1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Hapet rruga për zhvillimin e hetimeve kundër ministrit të jashtëm

35 vjeçarja Ina Rama, e ardhur javën e kaluar në postin e lartë të Prokurores së Republikës, i dha maxhorancës së djathtë besimin e munguar për një hetim transparent ndaj Ministrit të Punëve të jashtme, Lulzim Basha

Parlamenti shqiptar

Parlamenti shqiptar

Maxhoranca i dha fund hezitimit për të filluar procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit të Bashës, deputet i PD-së, të mbetura pezull që prej një muaji. Ajo është treguar e gatshme dhe pa mëdyshje t`ja dorëzojë deputetin e saj Basha, Prokurorisë së Përgjithshme për t´i hapur rrugë hetimeve ndaj akuzës së ngritur ndaj tij, nga ish Prokurori i Republikës, Theodhori Sollaku, për abuzime me postin dhe korrupsion, kur ishte në detyrën e Ministrit të Transporteve.

Berisha pranon dorëzimin e Bashës drejtësisë

Vetë kreu i maxhorancës, kryeministri Berisha, premton që Lulzim Basha, t´i jepet sa më parë Prokurorisë për t´u hetuar. Dhe jo vetëm ai. Për cilindo që kërkohet nga Prokuroria do të votohet në Parlament për t´i hequr imunitetin dhe për t´i hapur rrugën hetimeve. „Çdo kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme, tha Berisha në Parlament, për të hequr imunitetin e çdo deputeti të maxhorancës është automatikisht e miratuar. Pa diskutim me anë të votës së deputetëve.“

Edhe Topalli bie dakord

Ndryshe nga kundërshtimi i deridjeshëm, edhe Jozefina Topalli, kryetare e Parlamentit dhe njëherazi e Këshillit të Rregullores dhe të Mandateve, pohon të njëjtën gadishmëri për të çuar para drejtësisë Lulzim Bashën dhe këdo deputet tjetër të maxhorancës, që kërkohet nga Prokuroria për t´u hetuar për korrupsion.

A do të hetohet Basha?

A do të hetohet Ministri i Jashtëm Lulzim Basha për abuzime me fondet e tenderit të rrugës Durrës- Kukës kur ai ishte Ministër i Transporteve? A do t`ia lejojë kryeministri Berisha Kryeprokurores së re, Ina Rama atë që i ndaloi paradhësit të saj, Sollaku: shqyrtimin e dokumentacionit zyrtar për tenderin në fjalë dhe rolin e Lulzim Bashës, në shkeljet proceduriale dhe në mungesën e një projekti nga kompania fituese Bechtel & Enka?

Kritikët si gjithnjë skeptikë

Opinioni i pavarur dhe kritik ndaj qeverisë në Tiranë ka rezerva dhe është mosbesues që kjo do të ndodhë tani që në krye të organit të akuzës vjen e zgjedhura e demokratëve, Ina Rama. Për zërat e tyre kritike shkarkimi i Sollakut përben rënien e të fundit institucion të pavarur në Shqipëri nën kontrollin e kryeministrit Berisha. Sipas tyre institucione të tilla si Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese dhe Presidenca janë nën kontrollin e kryeministrit, gjë që ka rezultuar në një mungese ekuilibri në qeverisje dhe në afera korrupsioni nga anëtarë të qeverisë dhe të maxhorances, ndaj të cilave kishte filluar hetimet ish Prokurori i Republikes, Theodhori Sollaku.

Ky mund të jetë edhe sukses i Berishës

Por ka edhe një pikëpamje tjetër, që e quan të suksesshme luftën që kryeministri Berisha i shpalli korrupsionit që me ardhjen e tij në pushtet, në verën e vitit 2005. Nëse Kryeprokurorja e re, Ina Rama, do të arrijë të zbardhë dosjen e lënë përgjysëm nga Sollaku dhe të çojë para drejtësisë abuzuesit, kjo do të shënojë një provë të rëndësishme të integritetit të kryeministrit Berisha dhe të zbatimit të kredos së tij: Tolerancë „0“ ndaj korrupsionit.


  • Data 27.11.2007
  • Autor Ani Ruci/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CTkn
  • Data 27.11.2007
  • Autor Ani Ruci/ Tiranë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/CTkn