjtën kohë edhe Komisari i Jashtëm dhe do të përfaqësonte së bashku me presidentin e radhës së Këshillit Evropian, i cili do ta mbante këtë post 2 vite e gjysmë, politikën e jashtme evropiane në botë. Përveç kësaj ai do të ishte edhe zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian:

"Mendoj se kemi nevojë për një zë, një politikë të vendosur të jashtme, një politikë të qartë të jashtme. Dhe duhet t´u ofrojmë shteteve, që kërkojnë të lidhen me ne, një strukturë afatgjatë të këtyre lidhjeve. Prandaj mendoj se kemi nevojë për ndryshime", konkludon Solana.

Por ende është e paqartë në rast se këto ndryshime do të ndodhin vërtetë, sepse Marrëveshja e Lisbonës do ende kohë të ratifiokhet nga të gjitha vendet antare të BE-së.

Autor: Christoph Hasselbach/ Sonila Harasani

Redaktoi: Auron Dodi