1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Hapni dyert! Revista e re "Abvab"

Kersten Knipp4 Janar 2016

Një lloj manuali udhëzues për Gjermaninë në arabisht - revista "Abvab" synon të kontribuojë që refugjatët të gjejnë rrugën e tyre në Gjermani.

https://p.dw.com/p/1HXRz
Fotografi: picture-alliance/dpa/N. Batev

Në fakt dyert janë si kufijtë. Hapen, dikush hyn, pastaj mbyllen përsëri. Kështu është zakonisht. Kurse në Gjermani për momentin duket disi ndryshe. Këtu aktualisht ka shumë dyer të hapura për qindra-mijëra refugjatë nga zonat e luftës në Lindjen e Mesme. Kjo përvojë reflektohet edhe tek revista e re "Abvab" (Dyer). Gazetari sirian Ramy al-Asheq, kryeredaktor i revistës së themeluar kohët e fundit, tha në një intervistë për DW, se edhe ai ka ndeshur në Gjermani në dyer të hapura dhe kjo është arsyeja pse i vuri gazetës këtë emër.

Ramy Al-Asheq
Ramy Al-AsheqFotografi: Privat

"Bli një libër"

Revista synon të kontribuojë që refugjatët të gjejnë rrugën e tyre në Gjermani. Ky është një lloj manuali udhëzues për Gjermaninë në arabisht. Shumica e refugjatëve nuk dinë gjermanisht, ndërkohë që "mbërrijnë në një vend të ri, për kulturën, shoqërinë dhe politikën e të cilit nuk dinë shumë" - thotë Al-Asheq. Përmes gazetës "Abvab" atyre mund t'u hapen dyer të reja.

Refugjatët duhet të bëhen aktivë për t'u integruar në Gjermani - kjo theksohet vazhdimisht në revistë. "Dhjetë hapat drejt integrimit" është një nga artikujt e revistës. Këshilla e parë: përvetëso gjuhën. "Mos prisni për kurse gjuhe falas", i këshillon revista lexuesit e saj. "Bli një libër të thjeshtë, mëso gjërat më të rëndësishme dhe përpiqu t'i përdorësh fjalët sa më shpesh të jetë e mundur. Për shembull hyr në bisedë me pensionistët në park."

Deutschland Flüchtlinge
Fotografi: DW/C. Ka Chun

Qëndrim i hapur

"Merre vendin ashtu siç është, mos e kritiko", thotë këshilla e dytë për integrimin. "Përshtatu me zakonet" thotë i treti. Merr informacione të dorës së parë, ji miqësor dhe hyr në kontakt me gjermanët, janë disa këshilla të tjera që u jepen lexuesve të saj. Angazhohu, njihu me vendin etj. janë disa nga këshillat e tjera. Sa keq që revista "Al-Abvab" nuk botohet dhe në gjuhën gjermane.

Por ndoshta dhe kjo mund të ndodhë, sepse gazeta e cila botohet nga grupi "New German Media" në Britaninë e Madhe financohet prej reklamave. Dhe shumë prej atyre që bëjnë reklama në revistë përkrahin idenë që përhap ajo "shpresën".

Edhe Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF), i ka botuar këshillat e revistës për azilkërkuesit në një nga faqet e saj të internetit.

"A jemi ne racistë?"

"A jemi ne racistë?" është njëri nga titujt e artikujve. Por ai nuk trajton racizimin e mundshëm në radhët e sirianëve, por të gjermanëve, si rasti i Pegidës. Në artikull shpjegohet se gjermanët reagojnë me kaq sensibilitet ndaj racizimit dhe urrejtjes ndaj minoriteteve, si sintit dhe romët apo homoseksualët, për shkak të përvojave të tmerrshme gjatë periudhës naziste. Dhe ndoshta pa e ditur revista "Abvab" vazhdon edhe një traditë të vjetër arabe, atë të tregimieve dhe është sikurse thotë dhe titulli një lloj varianti bashkëkohor i "Sezam hapu".