1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Haradinaj: Një Kosovë Europiane përmes një qeverisje ndryshe

Ish kryeministri i Kosovës Ramush Hradinaj në bisedë me DW ndalet në synimet e tij për të ardhmen e Kosovës. Ai e vlerëson situatën në vend jo të mirë dhe këmbëngul për një qeveri të re.

Në foto: Ramush Haradinaj

DW: Së pari zoti Haradinaj, jemi duke lënë pas një vit të tërë. Pra po ndahemi me vitin 2012, por si ishte ky vit për ju personalisht dhe për Kosovën?

Ramush Haradianj: Nuk ka qenë një vit i lehtë dhe fatmirësisht në planin personal përfundoi mirë, pra u mbyll një punë e madhe që kisha para vetes duke mu dhënë mundësia që të jem përsëri në Kosovë, jam i kënaqur. Ndërsa për Kosovën ky vit sigurisht që ka qenë një vit i shumë vështirësive, i shumë sfidave dhe i shumë angazhimve që ka vendi. Ky vit po ashtu lë shumë për të dëshiruar, nuk pajtohem me trendet që kemi pasur këtë vit që do të thotë se duhet të shënojmë ndryshime të mëdha në jetën tonë në Kosovë.

DW: Pas vendimit të Tribunalit të Hagës si i pafajshëm, ju sollët me vete jo vetëm fitoren tuaj para drejtëssië por edhe ambicjen pak sa kryeneçe për të qeverisur Kosovën?

Ramush Haradinaj: Nuk pajtohem me vlerësimin tuaj kryeneç, sepse në rast se i takon një vendi që ka vështirësi dhe ke opcion për të dhënë zgjidhje për shumë tema me rëndësi për jetën e njerëzve, atëherë duhet të ofrohesh. Pra bëhet fjalë për një ofertë të sinqertë nga ana ime dhe e partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për ta ndryshuar gjendjen në vend, një gjendje që siç thashë nuk mund të pajtohem.

DW: Por ende nga ju nuk ka ndonjë kritikë konkrete ndaj mangësive të qeverisë aktuale që do ta justifikonte edhe iniciativën tuaj për të marrë frenat e qeverisjes së vendit?

Ramush Haradinaj: Në rast se do të bëjmë listën e të metave të kësaj qeverisje, këto do ti gjenim të pasqyruara më së miri në raportin e progresit të Bashkimit Europian, të Komisionit për Kosovësn, të gjitha janë aty. Pra lista e të metave dihen, defektet dihen, por mënyra se si me e ndryshu këtë gjendje po mungon. Unë e kam dhënë mënyrën dhe zgjidhjen se si mund të ndryshojë gjendja menjëherë në Kosovë edhe pa shkuar në zgjedhje.

DW: Ne po e zhvillojmë bisedën në një kohë kur kryeparlamentari i Kosovës, zoti Krasniqi, ka dalë me qëndrime jo të mira ndaj përfshirjes suaj në qeverisje. Cili është mendimi juaj për këto?

Ramush Haradinaj: Unë e çmoj zotin Krasniqi, është një veprimtar i hershëm politik dhe kuptohet ka përgjegjësi me rëndësi si kryetar i parlamentit dhe personalisht nuk kam ndonjë koment ndaj deklaratave të tij. Ato mund të jenë edhe për shkak të zhvillimeve të brëndshme në partinë PDK meqë janë në proces zgjedhor.

DW: Ju shkuat në 2005 vullnetarisht në Hagë, kur në atë kohë ishit në postin e kryeministrit. Mos është kjo një nga arsyet që doni të qeverisni Kosovën?

Ramush Haradinaj: Jo, kjo nuk qëndron dhe nuk jam dakord me konstatimin tuaj. Bëhet fjalë për një gjendje aktuale në vendin tim të cilën unë dëshiroj ta ndryshoj. Pra nuk bëhet fjalë për ambicjet e një individi apo për projekte të lënë përgjysëm të një individi, por bëhet fjalë për një shoqëri e cila ka një situatë të rëndë në qeverisje, një situatë të rëndë ekonomike dhe ku nuk ka rend dhe ligj të duhur si dhe shumë fenomene të këqia që kanë kapluar vendin tim. Gjithashtu bëhet fjalë për një politikan të përgjegjshëm i cili nuk dëshiron të mbesë duarkryq vetëm me arsyetimin ose identifikimin e punëve të tija, por synon me dhënë një zgjidhje të menjëhershme kësaj situate.

DW: Nuk mendoni se në opozitë do të kontribuonit më shumë për të vënë në pah këtë mosqeverisje të mirë?

Ramush Haradinaj: Mosqeverisja e mirë dihet nga gjithë qytetarët e vendit. Mendoj se nuk ka dikush që nuk e kupton mosqeverisjen e mirë. Por ajo që i mungon Kosovës është ndryshimi i kësaj gjendjeje, pra fillimi i ndryshimit të veprimeve të qeverisjes që ndryshojnë gjendjen në vend.

DW: A mendoni se qëndrimi i juaj kaq gjatë në Hagë, ka priviligjuar partinë PDK të jetë në pushtet?

Ramush Haradinaj: Unë mendoj se nuk ka përfituar askush. Kjo parti është në pushtet nga një proces i lëndueshëm, mirëpo nuk ka përfitu askush meqënëse vendin nuk e kemi si duhet. Ne kemi shumë punë në Kosovë për të kryer dhe mendoj se nuk ka fitues në rast se nuk përfiton tërë shoqëria. Përshembull: Ne flejmë mbi rezerva të thëngjillit por në fakt nuk kemi energji elektrike 24 orë, dëgjojmë gjeneratorët në kryeqytet dhe vendbanime rurale, ndërprerja e rrymës është me orare të gjata. Në Prishtinë mungon uji i pijshëm 24 orë dhe kemi po ashtu tema apo sektorë të tjerë shumë të rëndësishëm për jetën e qytetarit e që deri tani nuk është vepruar fare. Pra kemi një situatë të rëndë në vend.

DW: Mediet gjermane janë fokusuar më së shumti në komentet mbi ndarjen e posteve mes jush dhe Thaçit se sa për një ndryshim qeverisjeje? Si e komentoni ju këtë?

Ramush Haradinaj: Kjo është një pamje artificiale sepse esenca e gjithë kësaj ka të bëjë me faktin që unë personalisht synoj ndryshimin e qeverisë, ndaljen e kësaj qeverie dhe formimin e një qeverie të re. Pra nuk bëhet fjalë për post por për përgjegjësi. Pra ka substancë dhe nuk është vetëm ndarje postesh dhe nuk ka të bëjë kjo vetëm mes dy personave. Bëhet fjalë për ndryshim konceptesh qeverisëse në vend.

DW: Por kryeministri Hashim Thaçi doli me qendrimin se ai është numër njëshi në qeveri duke lënë të kuptojë se këtë post nuk e lëshon?

Ramush Haradinaj: Po. Në fakt ai është ende kryeministër. Por në rast se ndodhin ndryshime në qeverisje atëherë përgjegjësinë e mban kryetari i kësaj qeverie, pra e kam fjalën nëse do të kemi një qeveri të re. Bëhet fjalë për ndryshime përmbajtësore dhe jo sipërfaqësore, apo kozmetike. Bëhet fjalë për një mënyrë të re qeverisjeje në vend, krejtësisht ndryshe nga ajo që ka ndodhur deri tani.

DW: Zoti Haradinaj, ende nuk i keni shpalosur projektet e juaja per te ardhmen e Kosoves, vizionin tuaj, për integrimin e Kosovës në BE, dialogun me Serbinë, për veriun apo për luftën daj korruspionit?

Ramush Haradinaj: Vizioni im është një Kosovë Eruopiane me standarte europiane. Vetëm po të zbatojmë kriterët e raportit të progresit për Kosovën me kujdes, ne atëherë do ta ndryshojëm gjendjen tonë në vend. Por ajo për të cilën unë insistoj është nëj qeverisje efektive në vend sepse Kosova ka resurse, ka potencial të mjaftueshem për zhvillim por duhet të ketë rend dhe ligj të duhur, të drejtë ashtu siç i takon shoqërive europiane sipas standarteve në BE dhe kuptohet një zhvillim ekonomik duke u bazuar edhe në investitorë dhe patnerë të huaj. Më vjen mirë po ashtu që dialogu me Serbinë ka filluar dhe po vazhdon dhe po jep rezultate të caktuara. Unë jam që duhet ta mbështesim këtë dialog, është mënyrë e mirë për marëdhëniet e komunikimit mes Kosovës dhe Serbisë por edhe për ato në rajon mes gjitha vendeve. Lidhur me veriun mendoj se ne duhet të gjejmë mënyrën që serbëve të veriut t' ju japim atë që ju takon duke pasur parasysh pakon e Ahtisarit. Ndërsa lidhur me luftën ndaj korrupsionit mendoj se mënyra më e mirë është mosinvolvimi i politikanëve vendimmarrës në të, pra mos me u kyç në të. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për ta ndalë korrupsionin në vend. Politika duhet të mos bëhët pjesë e këtij fenomeni që për fat të keq deri tani nuk ka ndodhur. Por jam optimist në një të ardhme të afërt kjo do të ndodhë.

DW: Dhe cili është urimi dhe dëshira për vitin e ri që po troket, 2013?

Ramush Haradinaj: Unë synoj që ky vit të jetë një vit pune për mua dhe po ashtu për Kosovën. Unë synoj, që ashtu sikurse e kanë bërë gjermanët dhe popuj të tjerë, edhe ne ta ndryshojëm Kosovën duke bërë vetëm punë serioze.

  • Data 29.12.2012
  • Autor Mimoza Cika-Kelmendi
  • Fjalët kyç Haradinaj, Kosova
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/17B6v
  • Data 29.12.2012
  • Autor Mimoza Cika-Kelmendi
  • Fjalët kyç Haradinaj, Kosova
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/17B6v