1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hashim Thaçi për gazetën gjermane: "Treni i fundit për paqen e qëndrueshme"

Debati që ka shpërthyer në Serbi për çështjen e Kosovës ndiqet me vëmendje nga mediat gjermane. Të enjten e përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" ka ftuar me një artikull presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Ka ditë që disa media gjermane janë fokusuar tek debati që është ndezur në Serbi për Kosovën, pas një eseje të presidentit serb, Aleksander Vuçiç, të botuar në Serbi në mes të korrikut. Vuçiç kërkon aty një ndryshim të mendësisë për Kosovën në Serbi. Edhe tezat e ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiç për kompromis me shqiptarët dhe ndarjen e Kosovës janë reflektuar në median gjermane.

Por të enjten (17.08) është presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që është ftuar nga e përditshmja e njohur gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" me një artikull me titullin "Treni i fundit për paqen e qëndrueshme". Thaçi vëren se vërtet, pas gjashtë vitesh negociatash mes Kosovës dhe Serbisë vërtet ka pasur progres, sidomos arritja e marrëveshjes së vitit 2013 për bazat e normalizimit të marrëdhënies, por "nuk është arritur një normalizim i plotë i marrëdhënies".

Duhet lidership i guximshëm dhe inteligjent

Presidenti i Kosovës, Thaçi në shkrimin e tij për FAZ vëren se të gjitha këto suksese të pjesshme janë të rëndësishme, por "nëse do të qëndrojmë tek kjo shpejtësi, atëherë marrëdhëniet tona nuk do të jenë normale edhe pas 100 vjetësh". Ai e sheh problemin kryesor se "ende e vështrojmë njëri-tjetrin si kundërshtarë. Por ne nuk mund të arrijmë ndonjë ujdi, se ku do të shkojmë, nëse kemi dallime themelore për atë se nga vijmë".

Thaçi bën fjalë për një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, që përfshin njohjen e dyanshme, si mundësia e vetme për të tejkaluar të gjitha grindjet. "Arritja e këtij qëllimi është për të dyja vendet tejet e vështirë, dhe kërkon lidership të guximshëm dhe inteligjent. Por jam i bindur, se lidershipi si në Kosovë edhe në Serbi synon që t'u ofrojë qytetarëve të vet atë që presin - pra të gjejnë paqen me njëri-tjetrin. Që kjo të ndodhë duhet të jemi kreativë dhe të gatshëm për të arritur kompromise të tjera."

Në mbyllje të artikullit për gazetën gjermane, presidenti i Kosovës përmend edhe metaforën e trenit si simbol për të ardhmen. "Ne duhet të tregojmë kujdes që të mos e humbasim trenin e fundit për paqen e qëndrueshme."

 

 

FAZ/DW